Laszlo Toroczkai është kryetari i bashkisë në qytetin Asotthalom, i cili ndodhet në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë. Nëse jeni një emigrant apo refugjat që kërkoni të hyni në territorin e tij, paçi fat! Ai ka dalë t’ju presë!
Në një video të publikuar në Youtube, Toroczkai, një politikan i të djathtës ekstreme, me një prerje flokësh shkurt, jep një paralajmërim për ata që kërkojnë të kalojnë kufirin ilegalisht. Çdo refugjat që do të dëmtojë gardhin në kufi apo kërkon të kalojë në kundërshtim më ligjin, do të ndiqet penalisht dhe si pasojë do t’i nënshtrohet dënimeve, përfshirë edhe burgosjen.
Mesazhi është i thjeshtë; është i njëjti me atë që i ka bërë jehonë vetë kryeministri i Hungarisë Viktor Orban drejtuar dhjetëra mijëra refugjatëve sirianë dhe emigrantëve të tjerë që po kërkojnë të hyjnë në Bashkimin Europian këtë vit: Mos ejani!
“Hungaria është një zgjedhje e keqe,” thotë ai nga fundi i videos. “Assothalom është zgjidhja më e keqe.”
Videoja i ngjan një filmi aksion, me skena ku shfaqet policia e qytetit të Assothalom-it dhe forcat paraushtarake, të gjitha në gatishmëri. Burra me muskuj që patrullojnë sipër kuajve, disa të tjerë me helikopterë, ndërsa poshtë nëpër rrugët plot baltë disa burra me motora. Videoja mbaron me një pamje panoramike të krye bashkiakut që qëndron përballë A-Team-it të tij, në gatishmëri për të penguar çdo refugjat.
Videoja, në një farë mase, tregon qëndrimet e disa qeverive të Europës Lindore në lidhje me fluksin e refugjatëve dhe azilkërkuesve gjatë këtij viti. Kryeministri Orhan e ka parë ardhjen e numrit të madh të refugjatëve sirianë si një sfidë për qytetërimin dhe kulturën e krishterë të Hungarisë – një pretendim ky i dyshimtë duke marrë parasysh kërkesat e papa Françeskut.
Një parodi e kësaj videoje, e ngarkuar këtu, e krahason atë me skenat e filmit hollywood-ian “”Jurassic World.”
Toroczkai është një figurë kryesore e 64 Counties Youth Movement, (Lëvizja e të Rinjë 64 Njësitë), një organizatë politike ultra-nacionaliste e ndikuar nga partia Jobbik, e njohur ndryshe si “Lëvizja për një Hungari më të mirë”. Anëtarët e saj besojnë në ribërjen e “Hungarisë së Madhe” në kufijtë e saj përpara Luftës së Parë Botërore dhe rënies së perandorisë Austro-Hungareze.
Këto pikëpamjet politike e kanë futur atë në telashe edhe më herët. Në vitin 2008, Torockai mbajti një fjalim në një qytet në veri të Serbisë me minoritet të madh hungarez. Për këtë arsye ai u rrah nga pesë serb, nga ku doli me një dhëmb të humbur dhe disa brinjë të thyera.
Autoritete e çuan në spital e më pas në një rajon policie. Pasi u lirua, atij iu ndalua hyrja në Serbi për dy vjet. /tesheshi.com/