Ka një të mirë Kosova, që të paktën nuk rrezikohet nga tërmete, nga ato të cilat rrëzojnë e rrafshojnë prej lëkundjeve të tokës, e që padyshim marrin dhe jetë njerëzish me shumicë. Pra, deri më tani, janë vetëm tërmetet politike ato që nuk e lënë të qetë Kosovën.
Shemsi Mustafa, kreu i Rrjetit Sizmologjik të Kosovës, në një intervistë për tesheshi.com thotë se në 50 vite në Kosovë, mund të ndodh një tërmet me magnitude 6.0 shkallë të riterit, kurse në 100 vite, një tërmet me magnitude 6.5 shkallë të riterit.
Në këtë intervistë ai ka renditur dhe tërmetet më të fuqishëm që kanë goditur Kosovën, duke siguruar njehërësh që vendi gjithsesi nuk kërcënohet prej tyre deri faza tragjedie…
Intervistoi: Blendi Gashi
Shqipëria ditëve të fundit është goditur nga disa termete. Po Kosova , aa rrezikon të goditet nga tërmetet? Në veçanti a rrezikohemi nga ndonjë tërmet i llojit siç ndodhi pas luftës në qytetin e Gjilanit dhe ku radhitet Kosova me vendet në regjion në aspektin e lëvizjeve sizmike?
Territori i Kosovës në aspektin sizmotektonik përfaqëson një terren aktiv, të dhënat për tërmetet nga e kaluara dëshmojnë qartë se dukuria e tërmeteve te forta në disa pjesë të territorit të Kosovës ka qenë evidente shumë herët dhe në bazë të këtyre ngjarjeve sizmike në të kaluaren, Kosova zë vend në zonën me aktivitet sizmik. Bazuar në Hartën e rrezikut sizmik për Kosovë që jap disa të dhëna për tërmetet për periudha kthyese, pra në Kosovë nuk priten tërmete katastrofike, sipas hartës se rrezikut sizmik për një periudhë kthyese 50 vite mund të ndodh një termet me magnitud deri 6.0 shkallë te riterit, kurse për një periudhë kthyese 100 vite mund të ndodh një termet me magnitud deri 6.1-6.5 shkallë te riterit kështu që në ketë fuqi të këtij lloji të tërmetit e quajmë si tërmet i fuqishëm.
Sipas historikut të tërmeteve në Kosovë, cilat prej tyre kishit me i veçuar si më të njohurit, kur kanë ndodhur dhe cilat kanë qenë pasojat?
Të dhënat e mëhershme janë të pakta. Ndër tërmetet më të fuqishëm që kanë goditur Kosovën mund të përmëndim:
Tërmeti i Prizrenit, 16 Qershor 1456 (MS=6.0; 42.200oN, 20.700oE) me intensitet në epiqendër 8 ballë (Sulstarova, 2005),
Tërmeti i Pejës, 11 Nëntor 1662 (MË=6.0; 42.700oN; 20.300oE) me intensitet në epiqendër 8 ballë (Sulstarova, 2005; Papazachos et al. 2000),
Tërmeti i Ferizaj-Vitisë, 10 Gusht 1921 (ML=6.1; 42.300oN; 21.300oE) me intensitet në epiqendër 9 ballë (Elezaj, 2002),
Tërmeti i Vitisë, 15 Gusht Maj 1921 (MË=5.4; 42020’ N, 21020’ E) me intensitet në epiqendër 8 ballë (SO Skopje, D. Hadzievski).
Tërmeti i Gjilanit, 02 Shtator 1921 (MË = 5.0; 42024’ N, 21030’ E) me intensitet në epiqendër 8 ballë (SO Skopje, D. Hadzievski).
Tërmeti Kaçanik-Viti 03 Tetor 1921 (MË = 5.6; 42020’ N, 21020’ E) me intensitet në epiqendër 8 ballë (SO Skopje, D. Hadzievski).
