Pas vizitës në tetor në Moskë, e cila qe e para jashtë vendit që prej nisjes së revoltës në vitin 2011, Beshar Esadi do të udhëtojë në fund të dhjetorit apo në fillim të janarit drejt Iranit.
Informacion më të detajuar ka dhënë një gazetë libaneze, e afërt me regjimin e Esadit, ed-Dijar, e cila ka treguar se presidenti sirian mund të shoqërohet gjatë udhëtimit të tij nga katër avionë luftarakë rusë.
Sipas ed-Dijar-it, Moska e ka paralajmëruar koalicionin e udhëhequr nga SHBA-të që për të shmangur një betejë ajrore të mos i afrohen avionit me të cilin do udhëtojë Esadi.
I njëjti burim bën me dije se pritet që avioni që do të mbarttë Beshar Esadin të fluturojë përmes hapësirës irakiane.
Që prej fillimit të sulmeve ajrore ruse, edhe ushtria siriane e Esadit ka përparuar në shumë pjesë të territorit. Rusia dhe Irani janë dy aleatët që po e mbajnë në këmbë regjimin e tij, e pas vizitës së Esadit në Moskë është e kuptueshme dhe vizita e tij në Teheran. Data e saktë e vizitës nuk bëhet e ditur për arsye sigurie. /tesheshi.com/