Nga Vepror Hasani
Kalaja e Korçës u ndërtua si mbrojtje speciale për bashkëshorten e themeluesit të qytetit të Korçës, Iljaz bej Mirahori. Gruaja e tij ishte bija e sulltan Mehmetit II. Çdo incident i pakëndshëm që mund të ndodhte me bijën e tij do të ishte tronditje për Perandorinë. Jeta e saj duhej të ishte e sigurtë. Megjithatë, ajo nuk u ndje asnjëherë e rrezikuar. Familja e Mirahorëve konsiderohej e shenjtë, kishte respektin e të gjithë banorëve.
Që nga koha e ngritjes së kalasë kanë kaluar shekuj, por edhe sot e kësaj dite, një pjesë e territorit ku shtrihej kalaja e qytetit, ka mbetur e paprekur. Rrethanat e kanë sjellë të ndodhë kështu. Zona e kalasë mbeti e paprekur edhe kur Mitropolia e Korçës nxori pronat e saj në shitje. U shit gjithçka. Vetëm vendi ku ngrihej kalaja nuk u prek nga askush. Për të qenë sa më të kuptueshëm në rrëfimin e kësaj historie, ngjarjet do t’i sjellim pak a shumë sipas rrjedhës kronologjike të tyre.
Gjatë viteve 1860-1870 e në vijim, Mitropolia dhe banorët ortodoksë të Korçës nxorën në shitje pronat e tyre, ara dhe bostane. Për blerjen e tokave pati dyndje të madhe. Banorë të krahinave përreth Korçës nxituan të siguronin një copë tokë, ku mund të ngrinin një shtëpi për të jetuar. Korça ishte shpallur qytet-vakëf që nga viti 1504-1505 dhe që nga atëherë nuk paguheshin taksa. Të gjitha tokat që gjendeshin në krah të djathtë përgjatë përroit të “Shën Gjergjit” e deri te kisha e Shën Marisë, në dalje të qytetit, u shitën. (Në këtë kohë, bulevardi “Shën Gjergji” ishte përrua). Numri i njerëzve që dëshironte të vinte në Korçë nuk kishte të mbaruar. Dukej sikur gjithë Korça kishte dalë në shitje:
“Njoftimet mbi ardhjen e popullsisë fshatare në qytet gjatë kësaj periudhe i kemi që në vitin 1847. Dy fshatarë nga Orman Çifligu blenë nga pronat e kishës troje për banesë. Por këto troje ishin ende larg lagjeve të banuara, pranë kishës së Shën Marisë. …Më vonë, gjatë viteve 1868-1873, gjejmë akte shitjeje të shumta trojesh nga kisha për ndërtime banesash, të cilat më parë ishin toka të punueshme, ara ose bostane”. (Pirro Thomo, “Korça urbanistika dhe arkitektura”, f. 135)
U ndërtuan kaq shumë banesa sa nuk kuptohej mirë ku fillonte njëra shtëpi dhe ku mbaronte tjetra:
“Rritja e numrit të banesave brenda një territori të ngushtë solli një kompaktësim të ansamblit, duke i dhënë atij një karakter të ngjeshur e me dëndësi të madhe ndërtimesh dhe duke shuar kufirin që ndante mëhallat e vjetra”. (Pirro Thomo, “Korça”, urbanistia dhe arkitektura”, f. 49)
Përveç tokave më të djathtë të përroit të “Shën Gjergjit” Mitropolia dhe banorët ortodoksë shitën edhe tokat që kishin te kodrat e qytetit, të cilat u blenë prej vllehëve. Për shkak të kërkesave të shumta, çmimi për blerje tokash duhet të ketë qenë i lartë. Tundimi për shitjen e pronave ishte i madh. Megjithatë, vetëm pjesa më të majtë të përroit të “Shën Gjergjit”, ku dikur ngrihej kalaja, vazhdoi të mbetej e paprekur, edhe pse asnjë shenjë e saj nuk dukej mbi sipërfaqe. Muret e vjetra të kalasë “flinin” në thellësi të tokës, por përsëri askush nuk vuri dorë mbi atë truall. Nuk mund të ndodhte ndryshe: kalaja ishte pronë e Mirahorëve.
Tashmë dikush mund të thotë: Jo, kjo nuk mund të jetë e vërtetë kurrsesi. Kalaja ndodhej në territoret e fshatit Peskëpi, ku banonin ortodoksët dhe Mirahori nuk ka asnjë lidhje me të. Atëherë, nëse ju pëlqejnë të vërtetat që vijnë përmes faktesh, vijoni leximin deri në fund.
