Kreut të LDK-së, Isa Mustafa, nuk i ka pëlqyer një kritikë e kryeministrit Haradinaj në adresë të partive kryesore, përfshirë dhe LDK-në, duke i cilësuar si “të dobëta përballë kushteve serbe”, referuar heqjes së taksës.
Për z. Mustafa, Haradinaj më kot përpiqet të bëjë viktimën në këtë rast.
“Deklarata e sotme e Kryeministrit Haradinaj me të cilën mua dhe LDK-në i fut ne nje kazan me z. Thaçin, z. Veselin e tjerë dhe në korelacion me Serbinë, është jokorrekte, e pasaktë dhe përngjan në fushatë.
Edhe po deshi Kryeministri Haradinaj, nuk behem bashk me Thaçin dhe Veselin. Nuk bëhem bashk as me z. Haradinaj me mënyrën e të qeverisurit të tij!
Qendrimet e LDK-së janë të qarta, nuk pranojmë dialog për kufijtë, për territorin dhe për shtetësinë e shpallur më 17 shkurt 2008.
Taksën e ka sjellë Qeveria me direktiva të z. Veseli: ju e keni bërë, ju vendosni çfarë të bëni me te. Ju jeni koalicioni qeverisës, LDK është opozita juaj. Jeni në pushtet dhe mos e luani rolin e viktimës.
LDK do të kultivojë miqësi të përhershme me SHBA-të. Për këtë nuk e pyesim askënd”, shkroi Mustafa në FB. /tesheshi.com/