Siç po shkon pune, mundet që Rama do donte që të tërhiqej nga projekti i Unazës së re e të shihte për të tjetër zgjidhje. Por e gjitha do të kishte kosto të lartë edhe politike, pa llogaritur anullimin e një zgjidhjeje për trafikun kryeqytetas, sot e në të ardhmen.
Qysh kur u fut në politikë, a ndryshe në vendimarrje shtetërore, Rama është përballur me realitetet të trashëguara që nuk kanë patur atë si autor dhe kjo pozitë duhet marrë në konsideratë në gjykimin ndaj tij. Kjo, siç në Bashkinë e Tiranës, të cilën e morri nga dy mandate demokratësh, e si qeverisjen në 2013-ën, ku përmblidheshin mbi 20 vjet menaxhin përsëprapthi i vendit, me probleme të majisuara pothuajse në çdo sektor. Opozita e sotme, por dhe ish-elita Nano, nuk mundën të reformonin, apo të vinin në rrugë të mbarë e me rezultate në kohë, asnjë sektor të shoqërisë shqiptare – zero. Mjaftojnë pronat, ose problemet urbane me paligjshmërinë në ndërtime, si provë të një masakre të trashëguar, pa u futur te ekonomia, arsimi, shëndetësia, energjitika. Dhe sot, Rama, për çdo lëvizje të tij, të drejtë apo të gabuar, merr në gjykim dhe koston e asaj që është në fakt zullum i tjetërkujt. Rama, gjithsesi nuk ka gisht te zonat informale, te paligjshmëria e tyre me efekte katastrofik. Nuk ka gisht as te masakra e pronave. Siç nuk ka gisht as te kjo ekonomi anemike, e cila gjithashtu është një trashëgimi në mënyrën se u strukturua sidomos nën Nanon, pas shembjes së Piramidave.
Por Rama ka përgjegjësi në qasje, në formën e zgjedhur për të ndërhyrë në diçka, duke mos llogaritur pasojat. Më i freskët është rasti i Kukësit, ai i reagimit për pagesën e Rrugës së Kombit. Sot pagesa funksion për mrekulli, sikur mos kish ndodhur asgjë, një tregues se do ishte që në fillim kështu, nëse Rama – që për paradoks mbahet si njohës i thellë i psikologjisë shqiptare dhe mjeshtër në komunikim – shkon dhe gabon atje ku ka armën më të fortë. Ai preferon të flasë me gjuhën e ligjit, pikërisht atje ku kjo gjuhë hyn më pak në punë dhe me njerëz që ende nuk e kanë të instaluar në ndërgjegjse se çdo të thotë ligj, e jo më të jenë të ndjeshëm në zbatimin e tij. Këtu përfshihet dhe opozita, e cila marrëdhënien me të keqe në historinë e saj ka patur pikërisht atë më ligjin.
Prishja e ndërtimeve në Parkun Rinia ishte aksioni i parë i Ramës. E ka sjellë dhe këto ditë në kujtesë. Por nuk kanë të krahasuar. Atje ishte zonë luksi, ku do prisheshin lokale e jo shtëpi. Ndërkohë që dhe koha e konteksti ishin krejt tjetër. Opozita atëherë nuk doli në mbrojtje të mosprishjes.
Më pas do vinte një tjetër aksion, e që duhet kujtuar se ka qenë një prej tërhëqjeve të Ramës. Bëhet fjalë për prishjen e disa pallateve të El Sajedit. Pas përmbytjes së Tiranës nga Liqeni Artificial, doli në pah problematika e ndërtimeve mbi kolektor. Dhe, te zona e Tiranës së re, u konstatua se dy pallate të egjiptianit që kryesonte ndërtimet në Tiranë në ato kohë, ishin ngritur pikërisht mbi kolektor. Pra, do prisheshin për herë të parë dy pallate ku kishin blerë hyrje e jetonin me dhjetra familje. Reagimi i banorëve që i atillë se Rama u tërhoq.
Aksione të ngjashme për nga ndjeshmria sociale, apo dhe politike, nuk pati më. Ndërkohë, pas marrjes së pushtetit në 2013-ën, Rama dha sinjale se do ndërmerrte masa drastike në shumë sektorë, ku shumë kokëçarje do kishte. Pagimi i energjisë, detyrimet fiskale, futja në burg për çdo tullë pa leje, do ishin disa prej tyre. Disa ishin të realizueshme, pa rrezikun e reagimeve kolektive, por disa të tjera jo. Dy prej tyre ishin pagesa e Rrugës së Kombit dhe tashmë kjo e prishjes se afro 300 ndërtimeve te Unaza.
E para duhej të ishte mësim për të dytën. Rama ka një përvojë të gjatë në përballje me reagimet e njerëzve për çdo lloj aksioni me theks social, ndaj dhe duhej t’i ishte qasur me tjetër metodologji nga ajo e thjesht gjuhës së ftohtë ligjit, prishjes të dhjetra banesave, ku sigurisht, brenda tyre ka dhe kategori që duhen nxjerr fishek si abuzues.
Në një vend ku kultura e respektimit të ligjit është minimale, ku shteti nuk konsiderohet partner por armik, e ku përballë është një opozitë që ekziston vetëm për këto raste e asgjë tjetër, metoda po rezulton e gabuar. Një e llojit krejt tjetër, e bazuar në tjetër komunikim, tjetër formë joshjeje për të lënë shtëpitë, ndoshta do e kish vonuar në kohë projektin aq sa mund të vonohet tashmë siç po zhvillohen ngjarjet. Kjo vlen dhe për Teatrin. Vërtet ka një pjesë aktorësh e artistësh me emër që kmnë përqafuar të renë, por ka jo pak që ngulin këmbë si mushka të e vjetra. Si i bëhet? Edhe njëherë: në një vend ku as ligji, as shteti, e as qeveria – jo kjo realja, por qeverisja si nocion – nuk e gëzojnë prestigjin dhe autoritetin e duhur, rruga duhet të kalojë nga karta e komunikimit, qoftë dhe ai jo në publik.
Unaza e re, padyshim që është një gabim i Ramës, nëse në hartimin e projektit të Unazës, nuk është llogaritur se ai nis fillimisht në kokat e njerëzve. Nëse e gjitha kjo që po ndodh nuk është parashikuar nga Rama, pra është kapur gafil, si nga reagimi i banorëve e si nga sjellja e opozitës, kjo është një prej gabimeve të rënda në artin e politikës, meqë ai edhe politikën e jeton si art. /tesheshi.com/