Nga Bashkim Kastrati
Kosova në vitet e fundit ka pasur një rritje të vogël ekonomike, e cila nuk është e mjaftueshme që qytetarët ta prekin në përditshmëri apo të shohin rezultate direkte. Përderisa në vitin 2010 rritja ekonomike ka qenë 5.39 për qind, në vitin 2011 po ashtu mbi pesë për qind, në katër vitet e fundit kjo rritje fillon të ulet. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2012 rritja reale e produktit të brendshëm bruto, arriti normën prej 3.8 për qind, kurse në vitin 2013, rritja ekonomike pati rënë në 3.5 për qind, po aq sa ka qenë edhe vitin që lam pas.
Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, pritet të arrijë deri në 3.7 për qind.
Aktualisht në Kosovë konsumi, rritja e investimeve të jashtme, remitencat, llogariten se do të kenë kontributin kryesor në rritjen ekonomike.
Rritja ekonomike, nënkupton rritjen e prodhimtarisë, kapaciteteve prodhuese dhe të gjithë përbërësve tjerë të një ekonomie. Rritja ekonomike vjen për shkak të rritjes së fuqisë punëtore ose kapitalit.
Krahasuar me vendet e rajonit, kjo është një rritje relativisht solide, por nuk duhet harruar në anën tjetër se vendet e rajonit kanë një ekonomi më të zhvilluar dhe me të qëndrueshme, mbi të gjitha janë më atraktive për investitorët e huaj.
Por sipas njohësve të fushës së ekonomisë, ky nivel i rritjes ekonomike nuk mund të sigurojë zhvillim ekonomik dhe përmirësim të mirëqenies sociale, ngase baza e rritjes ekonomike prej 3 për qind në Kosovë është shumë e ulët.
Prandaj me këtë rritje ekonomike nuk mund të jetë i kënaqur dhe nuk duhet që të krenohet askush, sepse rritja prej 3.7 për qind nga një buxhet që ka Kosova me rreth 1.4 miliardë euro, është shumë e vogël dhe e pamjaftueshme për mirëqenien e qytetarit dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim për vitet 2016-2021, të aprovuar nga Qeveria e Kosovës, thuhet se kryefjala e strategjisë, është rritja ekonomike në funksion të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve, si dhe për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm.
Por, sipas ekspertëve të ekonomisë, një përmirësim i mundshëm ekonomik në Kosovë mund të ndodh vetëm pasi rritja ekonomike vjetore të arrijë mbi tetë për qind. Ata vlerësojnë se për të frenohet thellimin e hendekut të papunësisë, i nevojitet një rritje ekonomike prej 7 deri në 8 për qind, e që është shumë vështirë të arrihet.
Duhet të ketë rritje ekonomike dyshifrore
Lulzim Beqiri, magjistër i ekonomisë ka thënë për tesheshi.com se është për t’u përshëndetur një rritje e tillë ekonomike, Republika e Kosovës këto dhjetë vitet e fundit ka pas një stagnim sa i përket rritjes së qëndrueshme ekonomike. Kosova e dalë nga një luftë shkatërruese në të gjitha sferat e jetës, po ashtu edhe sistemi ekonomik i shkatërruar, pastaj një ekonomi e administruar nga UNMIK-ku, dhe me pas me një proces tejet të dështuar të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, e kemi edhe këtë krizë ekonomike.
“Mos harroni në Kosovë papunësia është mbi 40%, me një varfri ekstreme, emigrime për shkak të mos perspektives ekonomike, krimi ekonomik, korrupsioni të gjitha kanë kontribuar në një stagnim të tillë. Në vitin 2010 kemi pas një rritje ekonomike prej 3.39%, në 2011mbi 5% ndërsa në pesë vitet e fundit ka pas një ulje të rritjes duke marr edhe parasysh krizën politike në vend”, thotë Beqiri.
Ai thotë se një rritje e tillë prej 3.7 për qind është e mirëseardhur, por një rritje e tillë nuk premton zhvillim ekonomik e as ulje të papunësisë rekorde që nga paslufta, për të ulë varfërinë dhe për të pas zhvillim ekonomik, Republikës së Kosovës i duhet një rritje ekonomike vjetore prej 10%.
“Qeveria duhet të fokusohet te sektori privat që unë mendoj se është në gjendje të mjerueshme, Qeveria duhet të hartoj politika stimuluese dhe mbështetëse sidomos për sektorin privat, duke ndikuar te ulja e kamatave, funksionalizimi i gjyqësorit, luftimin e korrupsionit, nepotizmin dhe duke hartuar politika të tërheqjes së investimeve të huaja”, theksoi ekonomisti Beqiri.
Ai mendon se duhet të ketë një rritje dy shifrore për mirëqenie dhe stabilitet ekonomik, edhe pse kjo është vështirë e arritshme në një të afërme.
Në Kosovë, konsumi i përgjithshëm përgjatë periudhës 2015-2017, sipas autoriteteve kompetente pritet të rritet me një normë reale mesatare prej mbi 3.5%, ndërkohë që konsumi privat për kokë banori parashihet të rritet me 3% mesatarisht, nën supozimin që popullsia rritet me një normë prej 1.6%. /tesheshi.com/