Ai që ka shkruar një status tip fleterrufeje ndaj klasës politike, është vetë një politikan. Ka qenë fillimisht në PS e më pas, për hatërmbetje me Ramën, ka zgjedhur të kalojë te LSI. Aty është bërë ministër, për herë të parë në karrierën e tij, e duke patur Ramën epror. Por nuk ka zgjatur shumë dhe është hequr nga kryeministri. Quhet pra Ylli Manjani.
Po çfarë thotë Ylli Manjani në një status të fundit? Thotë atë që ëshë bërë rutinore në rrjete, deri dhe e mërzitshme: akuzon klasën politike. Po pastaj? Asgjë!
E bën pra një njeri me staturë politike jo thjesht një aktivist social, nga ata që meqë i ka ardhur Facebook-u në dorë, ndërton një personalitet të munguar virtual pikërisht aty, duke u këndellur nga ndjenja e një “zbulimi të madh”, të cilin veç tij nuk e ka bërë askush tjetër.
“Partitë politike janë ende shumë të vjetra për të përballuar dekadën e tretë të shekullit që jetojmë.
Na pëlqen ose jo, ky përceptim është gjerësisht i ngulur në mendjen e njerëzve.
Dhe skanë faj, me thënë të drejtën.
Të njëjtat fytyra!
Të njëjtat parti!
Të njëjtat veprime!
Të njëjtat fjalë!
Njësoj! Si në fundshekullin e shkuar edhe në këtë dekadë të tretë të shekullit të ri.
Opozitarët thonë që qeveritarët janë më të këqinj se ne. Qeveritarët thonë se të këqijat e ish pushtetarëve janë më të këqija se të zezat tona! E mbani mend Shalsin e dekadës së shkuar?!
Njësoj! Gjithnjë koka pas.
Ishim më mirë kur ishim keq..!
Ftesa e vetme që i bëhet njerëzve është na zgjidhni ne se jemi më pak të këqinj. Kështu bëjnë të gjitha partitë, pa përjashtim!!!
Ndërkohë njerëzit nuk vendosin, nuk zgjedhin, thjesht votojnë.
Asnjë ndryshim!
Partitë kanë krijuar një realitet virtual rreth vetes. Flasin për suksese dhe për dashuri ndaj popullit, duke sharë kundërshtarin.
Njësoj, me të njëjtin ritëm si më parë!
Kulmi është kur partitë bëjnë debat edhe për hallet e Amerikës, Francës e Gjermanisë si në faqen 4 të Zërit të Popullit dikur.
Asnjë lidhje me Shqipërinë reale, me shpopullimin e frikshëm, me polarizimin ekstrem ekonomik e social, me ndasi të rënda sociale, pa shtet dhe me demokraci të dhunuar.
Asnjëra parti nuk thotë se si zhvillohet Shqipëria reale!!! Të gjitha merren me veten duke bërë ato hesapet e vogla elektorale”, shkruan Manjani ndër të tjera, i cili, që kur iku nga ministër, e sigurisht dhe partia e tij nuk është më në qeverisje, bën rregullisht këtë gjë: statuse në FB. Për më tepër, vetë ai nuk ka thënë kurrë se si zhvillohet Shqipëria.
Modeli “Manjani” është më i përhapuri sot, e kjo falë rrjeteve sociale: individë por jo projekte, akuza por jo ide, mllefe por jo urtësi, protagonizëm fejsbukian por aspak frymëzim.
Manjani akuzon klasën politike si “të vjetër”, por është deri diku pjesë e saj. Emri i tij daton që në kohën e Nanos, ku u përzgjodh pikërisht nga ky i fundit për ta patur në rrethin e njerëzve të besuar.
Nën Nanon, arriti të jetë shef kabineti i këtij të fundit. Sigurisht që është i shkolluar, edhe profesionist në fushën e vet, por asnjëherë ofrues i ndonjë risie në mendimin politik. Ka bërë lajm për një lloj rebelizmi, por deri këtu. Asgjë më tej. Pas më shumë se 15 vitesh prezent në politikë, nuk i thotë asgjë shoqërisë me tepër se një emër: Ylli Manjani. Pra nuk është projekt, as vizion, as frymëzim, as model. Nëse do i kishte patur njërën nga këto, më e pakta nuk do ishte në LSI, më e shumta do tentonte liderin, sfiduesin ndaj atij ose atyre që ai i shenjon si “e vjetra”. Pse nuk e bën? Kush e ka penguar?
Eshtë e trishtueshme të vëresh se si individë që s’mund të thuhet se u mungon formimi politik, e që, për hir të së vërtetës, nuk përfiten për afera apo prirje korruptimi, shfaqin nga ana tjetër një lloj dorëzimi, një lloj falimenti politik, të cilin, ndoshta pa e kuptuar, e shprehin në statuse si ky i mësipërimi.
Akuzon politikën si vjetëruar, edhe duke qenë pjesë e saj, por nuk thotë në fund se ku gjendet ajo e reja, kush janë ata emra, ku janë dhe ç’po bëjnë. Merr si shembull Shalsin, ndërkohë që është bashkëkohinak me të në politikë, duke e patur dikur dhe koleg. E ne fund nuk thotë se si largohet Shalsi dhe nëse mundet ai ta bëjë këtë gjë.
Ky është Ylli Manjani, as për të mos u lexuar! /tesheshi.com/