Me hashtagun “Kush e ka radhën?”, promovuar me një mesazh pas dhënies së dënimit për Shullazin, Ambasada Amerikane në Tiranë ka futur në rreth dy personazhe të tjera: Ervis Martinajn dhe…Saimir Tahirin.
Duhet theksuar se ky është i pari rast kur Uashingtoni i referohet me emër një politikani, pa u mjaftuar me epitetin “peshqit e mëdhenj”.
“Gjykata e Krimeve të Rënda të Shqipërisë dënoi Emiljano Shullazin dhe grupin e tij, por presim përparim të vazhdueshëm në rrugën e Shqipërisë drejt sundimit të fortë të ligjit. Dje, Gjykata e Apelit të Tiranës dëgjoi argumentet e prokurorëve lidhur me masën e sigurisë për Ervis Martinaj. Ne presim hetimin e plotë të tij, ashtu siç presim që sundimi i ligjit të zbatohet gjatë hetimit në vazhdim për Saimir Tahirin. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj së ardhmes së Shqipërisë”, thuhet në mesazhin e Ambasadës.
Ky reagim vjen pas Saimir Tahiri ka rezultuar i pastër nga drejtësia italiane, ndërsa pritet verdikti i asaj shqiptare. Deri më tani, Krimet e Rënda ende nuk kanë dhënë sinjale të kompletimit të një dosjeje për Tahirin, gjë të cilën e theksoi edhe ky i fundit në daljen më të fundit televizive. Tahiri madje u shfaq i qetë në raport me hetimet shqiptare, duke kërkuar këmbëngulisht fundin e sagës ndaj tij, me bindjen se dhe prej tyre do rezultojë i pastër, siç në Itali. /tesheshi.com/