Është e vërtetë që Korça përbëhej nga dy pjesë: nga vetë qyteti i Korçës ku banonin myslimanët dhe nga fshati Peskëpi ku banonin ortodoksët. Mes tyre kalonte lumi i Moravës. Është e vërtetë gjithashtu që kalaja ndodhej në territoret e fshatit Peskëpi dhe doemos, duke qenë kala, figuronte si pronë shtetërore, dhe kjo gjë ishte edhe një nga arsyet pse nuk u prek nga askush. Mirëpo ka edhe një të vërtetë tjetër: më 1496 Korça dhe Peskëpia u bënë prona të Iljaz bej Mirahorit, themeluesit të qytetit, ashtu sikurse edhe kalaja, dhe që nga ajo ditë ato u administruan prej tij. Lumi nuk luante më asnjë funksion ndarës. Në vitin 1497, Mirahori i kërkoi Portës së Lartë të Stambollit përcaktimin e kufijve të Peskëpisë:
“Pas këtij raporti që më bënë kadijtë (kadiu i Korçës, efendi Bedrudini dhe kadiu i Bilishtit, efendi Haxhiu), e quaj të vendosur kufirin e lartpërmendur, sipas caktimit që kanë bërë dy kadijtë e mësipërm dhe urdhërova që pronën në fjalë me kufijtë e sipërshënuar ta posedojë përgjithmonë si pronë personale të tij derisa të qëndrojë dheu me gjithçka mbi të. Askush të mos grindet me të dhe të mos ta pengojë për këtë çështje. U shkrua në Konstandinopojë në fund të muajit Shaban të vitit 902”, (sipas kalendarit hixhri). (Pjesë nga dekreti perandorak: Përcaktimi i kufijve të Peskëpisë)
Me kalimin e kalasë së Korçës në pronësi të Mirahorit, shitja e territoreve të saj u bë e pamundur. Në vitet 1504-1505 Mirahori i shpalli vakëf pronat e tij dhe që nga ky çast ato konsideroheshin të paprekshme. Dhe është kjo arsyeja që zona ku ngrihej kalaja, një pjesë e saj, edhe sot e kësaj dite është ende e lirë:
“Pasuritë në gjendje vakëfi ishin të siguruara, n’ato as sulltani nuk mund të vinte dorë, ato as mund të shiteshin, as të liheshin trashëgim…” (Petraq Pepo, “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë”, f. 276)
Veç kësaj, gjithçka që ishte e familjes së Mirahorëve nuk lakmohej nga askush. Mirahori dhe bashkëshortja e tij, bija e sulltan Mehmetit II, shiheshin me nderim. Që nga ardhja e tyre, jeta e banorëve të Peskëpisë ndryshoi për mirë. Në çfarë gjendje i gjeti Mirahori ata, përgjigjen e marrin nga Pepo:
“Pronat e Peskopisë dhe të zonës së saj kanë qenë në gjendje timari. Timari si dhe hasi dhe zeameti nuk i jep spahiut të drejtën mbi pronësinë e tokës; pronar është bujku që e punon dhe mbahet me të ardhurat e saj; timari pra nuk është çiflig. Timarliu ka patur edhe tokat e tij. Timarliu merr nga timari 3000-20000 aspra në vit. Timari nuk ka qenë i trashëguar; djali mund ta trashëgonte timarin e t’et vetëm në qoftë se shërbente në radhët e ushtrisë dhe tregonte besnikërinë kundrejt shtetit ottoman”. (Petraq Pepo, “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë”, f. 274)
E përmbledhur në një fjali të vetme, Peskëpia e asaj kohe shte kjo:
“Peskopia në shek. XV ka qenë një katund me pesëmbëdhjetë shtëpi çifçinjësh…”.
(Petraq Pepo, “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë”, f. 273)
Kurse Pirro Thomo flet edhe për ekzistencën e çifçihaneve:
“Në “Rrugën e Veteranëve”, nr 6, në afërsi të lulishtes “Themistokli Gërmenji”, kur dikur ishte “Çezma e Arave”, ndodhet një banesë, të moshuarit e shtëpisë e njohin si “çifçihane”, d.m.th. si banesë të përdorur nga bujqit që strehoheshin gjatë kryerjes së punëve në bujqësi”. (Pirro Thomo, “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, f. 74)
Gjendjen jo të mirë ekonomike të banorëve të fshatit Peskëpi, e tregonin edhe kishëzat që ngriheshin të vetmuara mes arave të mbjella me bostane. E tillë ishte kisha e Shën Gjergjit, kisha e Shën Marisë, kisha e Shën Thanasit, kisha e Shën Ilisë dhe kisha e Shën Triadhës. Ato ishin tepër të vogla, si të gjitha kishat e fshatrave të vogla.
