Nga Bardha Nergjoni
Një ndër emërimet e para të Ramës sapo erdhi në pushtet, ishte ajo e Gjet Ndojit në krye të Arkivit Qendror të Shtetit, ku zëvëndësoi znj. Nevila Nika.
Ai drejtonte një parti të vogël, me peshë tejet minimale për aleancën e majtë, e megjithatë mori një pozicion mjaft të lakmuar, sidomos nga studiuesit. Ndoj pati jo pak përplasje edhe me paraardhësen e tij, Nevila Nika. E tashmë që kjo fortunë duket se është zbehur, Ndoj komenton arsyet e këtij sulmi që sipas tij i është bërë jo vetëm nga opozita, por edhe nga qarqe të caktuara që humbën mundësinë e aksesit dhe të manipulimit të dokumenteve të rëndësishme që ndodhen në Arkivën e Shtetit.
Edhe pse nuk e përmend nominalisht, Ndoji e quan një shkelje publikimin e dokumenteve që kanë qarkulluar në shtypin e shkruar mbi diktatorin Enver Hoxha, si dhe për emra të tjerë që sipas tij janë cënuar pasi janë prekur dokumente të klasifikuara. Ai shpjegon se ka ndërmarrë një sërë hapash për ndryshimin e metodës së punës së deritanishme dhe po kështu klasifikon edhe arritje konkrete nën drejtimin e tij, siç është sjellja e regjistrave osmanë në AQSH. Në një intervistë tesheshi.com, Gjet Ndoj flet për atë çfarë ka ndryshuar pas gati 3 vjetësh nga emërimi i tij në këtë pozicion.
Ndoj, opozita ju ka sulmuar qysh në ditët e para të emërimit tuaj në krye të Arkivës së Shtetit duke ju quajtur, i inkriminuar, ish-efektiv i shkarkuar etj. Çfarë komenti keni për këto akuza?
Opozita dhe zëra të tjerë jo të opozitës kanë diskutuar statusin tim dhe pozicionin tim në raport me ligjin duke më quajtur person me rekorde kriminale. Kjo është një farsë, është një tentativë për të hedhur baltë mbi institucionin që unë përfaqësoj dhe ka ardhur me motiv politik, por në radhë të parë e sajuar nga lëvizje interesash, që nuk e kanë më aksesin për të abuzuar dhe mundësinë për t’i rënë kryq e tërthor arkivave të klasifikuara si sekret shtetëror, apo dokumenteve të tjera që kanë të bëjnë me ruajtjen e privatësisë së individit apo të familjeve; janë persona që kanë fabrikuar gjithë këtë farsë sepse tani e kanë humbur shansin për të bërë manipulime në dokumentacionin që disponojmë në këtë vendruajtje.
Bëhet fjalë për fletë ditari të ish-diktatorit?
Për këdo individ publik për të cilin janë publikuar dokumente të klasifikuara. Nuk mund të shkelet ligji qoftë edhe për diktatorin apo njerëz të tjerë.
Për t’ju përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë pyetjes tuaj, për të mësuar të vërtetën opinioni publik e ka mundësinë pasi ligji për dekriminalizimin është një ligj i cili më bën shumë nder mua dhe për të gjithë ata që ka pasur përpjekje për t’i baltosur me fallsitete të tilla. Unë në jetën time nuk mbaj mend që të kem qenë ndonjëherë para një polici apo prokurori. Pra, jo vetëm që formalisht nuk kam pasur shkelje por për shkak të detyrës kam certifikatën e sigurisë nga DSIK. Kjo çertifikatë pasi merren burime shteruese nga të gjitha shërbimet shtetërore dhe të policisë veç konfirmimeve të karakterit formal si Prokuroria, Gjykata, etj. garanton pastërtinë e figurës sime.
Ju kanë akuzuar gjithashtu që nuk keni formimin e duhur për këtë pozicion. Cila është karriera juaj para këtij posti?
