Kisha Ortodokse ka rihapur sërish çështjen e Kishës së Dhërmiut, duke bërë me dije se ajo nuk e ka ngritur këtë gjë gjatë samitit për paqen fetare.
Në një deklaratë për shtyp të Kryepiskopatës së Kishës Ortodokse, e cila është dërguar nga zëdhënësi Thoma Fhima theksohet se “Zyrtarë të lartë të shtetit përhapën publikisht lajmin se Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nuk ka protestuar për ngjarjet e shkatërrimit të kishës së hirshme të Shën Athanasit në Dhërmi. E vërteta është se Kisha ka bërë tri deklarata-protesta. Dy të parat më 20 dhe 21 gusht, për të ndaluar planet e shkatërrimit dhe e treta më 26 gusht, ku protestohet me tone të forta kundër shkatërrimit.
Pra, është krejtësisht e pavërtetë se Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nuk ka protestuar kundër këtyre ngjarjeve.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, si bashkorganizatore e “Takimit Ndërkombëtar për Paqen”, që u zhvillua në Tiranë nga 6-8 shtator 2015, shmangu me takt gjatë këtyre ditëve zhurmën e një proteste publike kundër kësaj shkeljeje skandaloze të lirisë fetare dhe sakrilegji ndaj vendeve të shenjta të kultit. Edhe sot e kësaj dite mbetet e pashpjeguar nga ana e autoriteteve shtetërore se si e kryen këtë akt të rëndë fyes për orthodhoksinë, pa asnjë lloj komunikimi paraprak me Kishën Orthodhokse. Kisha ka protestuar me forcë ndaj këtij veprimi të rëndë dhe nuk do të reshtë kurrë së mbrojturi të vërtetën dhe të drejtën”./tesheshi.com/