Jeta e banorëve të Peskëpisë nisi të ndryshonte kur Mirahori i ktheu pronat e tij në vakëfe. Që nga ajo ditë ata nuk paguan më taksa:
“Popullsia fshatare në vakëfe juridikisht ka qenë e lirë, dhe ishte e liruar nga disa detyrime të rënda; këto kushte e vinin fshatarin në një gjendje më të favorshme për zhvillimin e tij ekonomik. Kështu u zhvillua edhe Peskopia që u ngrit në shkallën e një qyteti…”. (Petraq Pepo, “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë”, f. 276)
Pra, për të gjitha arsyet e mësipërme, territorret e kalasë u ruajtën të paprekura për një kohë tepër të gjatë. Sipas Pirro Thomos, vendndodhja e kalasë ka qenë kjo:
“Vendndodhja e kalasë mesjetare të Korçës mund të përcaktohet brenda territorit të kufizuar nga lumi (sot shëtitorja “Fan Noli”), rruga “6 Dëshmorët”, shëtitorja e “Shën Gjergjit” dhe rruga që të çon në Pazar”. (Pirro Thomo, Korça, urbanistika dhe arkitektura, f.44)
Por, përcaktimi i Thomos nuk është tërësisht i saktë. Kalaja nuk zotëronte vetëm hapësirat brenda mureve; ajo kishte territoret e veta edhe jashtë saj. Prona të kalasë duhet të kenë qenë edhe trojet e mbetura bosh sot e kësaj dite, përfshi këtu edhe lulishten “Vangjush Mio”. Nëse e vërteta nuk do të ishte kështu, atëherë si ka mundësi që xhamia e dytë e qytetit të Korçës, ndërtuar në vitin 1886, u ngrit në krye të lulishtes “Vangjush Mio”, më të djathtë të lumit Morava , brenda territoreve të fshatit Peskëpi, ku jetonin ortodoksët? Pranë xhamisë u ndërtua gjimnazi dhe më pas edhe mësonjëtorja fillore e vajzave myslimane. Shkollat kishin edhe terrene për edukimin fizik. Pra, të gjitha së bashku zinin një sipërfaqe mjaft të madhe.
Megjithatë, për shumë kohë me radhë, kalaja e Korçës mendohej të ishte ndërtuar para pushtimit turk, madje shumë më herët se kaq, por zbulimi i rastësishëm i mureve të saj në vitin 1923 dhe në vitin 2000, saktësoi përfundimisht periudhën e ndërtimit të saj. Kalaja wshtw ndwrtuar pas ardhjes sw turqve. Sipas arkeologut P. Lera, “ Muri i zbuluar (më 1923 dhe 2000) nuk ka të bëjë fare me qytetin në një kohë kur ai nuk ishte shtrirë brenda këtij territori…” (Sejdin Ramo, Ilia Panariti dhe Korça, f. 72)
Pra, më qartë se kaq nuk mund të thuhet: “Kalaja nuk ka lidhje me qytetin”. Ajo u ndërtua si një kërkesë e veçantë e kohës. Ardhja në Korçë e bijës së sulltan Mehmetit II e bëri të nevojshëm një ndërtim të tillë. Pas vdekjes së Iljaz bej Mirahorit më 1512 dhe bijës së sulltan Mehmetit II, ekzistenca e kalasë u bë e panevojshme. Për këtë arsye ajo u rrënua shumë shpejt, por mbetën të paharruara përpjekjet e Mirahorëve që edhe Peskëpia t’i bashkohej Korçës.
“Duke u rritur Peskopia u bashkua më në fund me Korçën, pozitën e së cilës nuk jemi në gjendje ta përcaktojmë me saktësi, por që, sidoqoftë, Korça ka shumë afër katundin e Peskopisë. Në dokumentet e mëvonshme ne gjejmë vetëm emrin Korçë. Por në një akt të madh të mitropolisë, turqisht, të kodikut të Korçës përmendet edhe më vonë emri Peskopi”. (Gjithsesi më në fund Korça dhe Peskëpia ishin pjesë e të njëjtit qytet). (Petraq Pepo, “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë”, f. 273)
Në respekt të veprës së Mirahorit, Nuçi Naçi te libri i tij “Korça dhe fshatrat për qark”, shkroi:
“Të madhuarit e Korçësë u-nis që më ditë të Koxha Mir’ahorit, i cili ardh e bëri atë, qëndrë qeverije, edhe ca nga ca në pakë vjet, ay fshat i vogëlë q’ish ndënjurë (banuar) vetëmë prej ca bujq, u-bë si e shohim sot qytet i madh e i bukurë; detyrë të madhe ka Korça në Koxha Mir’ahori (për mirnjohjen e tij), se ay ardh e bëri atë kërthizën’ e gjithë fshatrave. Shpres’ e madhe është që Korça do të madhonet edhe më tepërë nga që është kyç i tregëtisë në mes të Shqipërisë së poshtërme, të së veriut, e Maqedhonisë perëndimit, e t’anëvet veriut të Toskërisë. Në të madhuarit e në të zbukuruarit të Korçësë ndihmuanë shumë gjithë Korçarëtë me tregërit e me begatit’ e tyre; po midis gjit’ këtyre emëri i Koxha Mir’ahorit gjithënjë në shekujt e paskëtajmë është për të përmëndurë, se ay quhet që vu të parët gurë në themelit’ e madhërisë së saj; andaj dhe të parat n’histori të Korçësë duhet t’i ketë emri i Koxha Mir’ahorit”. /tesheshi.com/