Për të denigruar këtë institucion kanë thënë edhe se në krye të këtij institucioni ka ardhur një polic. Edukimi im bazë është në fushën e historisë dhe gjeografisë 1984-1988. Kam dhënë mësim në gjimnaz nga viti 1988 deri në vitin 1992. Kam kaluar në polici dhe jo si efektiv i thjeshtë, por kam qenë drejtues në Kukës, në Elbasan si shef komisariati, siç dhe kam shërbyer në drejtorinë e personel organizimit në Ministrinë e Brendshme. Kjo pjesë e karrierës nuk është një pengesë por është një vlerë e shtuar për ta menaxhuar këtë institucion.
Keni akuzuar për abuzim me dokumentacionin sekret apo personal të Arkivës së Shtetit. Keni prova për këtë akuzë?
Ka prova. I keni parë edhe ju dokumente nga arkiva të publikohen në media të cilat kanë të bëjnë me jetën personale të njerëzve publikë, qoftë ata të kohës së diktaturës qoftë të kohëve të sotme. I keni parë në media të shkruar veçanërisht dhe kjo është lejuar. Pra është prekur ajo çfarë ligji e ndalon. Së shpejti do të ketë edhe çështje të abuzimit dhe zhdukjes së dokumentacionit me të cilat do të merren organet përgjegjëse të hetimit.
Si kanë qenë muajt e parë në këtë pozicion? Cfarë ka ndryshuar në institucionin më të rëndësishëm të dokumenteve shtetërore pas emërimit tuaj?
Qysh kur jam vendosur në krye të këtij institucioni kaq të rëndësishëm, kam përcaktuar disa prioritete dhe konkretisht prioriteti i parë ka qenë ruajtja e asaj pasurie arkivore që ekziston. Pra, forcimi i sistemit të ruajtës nga abuzimi hipotetik të fondit pasi në të shkuarën ka raste kur kanë dëmtuar fondin arkivor. Po kështu janë marrë masa për agjentët atmosferikë apo elementë të tjerë nga rrezikohet arkivi.
Hapi i dytë ka qenë inventarizimi i fondeve arkivore. Shumë fonde arkivore veçanërisht fondi i fototekës janë fonde mjaft të pasura por të pasistemuara. Duke qenë të tilla ka pasur mundësi abuzimi me to. Në mënyrën më urgjente në kuadër të forcimit të sistemit të ruajtjes është proceduar me përpunimin e fondit që nuk ishte i sistemuar. Veç fondit të fotografive i pa inventarizuar ishte edhe fondi i vulave, mbi 4 mijë të tilla që tashmë janë sistemuar.
Një nga fondet e risistemuara është Fondi i Qeverisë së Vlorës, i cili është kthyer në gjendjen e mëparshme. Gjatë kthimit në këtë gjëndje kemi konstatuar mungesën e disa prej dokumenteve origjinalë. janë mbi 56 dokumente të marra nga ky fond dhe që nuk janë kthyer.
Nuk jam institucion akuze, por paraardhësit e mi kanë abuzuar me dokumentet arkivore. Duke pasur dijeni, unë nuk mund të mos e publikoj këtë fakt pasi nuk dua të bëhem pjesë e një fenomeni që këtu ka ndodhur. Ligji ngarkon me përgjegjësi të gjithë ata që abuzojnë me dokumentin. Moskallëzimi i një krimi përbën vepër penale dhe unë nuk mund të hesht.
Së fundi keni sjellë pranë AQSH dokumente të rëndësishme nga regjistrat osmanë. Sa i rëndësishëm është pasurimi i arkivës dhe do të jenë të aksesueshme për qytetarët këto regjistra?
