Që nga mbrëmja e së enjtes, politika në Shqipëri prodhoi një tjetër maskaradë, nga më të ulëtat, por që çuditërisht u kalua si një normalitet, e që ishte sajesa e një flirti të supozuar, me një tendencë të qartë politike, që kishte në qendër raportuesin Knut Fleckenstein, por që prej saj e pësoi, më shumë se një politikane, një grua, një bashkëshorte, një nënë fëmijsh: Majlinda Bregu. Bëhet fjalë për një emër që mundet të mos jesh politikisht me të, me qëndrimet e saj, por që nga pikëpamja etike, referuar ligjërimit dhe komunikimit, politik apo njerëzor, ka qenë e mbetet një model normaliteti.
Dhe nuk është se linçimi i saj moral, me një paskrupullsi të frikshme, u bë nga nivele të ulëta militantësh, të cilët falë rrjeteve sociale gëlojnë në moçalishten e komunikimit që kanë krijuar këto rrjete; jo, ajo u iniciua në një studio televizive nga Berisha, njeriu për të cilin sot ekziston vetëm një dilemë e mund të bëhet vetëm një pyetje: ka dhe deri ku e ka, limitin moral? Pra, a ka një kufi ku t’i mund të thuash: këtë e bën, ama këtë jo? Është njeriu që kur i janë përmendur fëmijët në parlament, ndonëse jo për moral, ka shpërthyer me gjithë të drejtën e prindit ndaj kundërshtarëve, për më tepër me një fjalor që ka patur atentatin moral.
Dhe, në një studio televizive, nëse do ishte vërtet përballë një gazetarie që ka një fill moral në ushtrimin e profesionit, sapo ofroi shpjegimin (a)moral të qëndrimeve të Fleckensteinit, ku viktimë më pas do binte një grua nga partia e tij, apo ish-qeverisja gjithashtu, një nënë që pak vite më parë do i uronte dhe sjelljen e një fëmijë në jetë në rrethanat e të qenit një ministre, ai emision televiziv, ajo intervistë duhej të ishte ndalur në çast. Por kjo është e paimagjinueshme në një vend si ky i yni, ku amoralieti shoqëror, në çdo nivel, i reflektuar më së shumti në politikë e media, ka prekur fundin.
Ç’lloj opozite është kjo, e cila ndërsa çirret për të drejta e dinjitet, ofrohet si shpëtimtare e tyre, mu prej saj, prej mënyrës se si bën politikë, se ç’gjuhë zgjedh, ç’mjete lufte, se ç’formë e ç’skemë, arrin deri aty sa ta çnderojë pa asnjë vraje ndërgjegjeje për më tepër një ish-emër të saj, me delikatesën e të qënit një grua, e që së paku prej gjuhës së saj, politika e gjindja kanë qenë rehat.
Nuk vlen asnjë debat politik në Shqipëri, nëse më parë nuk ka një debat etik. E ajo ndodhi çfarë për orë të tëra në mediat pranë opozitës e rrjete sociale, deri dhe nga njerëz me ish-përgjegjësi politike nga radhët e saj – pra, përfolja morale e gruas së një burri dhe e një nëne fëmijësh – duhej të ishte temë-debati në ca emisione të mbrëmjes, me prirje denoncuese ndaj kësaj maskarade, por aspak; avazi vijoi të qe po ai: duhej apo jo të rrëzohej Rama, ka të drejtë apo jo opozita në kërkesat e saj…ja ky është fundi! /tesheshi.com/