Hija e Ibrahimovic-it nuk qëndron më mbi uruguajanin shpërthyes, që këtë sezon ka treguar se sa vlen me të marrë rolin e sulmuesit të parë te PSG-ja.
Edinson Cavani ka shënuar 35 gola në po aq ndeshje në kampionat për ekipin e kryeqytetit francez, çka e bën atë kryesues të padiskutueshëm të listës së golashënuesve.
E për këtë ai është përzgjedhur nga bashkëlojtarët e Ligue 1-shit si lojtari më i mirë i sezonit; një çmim i fituar për herë të parë.
Në ceremoninë e së hënës të Unionit Nacional të Futbollistëve Profesionistë, trajneri më i mirë u zgjodh Leonardo Jardim, njeriu që e ka sjellë Monakon pranë titullit kampion pas thuajse dy dekadash.
Ashtu dhe siç pritej, çmimi i lojtarit të ri më të mirë të kampionatit francez ka shkuar për Kylian Mbappe. 14 gola në kampionat dhe 11 asiste flasin për kontributin e tij në suksesin e Monakos.
N’Golo Kante, mesfushori i Çelsit, u shpërblye me çmimin e lojtarit më të mirë francez që luan në kampionatet e huaja.
Kampionati francez luan të shtunën javën e fundit të tij, por Monako mund të shpallet kampion që të mërkurën, kur do të zhvillojë një ndeshje të prapambetur ndaj Sent-Etjenit. /tesheshi.com/