Kryeministri Rama “trokiti” këtë paradite në Presidencë për një takim kokë më kokë me kreun e shtetit Ilir Meta, pak orë pasi ky i fundit shënoi një precedent në gati çerekshekulli pluralizëm: nuk dekretoi një ministër, pra Sandër Lleshin.
“Me kërkesë të tij, Kryeministri u takua me Presidentin e Republikës, për të diskutuar rreth përmbajtjes së letrës së këtij të fundit mbi propozimin për dekretimin e Gjeneral Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm. Bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës“, thuhet në këtë reagim nga kabineti i shefit të qeverisë.
Mbetet ende mister fakti se përse Meta nuk e dekretoi të përzgjedhurin e Ramës për pasardhës të Xhafajt të dorëhequr në krye të Ministrisë së Brendshme, ndërkohë që rezulton i pastër nga e kaluara e tij.
Përgjigja nga Presidenca ishte për “mosbindje”, pa u dhënë arsyet se përse konkretisht. Vetë Rama, si më i godituri në këtë rast, nuk është prononcuar. Madje ka këshilluar edhe deputetët e tij që të bëjnë të njëjtën gjë: të heshtin. /tesheshi.com/