Atë që ish-deputeti Kokëdhima e kërkonte këmëngulësisht për Shqipërinë, kultivimin e kontrolluar të kanabisit për arsye mjekësore, po e zbaton Israeli.
Një kompani izraelite ka shpallur arritjen e një marrëveshjeje me një blerës europian për furnizimin me kanabis mjeksor.
Bëhet fjalë për një kontratë me shumën e 110 milionë eurove.
Siç bën të ditur portali Izraeli Sot, “kjo është marrëveshja më e madhe e këtij lloji që do të nënshkruhet në Izrael deri më tani”.
CEO i kompanisë, Medivie Therapeutic, Menachem Cohen, theksoi se nëse qeveria izraelite nuk do të miratojë lejimin e eksportit të kanabisit mjekësor, kompania do të shiste njohuritë dhe ekspertizën e saj që vlejnë sipas tij më shumë sesa vetë kanabisi.
Medivie Therapeutic dhe dega e saj e High Pharma kanë parashikuar që duhen rreth 25 hektarë tokë për të rritur, prodhuar dhe eksportuar çdo vit deri në 50 ton kanabis mjekësor për investitorin europian.
Portali Izraeli sot, duke iu referuar gazetës Time of Izrael, thekson se “investitori europian do të paguajë rreth 30 milionë euro në vitin e parë për përfundimin e kontrolleve të ‘due diligence’ (studimi i mundësive) – pas të cilave ai do të zbulojë edhe identitetin e tij, – si dhe do të paguajë nga rreth 20 milionë euro në vit për qiranë dhe përgatitjen e tokës për gjashtë vitet e prodhimit.”
Për momentin, Kanadaja është i vetmi vend që ka miratuar eksportin e marijuanës mjekësore. /tesheshi.com/