Si në rastin e çadrës së para dy viteve, kauza zgjodhore është bërë “fitili ndezës” i aksionit aktual opozitar, me kombinimin e aktit ekstrem të dorëzimit të mandateve, me atë të protestave, diku të dhunshme e diku thjesht të ashpra verbalisht, ku kjo e fundit përfshihet në një ligjërim nga më egërshanet në historinë e PD-së ndaj kundërshtarit politik. E jo thjesht pse është përmendur dhe “plumbi ballit” – një intervistë e Berishës në median italiane – realisht duket se ka mbetur vetëm plumbi, pasi me gjuhë kreu i mazhorancës është ekzekutuar me kohë, qyshse u shfaq në oborrin e politikës si faktor pushteti.
Shkak është bërë një dosje përgjimesh e kryebashkiakut Dako, ku ai komunikon me persona me profil problematik në zonën e Shijakut në një situatë post-zgjedhore, e që një pjesë e medias dhe e opozitës e përkthen si aferë për blerje votash. Komunikimi e implikon Dakon, por nuk ka “të dhëna të padiskutueshme” për blerje vote, si e sa. Megjthatë, merret i mirëqenë se fenomeni ekziston, dje dhe sot, e në emër të saj opozita kërkon të shkojë në zgjedhje të parakohshme me qeveri teknike.
Por po të kthehemi pak vite më parë, kur pozicionet politike ishin ndryshe, atmosfera ishte e njëjtë deri diku, ndoshta dhe më e tensionuar. PS në opozitë, e pati në katër vjet rresht si kauzë të saj betejën për votën, pasi u ndje e ndëshkuar në dy zgjedhje radhazi.
Në 2009-ën, ajo arriti të dalë kokë më kokë me PD-në në zgjedhje parlamentare, duke aluduar më vonë se ka patur manipulime votash. Dy muaj pas zgjedhjeve, Rama do shfaqej para publikut me një skemë të detajuar manipulimi, duke përfshirë dhe të gjithë kontigjentet kriminale të dalë nga burgu para zgjedhjeve. Së këndejmi, ai parashtroi kërkesën për hapjen e kutive në disa qendra votimi, me slloganin politik “Hap kutitë ose largohu”. Madje për Blushin, në emër të të qënit kundërshtar me Ramën në atë moment post-zgjedhor, ky sliogan ishte i butë. Sipas tij duhej të ish: “Hap kutitë dhe largohu!”.
Berisha nuk pranoi t’i hapte, edhe pse PS i kujtonte një marrëveshje zgjedhore të nënshkruar para zgjedhjeve, ku parashihej një kërkesë e tillë për hapje kutish atje ku kishte dyshime për manipulime. Opozita ecte me parimin se nuk i kërkonte pushtet, le ta vijonte mandatin e saj katërvjeçar, porse evidentimi i shkeljeve apo manipulimeve do ishte një ndihmë për të mos u përsëritur në raste të tjera. Megjithatë Berisha nuk pranonte asesi. Për të, zgjedhjet kishin mbarruar dhe kutitë nuk kishin pse hapeshin. Në këtë atmosferë acarimi politik, u arrit të provoheshin disa manipulime, edhe pse pa hapje kutish, siç simbol u bë fshati Ruzhdije në Fier.
PS shkoi deri në grevë urie, për të dalë prej saj me “ulje në tryezë” diktuar nga ndërkombëtarët, te Restorant Krokodili në Strasburg. As prej aty nuk doli asnjë zgjidhje. Kohë më vonë, Berisha do i jepte një tjetër goditje opozitës, në stilin e tij inatçor, duke i djegur kutitë me ç’kishin brenda krejt faqe botës, pa pyetur as për ndërkombëtarë, një gjest poshtërues ndaj opozitës. Megjithatë kjo e fundit nuk iu kthye më kauzës së kutive. Duke patur para zgjedhjet lokale, vendosi t’i trajtojë ato politikisht për ta goditur pushtetin vetëm me votë, sido dizavantazheve pikërisht te vota nga ajo përvojë ç’kishte lënë pas. Hyn në zgjedhje lokale pa asnjë marrëveshje apo garanci të marrë nga pushteti dhe fiton. Po, thjesht fiton me votë. Çështja ngec vetëm te Tirana. Pushtetit i interesonte vetëm që Rama të mos e rimerrte sërish Tiranën, një fitore që do e kishte riafirmuar si potencioal politik të pasfidueshëm. Do ishte mandati i katërt, ndërkohë që në të tretin kishte mundur rivalin më të fuqishëm të mazhorancës – Sokol Olldashin – në kushtet kur ky i fundit kishte dhe resursin e madh, atë të të qënit në pushtet.
