Kryeministri Rama përshkroi Kadastrën nën qeverisjen e tij ashtu siç është realisht, siç dhe ka qenë para tij. Në një takim me ministra, deputetë e kryebashkiakë socialistë, ai e krahasoi Kadastrën me një bankë shteti, por është trajtuar si mos më keq, duke jua besuar pronat e shqiptarëve aty të punësuarve për qoka.
“Kadastra është bankë, është njësoj si banka qendrore e Shqipërisë njësoj si një bankë e nivelit të dytë ku mbahen kursimet e qytetarëve, ku garantohen ndërveprimet e tyre me paranë dhe si çdo bankë kadastra nuk është një fole për qoka, për të gjithfarë lloj njerëzish që nuk kanë asnjë lidhje me atë.
Kadastra është penguar në mënyrë të vazhdueshme nga ju, deputetët, ministra, kryetarë bashkie, për të vazhduar më tutje me të gjithë ata që kanë sado pak pushtet, që i kanë dhënë vetes të drejtën të interferojnë me kadastrën për të gjitha llojet e nevojave, që nga influenca për emërimet e drejtuesve të kadastrës, influencë deri në imponim, tek influenca për punonjës në Kadastër deri në imponim, tek influenca për mbështetje për njërin apo tjetrin deri në imponim, duke e penguar kadastrën që të bëhet ajo që duhet të jetë: banka e sigurt e pronës së patundshme të pronës së shqiptarëve”, tha Rama.
Por që nga e hëna, nuk ka më kadastër siç kjo e deritanishmja.
“Nga e hëna e tre korrikut, kadastra do jetë makineri digjitale. Punonjësit aty brenda një pjesë e të cilëve kanë kërkuar të largohen se nuk kanë mundësi të bëjnë gjë tjetër se punën e kanë vetëm para kompjuterit, nuk kanë gjë në dorë. Nga e hëna tre korrik punonjësi i kadastrës në Shkodër do ketë para në kompjuter si t’ja nxjerrë algoritmi rastin e një prone në Delvinë. Qytetarëve u bëj thirrje të mos shkojnë më në Kadastër se nuk i pret më askush. Kadastra është një dritare përmes e-Albania. Aty bëhen aplikimet, aty merren përgjigjiet, aty vjen dokumenti me nënshkrimin elektronik i patjetërsueshëm”, sqaroi i pari i qeverisjes.
Kreu i ekzekutivit tha se pret dorëheqje masive nga Kadastra pas reformës që do të kthejë online të gjitha shërbimet e këtij institucioni. Por ai shtoi se do të ketë edhe rritje të konsiderueshme të pagave për punonjësit e Kadastrës dhe ftoi të gjithë profesionistët të aplikojnë për vendet e lira. /tesheshi.com/