Intensiteti i krizës së shpërthyer me prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Katarin nga një numër vendesh arabe nuk ka shenja se është drejt rënies.
Një deklaratë e përbashkët e katër vendeve, Arabisë Saudite, Bahrejnit, Egjiptit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ka bërë të njohur një listë të gjatë të mbështetësve, sipas tyre, të terrorizmit e që kanë lidhje me Katarin.
“Lista e terrorit” përfshin 59 individë dhe 12 ente, me bazë në Katar apo të financuar prej tij, dhe mes tyre është dhe një emër i njohur, Jusuf Kardavi, një dijetar i spikatur në botën islame.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Katarit i ka deklaruar Al jazeera-s se vendi i tij nuk do t’i dorëzohet kurrë presionit të fqinjëve arabë e se nuk do ta ndryshojë politikën e jashtme.
“Ne nuk jemi gati ta dorëzojmë, dhe nuk do të jemi kurrë gati ta dorëzojmë, pavarësinë e politikës sonë të jashtme,” është shprehur Shejh Muhammed bin Abdurrahman el-Thani.
Katari akuzohet për mbështetje të terrorizmit nga vendet që i kanë ndërprerë marrëdhëniet me të; një akuzë që Katari e ka hedhur poshtë. /tesheshi.com/