Tërmeti i Gjakovës, 03 Shtator 1922 (MË = 5.3; 42025’ N, 21025’ E) me intensitet në epiqendër 7-1|2 ballë (SO Skopje, D. Hadzievski).
Tërmeti i Prizrenit, 26 Shtator 1945 (MË = 5.0; 42015’ N, 21045’ E) me intensitet në epiqendër 7 ballë (SO Skopje, D. Hadzievski).
Tërmeti i Klinës, 05 Shkurt 1947 (MË = 5.2; 42030’ N, 20045’ E) me intensitet në epiqendër 8 ballë (SO Skopje, D. Hadzievski).
Tërmeti i Kopaonikut, 18 Maj 1980 (MË=5.7; 43.307oN; 20.867oE) me intensitet në epiqendër 8 ballë (Harvard University, SO Skopje, D. Hadzievski),
Tërmeti i Gjilanit, 24 Prill 2002 (MË=5.7; 42.440 °N, 21.590° E), me intensitet në epiqendër 8 ballë (ISC 2002, Elezaj 2002).
Tërmeti i Istogut, 10 Mars 2010 (MË = 5.2; 42.763440N, 20.628110E) me intensitet në epiqendër 7 ballë (SIK Sh.Mustafa, N. Hasi 2010).
Tërmeti i Vushtrrisë, 18 Nëntor 2013 (MË =4,8; 42.9 N; 21.014 E) me intensitet në epiqendër 61|2 ballë (SHGJK Sh, Mustafa, 2013)
Në territorin e Kosovës janë tri zona me aktivitet sizmik më të lartë:
Zona Istog-Peje-Prizren
Zona Ferizaj-Viti-Gjilan
Zona e Leposaviqit pra pjesën veriore te Kosovës
Sa është funksional dhe i përgatitur teknikisht Agjencioni Sizmologjik i Kosovës në përcjelljen e lëvizjeve sizmike në tërë vendin?
Në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Shërbimit Gjeologjik të Kosovës vepron Rrjeti Sizmologjik i Kosovës i cili ëshë ndërtua dhe ka fillua me punë më 06.07.2008. Rrjeti Sizmologjik bënë monitorimin e ngjarjeve sizmike për territorin e Kosovës dhe për tërë rajonin. Ne kuadër të rrjetit kemi 6 stacione sizmike në regjione sipas një forme gjometrike që të përfshihet mirë i tërë territori ynë dhe ato janë: në Smrekonicë-Vushtrri, Zatra-Pejë, Germi-Prishtinë, Livoc-Gjilan, Zatriq-Rahovec dhe në Prizren me pajisje të teknologjisë më të re Geotech.
Jemi anëtarë në EMSC(Qendra Euromediterane Sizmike-Francë) dhe jemi të obliguar si të gjitha institutet sizmike Europiane menjëherë që ndodh tërmeti ti dergojm të dhënat në EMSC dhe pasi i merr të dhënat kjo qendër e plason lajmin për tërmetin.
Fig.1 Rrjeti Sizmik dhe fig.2 regjistrimi i një ngjarje sizmike
Programi Seiscomp3, funksionimi i këtij programi gjatë monitorimit të ngjarjeve sizmike regjistrimi i një tërmeti.
A është bërë mjaftueshëm në vetëdijesimin e qytetarëve dhe përgatitjen e tyre në aspektin e preventives dhe ballafaqimit eventual me pasojat e ndonjë tërmeti me intensitet më të lartë rrezikshmërie?
Shkalla e rrezikshmërisë varet edhe nga vetë qyetarët, se sa janë të përgatitur për fatkeqësitë natyrore, sepse tërmeti është një fenomen natyror që ndodh pa paralajmërim, me një fjalë, nuk mund të ndalen. Mund të zvogëlohen apo të reduktohen dëmet nga fatkeqësitë natyrore duke i respektuar të gjithë parametrat e dalura nga Rrjeti Sizmik për territorin e Kosovës si kritere për ndërtime të larta.