PD e LSI përballë Ramës në Tiranë, duke përfshirë dhe komunistët e Hysni Milloshit. Kryesocialisti fiton me 10 vota diferencë pa asnjë kontestim momental. Por disa orë më vonë, PD kërkon…hapjen e kutive.
Për javë me radhë, do luhej teatri më spektakolar postzgjedhor në tranzicion. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, i rreshtuar qartazi politikisht, e që me vonë do shpërblehej me një mandat deputeti nga PD deri në emërimin si nr.2 i kësaj partie, udhëhoqi një proces ndryshimi rezultati që u vulos nga gjykata, mbi të gjitha me argument procedurial. PS merrte kështu goditjen e radhës, gjë që e detyroi të ndërmerrte akte të shëmtuara reagimi politik, siç qe një tentativë për të hyrë më forcë në KQZ, apo ajo e protestave në rrugë më djegie gomash. Megjithatë, pavarësisht goditjes, e sërish në votë, iu kthye një normaliteti politik; Rama e gëlltiti humbjen e Bashkisë dhe u vetfokusua si kryeministër i afërt, duke e ndërtuar të gjithë ligjërimin në këtë pikë, nisur që me “Kurban”-in, një aset i vyer elektoral.
Ishte një atmosferë e rëndë tensioni politik, jo aq për përplasje në terren, sesa për bindjen që mbizotëronte se Berisha ishte i vështirë të mundej në rrugë normale. E megjithatë, opozita nuk bënë përçapje për ta rrëzuar me aksione politike ekstreme, madje nuk kërkon as ndonjë ikje të Berishës, as ndonjë qeveri pa të për të shkuar në zgjedhje, e as ndonjë garanci nga pushteti në lidhje me to. Rama, me përvojën e Lokaleve, beson ende te vota, por sidomos te dimensioni i saj plebishitar, si një pamundësi për ta ndryshuar rezultatin. Ndaj vendos të riskojë duke bërë aleancë me LSI-në. Ekuacioni i del me sukses: Berisha rrëzohet…me votë!
U soll në kujtesë kjo kohë, me këto precedentë, për të sjellë në vëmendje faktin se flagranca me votën ka qenë ku e ku më e madhe kur PD ishte në pushtet e PS në opozitë, por që diferencën e bën rruga politike e zgjedhur. PS i vjen në ndihmë në këtë rast PD-së, duke i thënë që edhe pse nuk beson te vota – siç dhe ajo ka patur të drejtë të dyshojë – duhet të besojë nëse e kombinon me inteligjencën politike. LSI-në e ka në krah e nuk është nevoja për pakt me të. I mbetet vetëm të bindë popullin se është më vizionare e më e aftë të qeverisë. Por kjo është dhe pika më e dobët, ose handikapi më i madh i opozitës. E përqëndruar te akuza, ajo ka lënë pas ofertën. Ndërsa te PS, te strategjia e Ramës në opozitë, dyvjeçari 2011-2013, ishte më shumë ofertë dhe më pak akuzë. Eshtë rregull psikologjik i provuar dhe në historinë politike: oferta është më impaktive se akuza. A nuk i mjafton PD-së leksioni KOP, që ishte fitorja e ofertës mbi akuzën!
Ishte koha kur erdhi në pushtet me 7 përqind rritje ekonomike…nga Nano! /tesheshi.com/