Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan la të kuptohet më 10 dhjetor se ai mund të kandidojë për president në vitin 2023 dhe ky do të ishte mandati i tij i fundit.
Erdogan tha se pas atij mandati, nëse fiton zgjedhjet, do t’ua “dorzojë stafetën rinisë”, shkruan RTCG.
Ndërsa zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të planifikuara për qershor 2023 afrohen, Erdogan, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2003, dhe Partia e tij konservatore për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) shpresojnë të ruajnë pushtetin.
Megjithatë, presidentit turk i duhet të përballet me shumë sfida, duke përfshirë inflacionin që ka arritur në 84.4 për qind. Në tetor, Erdogan përsëriti dëshirën e tij të kahershme për të përgatitur një Kushtetutë të re që do të ishte “demokratike, e thjeshtë dhe vizionare”.
Disa kritikë e shohin atë si një dëshirë për të ndryshuar kufirin e një maksimumi prej dy mandatesh presidenciale, siç përcaktohet në Kushtetutë aktuale. /tesheshi.com/