Nga Mensur Krasniqi
Kaluan dy javë nga debati i partive politike në seancën konstituive të Kuvendit të Maqedonisë dhe assesi të gjendet një zgjidhje për emërimin e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re. Gjatë kësaj periudhe jemi ëshmitarë të një teatri politik ndërmjet deputetëve të VMRO-DPMNE-së, të cilët me fjalime dhe replikime bllokojnë zhvillimin e rrjedhshëm të pikave të rendit të ditës, me qëllim pamundësimin e krijimit të një qeverie të re, pjesë e së cilës nuk do jenë ato por një shumicë e re parlamentare me LSDM-në, BDI-në dhe Aleancën për Shqiptarët. Kryetemë dhe pengesë kryesore për një qeveri të re, sipas deputetëve të VMRO-së, është gjoja se “Platforma e Tiranës” e cila sipas tyre cenon integritetin dhe sovranitetin shtetëror. Nga ana tjetër, LSDM vlerëson se pikërisht kriminaliteti dhe përgjegjësia penale të cilët duhet ta vuajnë lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski dhe grupi i tij, është brenga më e madhe e tyre dhe asgjë tjetër.
Mirëpo parashtrohet pyetja se cili ishte dhe çfarë duhet të jetë roli dhe pozicioni i partive shqiptare gjatë kësaj periudhe?!
Për këto portali tesheshi.com ka marrë në pyetje ekspertin juridiko-politik, Mersim Maksuti dhe politikologun Abdylvehab Ejupi.
Sipas Maksutit, roli i partive shqiptare në kuvend duhet të jetë më përcaktues, më i qartë dhe më vendosës lidhur me debllokimin e ngërçit politik në këtë vend.
“Ato duhet të demonstrojnë fuqinë e tyre politike më bindshëm si një faktor real i zhvillimit të proceseve politike dhe jo të shndërrohen në vëzhgues pasiv ngase në fund druaj se kjo do përfundoj në dëm të tyre duke paguar kosto politike dhe nacionale, siq shpesh herë një gjë e tillë ka ndodhë deri më sot!”, tgha Maksuti për tesheshi.com.
Nga ana tjetër, Ejupi vlerëson se bllokimi i Kuvendit të Maqedonisë si institucioni më i lartë në shtet, tashmë fatkeqësisht është shndërruar në një traditë që thellon edhe më gjërë krizën e gjithanshme institucionale, që fuqishëm pasqyrohet edhe në gjitha poret e jetës shoqërore veçanërisht në marrëdhëniet ndëretnike dhe në ekonomi. Megjithatë sipas tij, LSDM duhet të angazhohet më guximshëm që të gjejë një zgjidhje të këtij ngërçi politik.
“VMRO-ja me asnjë kusht nuk lejon zhbllokimin e punës së Kuvendit, për më tepër ajo ka angazhuar të gjithë arsenalin që ka në dispozicion për këtë qëllim që nga procedurat ligjore e deri tek protestuesit në rrugët para Qeverisë dhe Parlamentit. E gjithë kjo në “mbrojtje” të unitaritetit të shtetit dhe kundër deklaratës së Tiranës që “rrezikon” atë unitaritet. LSDM nga ana tjetër me marrjen edhe të mbështetjes së deputetëve shqiptarë për shumicë parlamentare, e që tanimë me 67 ka atë, duhet të jetë më e guximshme që të gjen zgjidhje të këtijë ngërçi”, deklaroi për tesheshi, Abdylvehab Ejupi.
Ndërsa sa i përket partive shqiptare, në përjashtim të BDI-së e cila është edhe kyçe, ai mendon se partitë tjera kanë luajtur një rol konstruktiv në suaza të hapësirës dhe mundësive që kanë patur.
“Sa i përket zhbllokimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, pra kthimi i normalitetit institucional mendoj që çelësi është tek BDI, e cila duhet ti japë fund hipokrizisë dhe akrobacioneve të shumta të saj dhe ta lëshon qeverinë me VMRO, kështu ti tërheq ministrat e vet, bllokon parlamentin dhe ta detyron presidentin e shtetit që ta ndanë mandatin partisë që ka shumicën parlamentare. Fatkeqësisht BDI e gjendur nën hipoteka dhe krime të shumta, nuk besoj që do ta bën këtë, sepse normalizimi i institucioneve don të thotë vazhdim mandati PSP-së, e kjo hetim dhe gjykim të gjithë fajtorëve për dështimin, vrasjet dhe vjedhjet e bëra brenda këtyre viteve qeverisje, ku gjithnjë aty ka qenë vet BDI”, shtoi Abdylvehab Ejupi.
Kujtojmë se nga dita e sodit në Maqedoni kanë filluar festat fetare të maqedonasve të cilat do të zgjasin deri ditën e martë. Duke përfshirë edhe ditën e sodit, me këtë nënkuptohet se Kuvendi i Maqedonisë do të pushojë thuajse një javë të plotë, dhe situata politike do të ngelet në status quo-në e deritanishme. /tesheshi.com/