Rrjeti Sizmologjik është i hapur për të gjitha institucionet, kompanitë e ndryshme të ndërtimit dhe qytetarët që kanë qasje për informacionet lidhur me rrezikshmërinë(Riskun) nga tërmetet. Deri më tani të gjithë ata të cilët kanë patur interesin për informacione mbi rrezikshmërinë e tërmeteve, i kanë marrë përgjigjet me të dhënat reale.
Në Prishtinë si edhe tërë Kosovën ndërtohen objekte të mëdha banimi në shumë raste pa u përfillur masat mbrojtëse dhe të qëndrueshmërisë statike ndaj tërmeteve. Cilat masa duhet marrë në këtë drejtim?
Shumë të pakta janë objektet që kanë studimin mikrosizmik, kanë disa studime gjeomekanike por ato nuk mjaftojnë për objektet të larta dhe objektet kolektive, që është kompetencë e komunave ta zbatojnë ligjin e ndërtimit.
Studimet mikrosizmike, kryesisht bëhen për zhvillimin e zonave të reja urbane, por bëhen edhe për ato zona të cilat janë zhvilluar paraprakisht pa studime të mirëfillta sizmike, me qëllim të vlerësimit të stabilitetit dhe riskut sizmik të ndërtesave në këto zona. Masat që duhet marr është: përcaktimi parametrave të stabilitetit të strukturave, fillimisht duhet njohur shkaktari – tërmeti, e kjo bëhet në rradhë të parë përmes studimeve mikrosizmike të zonave ndërtimore apo zonave urbane.
Studimet mikrosizmike të zonave japin informatat mbi:
Prishjet tektonike që mund të gjenden në atë zonë apo edhe zonat përreth;
Përbërjen gjeologjike të depoziteve të dheut mbi shtresat shkëmbore;
Karakteristikat gjeoteknike statike dhe dinamike të masës së depozitit;
Mënyrën e përhapjes dhe reflektimit të valëve sizmike;
Parametrat dinamik të shtresave të dheut (periodat/frekuencat dominante të lëkundjeve, shuarjen dhe format e lëkundjeve);
Më pas studimet gjeomekanike, që duhet të përfshijnë trajtimin e sjelljes dinamike të dherave, e si rezultat projektuesve, krahas aftësisë mbajtëse të dherave në kushte statike, tu ipet edhe aftësia mbajtëse e bazamentit në kushte tërmeti, kjo me qëllim të dimensionimit adekuat të strukturave të themeleve në rradhë të parë e më pas edhe pjesës tjetër të ngritur.
Për fund, cili është mesazhi i juaj për qytetarët që frikësohen nga tërmetet?
Mesazhi im për qytetarët është: Nuk ka vend për panik.
Nuk duhet me ra pre e fjalëve të rrugëve që krijojnë panik, është institucioni ku duhet me u drejtuar për informacione,
Çdo familje duhet të ketë rezerva ujit të pijshëm dhe ushqimit për 2-3 ditë, një mjet ndriques(bateri) dhe një broshur sqarimi si të mbrohemi nga fatkeqesit natyrore.
Në rast tërmeti, largimi nga vendet që janë me rrezik brenda dhome, siç janë objekte të varura për mure mund të shkaktojnë pasoja në njerëz, jo përdorimi i ashensorve, larg zjarrit apo mjeteve me zjarre, pasi të ndalen dridhjet në mënyrë të organizuar dhe të sigurt pa panik të largohen nga objekti në një vend më të sigurt, sepse çdo herë pas një tërmeti mund të ndodhin pasgoditje që janë me rrezik të madh, tu ndihmohet familjeve me fëmij të vogël, të moshuarve që në mënyre të sigurt të dalin nga objektet, të komunikojnë njëri me tjetrin deri sa të janë të sigurt që nuk ka mbet askush brenda objektit. /tesheshi.com/