Këto ditë, e veja e ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, Nexhmija, ka vendosur që të mbyll siparin e intervistave të dhëna në 25 vjet. Deklarimet e saj, më së shumti rrëfenja mbi të kaluarën, dhënë nga pozitat e një gruaje të degdisur në vetmi diku nga periferia e Tiranës, janë parë gjithnjë si diçka ekzotike.
Dhe po ashtu si gjithnjë, ato kanë provokuar dhe debat mbi faktin nëse kanë qenë me interes për publikun, gjithnjë me dyshimin se mos pas dëshirës gazetareske për ta intervistuar, është fshehur qëllimi i lig për ta rehabilituar figurën e saj.
Seria e intervistave të së vesë së Hoxhës nis që pas rënies së regjimit, sidomos nga media të huaja, të intensifikuara më shumë gjatë kohës kur ndaj saj, si dhe ndaj ish-krerëve të nomeklaturës, u ngritën akuza për abuzime dhe shpërdorime me pasurinë e shtetit; siç njihet ndryshe “gjygji i kafeve”.
Ky gjygj, që nisi që para ardhjes në pushtet të PD-së, e morri këtë llagap pikërisht nga fakti se shumë akuza të ngritura u përqëndruan tek kafetë e konsumuara në bllok, sesa te ndërtimi dhe ushtrimi i një pushteti kriminal, siç qe ai i diktaturës komuniste. Dhe një prej intervistave të para, është dhe ajo dhënë “Le evenemment dy jeudi”, botuar tek “Zëri i Rinisë” më 7 dhjetor 1991.
Në këtë intervistë, Nexhmie Hoxha hedh poshtë çdo akuzë, si për abuzim me pasurinë e shtetit e si për diktaturën e ushtruar nga i shoqi si një njeri në krye të një regjimi 50-vjeçar të egërt, ku madje të befason kur thotë se po të kish qenë gjallë, do kish qenë demokrat.
Por interesant është dhe një detaj, ku për të përligjur numrin e madh të kafeve të shpenzuara, përmend vizitat e Nënë Terezës tek ajo, por dhe të 10 mijë kosovarëve….
Pjesë të shkëputura nga intervista:
Thuhet se ju keni shpenzuar 36 milion lekë (të reja), ose 5 milion franga në 2 vjet. Kjo është një shumë e madhe…
E vërtetë është, por unë prisja shumë njerëz. Nënë Tereza p.sh. ka ardhur të më shohë tre herë dhe që nga muaji mars 10 mijë kosovarë kanë trokitur në derën time. E pra, unë nuk mund të mos iu ofroja një kafe. Por ja që një i ashtëquajtur komision hetimi na nxjerr një tog faturash të vjetra dhe ia nis një llogarie të ndyrë.
A mendoni se me ju është bërë padrejtësi?
Po. Mund ta kritikosh Enver Hoxhën, por nuk duhet sjellë në këtë mënyrë. Kjo nuk është demokratike. Kur vandalët rrëzuan statujën qava shumë. M’u duk se vdiq për herë të dytë. Mendoj se ky ishte një komplot i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Statuja ra në një gjysëm ore, me siguri gjatë natës dikush ka liruar bullonat mbajtës.
A dinit ju që regjimi praktikonte torturën dhe burgoste intelektualë?
Jo. Nuk arrij t’i besoj gjithë ato monstruozitete që lexoj nëpër gazetare. Ashtu siç për Stalinin janë vetëm shpifje. Edhe po të ishin të vërteta ai nuk kishte gisht në këtë punë.
Pra, ju mohoni se keni gabuar?
Ne kemi qenë ndoshta më shumë se ç’duhet idealistë, shumë romantikë gjithashtu. Kështu mendoj unë sot. Po, kemi gabuar pak. Pr a s’veproi si ne gjysma e botës? Nëse Enveri do ishte gjallë, ai do ishte për demokracinë. Por për demokracinë me rregull.
Përgatiti Ermir Hoxha – tesheshi.com