Ekipi i nxënësve të Kosovës është paraqitur sivjet shumë mirë në Olimpiadën Matematikore Ndërkombëtare, duke u kthyer me një medalje të bronztë dhe dy medalje nderi.
Lajmin për medaljet e bëri të ditur në një postim në Facebook, përkrahësi i ekipit kosovar dhe studiuesi i matematikës në Universitetin e Prishtinës, Valmir Krasniqi.
“Nxënësi Shend Zhjeqi i solli Kosovës një medalje shumë të rëndësishme, Medaljen e Bronztë nga Olimpiada Matematike Ndërkombëtare”, shkroi Krasniqi.
Ai tregoi se Zhjeqi për pak nuk e fitoi medaljen e argjendtë, pasi larg kësaj medaljeje mbeti për vetëm një pikë.
Sipas Krasniqit, rezultati i sivjetmë është më i miri për Kosovën i arritur ndonjëherë në Olimpiadën Ndërkombëtare Matematikore.
“Megjithëse ekipi i Kosovës ishte me një anëtar më pak, rezultati i arritur këtë vit është më i miri prej se Kosova merr pjesë ne IMO”, ka shkruar Krasniqi.
Medalje nderi fituan edhe Ardita Berisha e Viktori Ahmeti, ndërsa në ekipin e nxënësve të Kosovës ishin edhe Alban Elezi e Flutura Shabani.
Jusuf Thaçi, drejtuesi i projektit Atomi ishte ankuar më herët se pjesëmarrja në olimpiadën e matematikës nuk po përkrahet nga institucionet.
Kujtojmë se nga suksesi në olimpiadë, nxënësit kosovarë dolën shumë keq në Testin PISA, rezultatet e të cilit u publikuan vitin e kaluar. /tesheshi.com/