Një polic, ish-ushtar i UÇK-së, humbi jetën pas përleshjes e këmbimit të zjarrit me një grabitës banke, ku dhe ky i fundit mbeti i vrarë. Ngjarja e rëndë ndodhi në Istog të Pejës, pasditen e kësaj të enjteje. Në Kosovë, raste të tilla nuk aq të përhapura sa në Shqipëri, e megjithëse i rallë si akt kriminal ka patur kosto të rëndë me humbjen e jetës së një polici.
Ai ishte Izet Demaj, që me vetëflijimin e tij nxiti mesazhe nga të gjithë krerët e shtetit të Kosovës.
“Kosova, fatkeqësisht, sot e humbi një polic të guximshëm në krye të detyrës. Ngushëllime familjes Demaj dhe Policisë së Kosovës. Izet Demaj është hero i Republikës së Kosovës”, ka shkruar presidenti Thaçi.
“I tronditur nga vrasja e pjesëtarit të Policisë së Kosovës në Istog dhe ish ushtar i luftës sonë çlirimtare, Izet Demaj. Për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të marrur peng, gjatë plaçkitjes së një banke sot, pa menduar për veten e tij, fatkeqësisht ka humbur jetën. Izeti është shembull se si mbrohet jeta e qytetarëve. Ngushëllimet e mia më të thella për familjen Demaj dhe Policinë e Kosovës”, shkroi kryeministri Haradinaj.
“Jam thellësisht i pikëlluar nga lajmi për vdekjen e policit Izet Demaj, në Istog. Ai ra në krye të detyrës, duke mbrojtur me jetën e tij qytetarët dhe pronën e tyre. Në këto momente të rënda, e gjithë Kosova ndjen dhimbje për humbjen e këtij heroi të ligjit”, shkroi kryekuvendari Veseli.
Për hajnin, njeriun që i morri jetën policit e po ashtu vdiq dhe vetë, thuhet se ka patur një të shkuar kriminale në Gjermani, ku ka vuajtur dhe 17 vite burg. /tesheshi.com/