Ajo që po ndodh prej ditësh në Kuvendin maqedonas mund të çojë në një precedent të pazakontë politik. Burime partiake nga forcat përballë VMRO-së, i thanë tesheshi.com se ekziston një plan që kreu i Kuvendit, ai që nuk po zgjidhet dot në një varg seancash konstituitive, si dhe qeveria e re po ashtu, të mbyllen si çështje jashtë Kuvendit.
Ky i fundit po llogaritet si i bllokuar nga VMRO, që ka në krye njeriun e saj, Trajko Veljanovksi.
Akti i tij i fundit ishte refuzimi për të futur në rendin e ditës zgjedhjet e pasardhësit, kërkesë kjo si e deputetëve të LSDM-së ashtu dhe atyre të partive shqiptare. Për këtë arsye, Veljanovksi u sulmua ashpër me fjalë nga Enes Ibrahimi, deputet i partisë së Zaevit. Deputeti shqiptar e quajti puçist kreun e Kuvendit maqedonas, duke e akuzuar si shkelës i rregullores.
Por në terma juridikë nuk dihet ende se si mund të ndodhë që shteti të marrë formë ligjore jashtë Kuvendit, në rastin konkret me kryetarin e ri dhe qeverinë e re. /tesheshi.com/