Pas ruajtjes së dokumentacionit, objektiv tjetër i rëndësishëm i punës sonë është pasurimi i fondeve arkivore dhe ka disa rrugë. Një rrugë është nga fondkrijuesit që pasi e përpunojnë dokumentacionin e përcjellin dhe e dërgojnë në arkiv. Kemi aktualisht shumë fondkrijues që prodhojnë dhe dorëzojnë dokumente në AQSH. Edhe qytetarët nuk duhet ti mbajnë dokumentet në shtëpi por duhet t’i sjellin këtu. Nuk ka asnjë garanci të mbrohen këto dokumente ndër breza. Nuk i detyron ligji ti dorëzojnë por do të bënin një punë të madhe për ti përjetësuar këtu. Janë kushtet për t’i bërë të tilla, mund të jenë të aksesueshme edhe nga publiku. Ka dokumente nëpër familje, që kanë shumë rëndësi kombëtare dhe historike dhe do të ishte një pasuri e vyer për historinë e vendit.
Një tjetër hap për pasurimin e ASH është bashkëpunimi i ngushtë me vendet që ne ndajmë histori të përbashkët duke filluar nga Turqia dhe gjithë arkivave të rajonit por edhe jashtë tij si në Itali, Londër, Francë etj.
Ne kemi krijuar kushtet e bashkëpunimit dhe normalisht kërkon kohë çdo gjë. Jemi në gjysmën e rrugës. Kemi filluar të marrim frytet e para dhe produkti më i rëndësishëm deri tani është marrja e fondit të Tahrireve ose regjistrave nga arkivat osmaneve. Janë regjistra administrativë dhe janë një fond i rëndësishëm prej 890 regjistrash nga të cilat 57 flisnin për shqiptarët në trojet e 4 vilajeteve. Ne i morëm të 57 regjistrat falë një bashkëpunimi të rikthyer për këtë gjë. Ka pasur bashkëpunim edhe më parë por nuk kishte shkuar deri në këtë nivel. Kemi edhe mijëra dokumente të tjera që flasin për të dhëna të rëndësishme që lidhen me taksat, me timarlinjtë apo pronarë të tjerë më të vegjël deri tek drejtuesit e familjeve.
Kemi filluar të marrim dokumente në arkivat e Malit të Zi, të Maqedonisë. Kemi një bashkëpunim të veçantë me Kosovën, nga i cili kemi dhe një produkt të veçantë, një fjalor me terminologji arkivore në shqip. Puna është udhëhequr nga dy drejtues të arkivave respektive dhe dy stafet e specialistëve, që kanë punuar për disa muaj derisa në muajin mars kemi nxjerrë në dritë fjalorin që është promovuar në Prishtinë dhe në Tiranë.
Kur do të kenë mundësi qytetarët të konsultojnë regjistrat osmanë?
Për çdo dokument që merret në arkiv, ndiqet një proces vlerësimi nga një ekip specialistësh, klasifikimi dhe pas këtij procesi mund të bëhen të aksesueshme për qytetarët.
Cili është projekti më i afërt që keni në AQSH?
Një ndër objektivat e rëndësishëm mbetet dixhitalizimi i dokumenteve arkivore që kërkon energji dhe një ritëm të ri. Ne jemi të bindur se dixhitalizimi do të arrijë një revolucionarizim të institucionit. Kjo do të sjellë edhe ruajtjen më të mirë të dokumenteve origjinale arkivore. Dixhitalizimi do t’i shërbente edhe më shumë qytetarëve pasi do të lehtësonte punën për ti shërbyer më shpejt dhe më saktë kërkesave të tyre.
Si ka ndryshuar shërbimi ndaj qytetarëve?
Nëse dikur një qytetar duhet të priste 90 ditë kohë, sapo kam ardhur në detyrë, e kam përgjysmuar këtë kohë. Më vonë e kam ulur në 30 ditë dhe për pak kohë e kam çuar në 22 ditë kthimin e përgjigjet ndaj çdo kërkese. Nga 1 korriku e më pas qytetarët që marrin shërbim për pronësi por jo vetëm, sektori i shërbimit do ti kthejë përgjigje për 12 ditë. Shkurtimi i afatit ka zvogluar në maksimum mundësinë për të abuzuar nga sekserë, që për hir të së vërtetës silleshin vërdallë në kafenetë përreth duke kapur prenë e tyre të radhës. Qytetarët nuk mund të prisnin 90 ditë për një përgjigje dhe kjo krijonte shumë mundësi abuzimi. Ndërkohë për të lehtësuar procedurat, kam hapur një dritare komunikimi me qytetarët. Ata në çdo kohë mund të kontaktojnë me drejtorin nëpërmjet sportelit në sistemin e shërbimit në hyrje të ASH dhe unë i kthej personalisht përgjigje.
