Jeton Pustina është njeriu që qëndron në krye të një aktiviteti kulturor mbarëkombëtar të quajtur “Vera tetovare”, që prej tre vitesh zhvillohet në një prej kryeqendrave të shqiptarisë në Maqedoni e rajon: në Tetovë. Në një intervistë, ai flet mbi vijimësinë e këtij aktiviteti dhe risitë e këtij sezoni, në prag të nisjes…
Bisedoi: Artlind Reçi
Po afron “Vera tetovare”, një aktivitet kulturor 3-vjeçar. Si nisi e nga po shkon?
Po, për të tretin vit rradhazi në Tetovë organizohet manifestimi “Vera e Kulturës tetovare”. Për dallim nga herët tjera, këtë vit ky manifestim do dallojë si nga aspektin organizativ po ashtu edhe në atë artistik. Siç është më e ditur, Tetova gati tre vite me rradhë është nikoqire e të gjitha institucioneve kulturore të hapësirave shqiptare: teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, Filarmonisë së Kosovës, orkestrës së re simfonike të Shqipërisë, teatrove kombëtare të shteteve tona, teatrit Metropol dhe Dodona-s, ansambleve kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe emrave më eminentë të kulturës shqiptare nëpër botë.
Këtë vit ky manifestim do të mbahet për 17 ditë me rradhë me një program të larmishëm me gati të gjitha zhanret artistike. Ideja e një organizimi të tillë ishte e kryetares së Komunës, znj. Teuta Arifi, e cila na thiri në një takim të gjithë neve, njerëzit e artit, dhe na dha si ide që periudhën e verës ne si komunë duhet ta ngjallim, dhe kjo periudhe të jetë e dhe më interesante për bashkatdhetaret tanë të cilët jetojnë në shtetet perëndimore. Nisi si diçka e vogël dhe për tre vite u zgjerua në një aktivitet që ja kanë zilin edhe kryeqendrat tona si Tirana dhe Prishtina.
E sivjet si so do jetë kjo “Verë”, ç`të reja do ketë (përveç vapës përzhitëse!)?
Sivjet në “Verën tetovare” parashihet të ketë shfaqje teatrale, koncerte të zhanreve të ndryshme, promovime librash, ndërkohë që risi do te jetë “Rruga e ombrellave”, rrugë e cila do të ndalohet për komunikacion dhe do të mbulohet me ombrella, ku për tre netë me rradhë do të performojnë grupet më të popullarizuara për të rinjtë.
Prej datës 30 aktivitetet në ambientet e mbyllura do të përqëndrohen në sheshin “Iliria” në Tetovë ku do të vendoset një bina grandioze dhe ku do të performojnë këngëtarët më eminentë shqiptar.
Kemi një “Verë kulturore tetovare” që sa vjen e fuqizohet, por nga ana tjetër kemi aktivitete kulturore që shuhen, si siç ishte “Festivali i Teatrit” në Dibër. Si ta shpjegojmë këtë?
Unë mendoj se problemi kryesor i kulturës shqiptare është politika e cila kulturen e trajton si problematikë të dorës së tretë, pasi për disa vite me rradhë neve shqiptarëve na përfaqsojnë në postet ministrore ose zv/ministrore të kulturës njerëz pa backround kulturor por edhe të “pakultururar”. Shuarja e “Fest-Teatrit” të Dibrës, është pasojë e kësaj lloj kaste drejtuesish.
Nga ana tjetër kemi shembullin që sjell “Vera tetovare”, ku për shkak të vizionit dhe përkushtimit të një drejtuese si znj. Teuta Arifi, ndodh kjo që ndodh prej tre vjetësh e që po i bëhet hyzmeti që të vijojë pandeprerë. Sepse dua ta theksoj, është kryetarja e Tetovës dhe i gjithë stafi udhëheqës i këtij manifestimi, djem dhe vajza të reja entuziastë dhe njerëz që shumë e duan kulturën dhe përkushtohen për të; e gjithashtu edhe lidhjet e mia profesionale dhe miqësore me të gjithë udhëheqësit, por pse jo edhe artistët e institucioneve kulturore ka bërë që t`i kemi në çdo kohë me shfaqje dhe prezantime të ndryshme.
Si janë kushtet dhe ai mundeni t`ju lini një shije të mirë të gjithë artistëve të ftuar?
Ne i kemi marrë të githa masat që ansamblet dhe artistët t`i presim në mënyren sa më të mirë të mundshme, si dhe t`jua mundësojmë që në Tetovë të ndihen njëjtë sikur në shtëpitë e tyre, edhe pse tani ata e kanë përjetuar mikëpritjen tonë dhe të publikut artëdashës.
A pretendoni që ky aktivitet të shndërrohet në tradicional duke patur një rrugëtim të pandëprerë në vite?
Ne pretendojmë që “Vera tetovare” të trajtohet njëjtë sikurse “Vera e Ohrit” apo ajo e “Shkupit”, që ky manifestim të financohet nga qeveria që edhe ne ta përjetojmë një barazi në aspektin kulturor dhe jo të vazhdojmë të jemi të nëpërkëmbur dhe të poshtëruar. Artistët shqiptarë çdo herë i kanë kapur majat e sukseseve dhe kjo mundet. Ndaj ne duhet dhe do e vazhdojmë këtë rrugë që ky festival të jetë tradicional dhe vit pas viti të rritet edhe më shumë në të gjitha aspektet. /tesheshi.com/