Presidenti Meta i ka kaluar tanget krizës së rëndë politike, duke preferuar të japë mesazhe nga pozita më shumë “klerikale”. I ndodhur në Lezhë në kuadër të ditës së dytë të Samitit të Diasporës, në përvjetorin e Kuvendit të Lezhës, kreu i shtetit ju qas përplasjes së thellë mes forcave politike me tezat morale të së ndjerës Nënë Terezë.
“Uroj që ky Kuvend i Lezhës për mesazhin që na ka sjellë nga thellësia e historisë, që në kohët më të vështira na ka ndihmuar të gjithëve për reflektim, të na ndihmojë edhe ne këtu, për t’u ngritur mbi interesat afatshkurtra dhe të ngushta për t’i thënë një ‘Po’ të fortë rrugës europiane të Shqipërisë.
Duhet të jemi pak më të dashur me njëri-tjetrin dhe ta gjykojmë më pak. Për këtë do të na ndihmonte thënia e Nënë Terezës se “po t’i gjykojmë të tjerët pa fund, nuk do të na mbetet kohë për t’i dashur ata’. Kjo është rruga e suksesit. Vetëm duke qenë të bashkuar mund të ecim përpara”, tha Meta.
Edhe pse me qëndrimet të ashpra deri para pak kohe me Ramën, në rastin e lëvizjeve në qeveri, presidenti po qëndron paksa larg krizës aktuale. /tesheshi.com/