Do të vazhdoni të jeni kryetar i partisë Aleanca Arbnore Kombëtare?
Në zgjedhjet e kaluara kam bërë veprim gjyqësor për kalimin e partisë nënkryetaritm por në procesin gjyqësor është vendosur që kjo gjë të mos ndodhë dhe çështja ka mbetur pezull. Nuk e kam parë të arsyeshme të jem unë kryetar i Partisë Aleanca Arbnore Kombëtare në vazhdim.
Pak histori….
Dokumenti i parë që ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror, që bën fjalë për përpjekjet drejt krijimit të një Arkivi Qendror, është vendimi i datës 02.01.1932 i Këshillit të Naltë të Shtetit, për shqyrtimin e projekt-rregullores, për regjistrimin e ngjarjeve me rëndësi. Në këtë projekt-rregullore, parashikohej edhe krijimi i Arkivit të Përgjithshëm të Shtetit.
Moment i rëndësishëm për historinë e arkivave shqiptare është projekt-ligji i vitit 1932 “Per krijimin e Arkivës së Përgjithshme të Shtetit dhe të Kronikës Historike”, në nenin 1 të të cilit përcaktohej: “Krijohet në kryeqytet një Arkivë e Përgjithshme e Shtetit , për me përmblesh e ruajtë gjithë dokumentet zyrtare”. Megjithëse projekt-ligji nuk u zbatua, ai i dha një nxitje zhvillimit të veprimtarisë arkivore.
Lufta e Dytë Botërore, ngadalësoi nismat e marra nga organet shtetërore për arkivat dhe ata deri në përfundim të saj mbetën në nivelin e sekretari-arkivave, si njësi strukturore të institucioneve, që ndiqnin dhe përgjigjeshin vetëm për administrimin e dokumenteve të tyre. Megjithatë në sajë të veprimtarisë së tyre, u bë e mundur që të ruhen e të trashëgohen sasi të vlerësueshme dokumentesh me shtrirje pothuajse gjithëpërfshirëse subjektesh, kohore, hapsinore dhe në përmbajtje.
Përpjekjet për krijim e një arkivi qendror vazhduan edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1947, pranë Institutit të Studimeve u krijua “Arkivi Dokumentar i Institutit”. Ai grumbulloi një sasi të konsiderueshme dokumentesh historikë që ruheshin në organet shtetërorë apo individë të veçantë, duke marrë kështu dhe atributet e një Arkivi Qendror, por jo me të gjitha karakteristikat e një organi të tillë.
Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH), u krijua si organ qëndror, megjithëse në varësi të Institutit të Studimeve, me urdhëresën e Këshillit të Ministrave nr 21 datë 08.06.1949.
Krijimi i tij shënon një moment kulmor për historinë e arkivave shqiptare.
Për herë të parë, krahas arkivave të organeve shtetërore, filloi funksionimi i një organi të mirëfilltë arkivor me shtrirje gjithështetërore. Në vitin 1951, Arkivi Qendror i Shtetit kaloi në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, varësi të cilën e ruajti deri në vitin 1962, kur u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit (sot Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave) , në varësi të Këshillit të Ministrave. Krahas të qenit organ qendror, kjo Drejtori kishte dhe ka edhe atributet e Arkivit Qendror Shtetëror, si arkivi më i rëndësishëm dhe më i pasur i rrjetit arkivor të vendit. /tesheshi.com/