Kryebashkiaku demokrat i Lezhës, Fran Frrokaj, ishte i pranishëm në takimin e kryeministrit Edi Rama në këtë qytet, ku u diskutua mbi buxhetin e vitit të ardhshëm.
Frrokaj u shpreh se do t’i mbështeste projektet e qeverisë, pavarësisht bindjes së tij politike. Madje ai nuk nguroi të thumbojë kryeministrin, kur tha se do të dëshironte, që në vendin e tij të ishte Lulzim Basha.
“Unë do të mbështes në projektet që ke, nuk do e bëj si ajo shprehja; për inat të vjehrrës, shkova me mullixhiun. Do doja që në vendin tuaj të ishte Basha, por shqiptarët e bënë zgjedhjen e tyre”, tha Fran Frrokaj.
Në vijim, kryebashkiaku tha se do të mbështeste projektet që Rama po prezantonte, ndërsa parashtroi disa kërkesa në lidhje me rritjen e investimeve në bashkinë e Lezhës.
Rama ka premtuar se këtë mandat qeverisës do të realizohet plotësimi i segmentit Milot-Lezhë dhe do të nisë puna për rrugën lidhëse Shëngjin-Velipojë, e rëndësishme për turizmin.
“Sot jemi me rritjen ekonomike 4 për qind, por që të ndihet tek familjet duhet të arrijë në 5 për qind dhe ne jemi të sigurt se deri në vitin e fundit të mandatit do ta arrijmë përmes investimeve”, ka thënë Rama. /tesheshi.com/