Nga Shkëlzen Rrecaj
Ismail Kasumi nuk bën të futet tek të zakonshmit njerëz. Ai është një histori e gjallë e një profesioni të shndërruar në mision: polumbarit që nxjerr kufoma nga uji. Mbi 500 syresh në 50 vjet. Një rekord fantastik. Ndërkohë që mban dhe atë tjetrin: zhytje deri në 120 metra thellësi, i pathyer deri më sot në kuadër të ish-Jugosllavisë.
Ka shumë ç’të tregojë për karrierën e vet shumë të pasur, me këndellje lumturie, por dhe drama, teksa ka parë, prekur e bartur gjithë ato kufoma. Por kryesore për të, është se asgjë nuk e ka bërë për para. Vetëm për humanizëm. Dhe kjo, për të mbajtur amanetin e nënës për t’iu shërbyer njerëzve në hall pa bë pazare.
Rrëfimi tij të bindë për këtë. Është rrëfimi i një njeriu me zemër të madhe…
Kasumi, si lindi pasioni i nënujësit dhe cili qe motivi të bëheni një ndër zhytësit më të njohur në rajon?
Disa herë e kam thënë që vendlindja ime është Dukagjini, e kam frekuentuar shpesh Bistricën (Lumbardhin) që e kisha 15 metra larg shtëpisë sime, ku si fëmijë kam filluar zhytjen aty. Edhe pasi u shpërngulëm në Prishtinë, unë vazhdimisht kam frekuentuar liqenet. Aty kam shkuar se e kam dashur shumë ujin.
Do ta përmendi një moment në liqenin e Badovcit ku me disa shokë, laheshim, freskoheshim, ndërsa fati e deshi që një ditë, papritmas dy të moshuar, ulur skaj liqenit na ftojnë të notonim. Ne filluam notin, pastaj ata kërkuan se kush prej nesh, po hyn dhe po qëndronte më gjatë në ujë. Më kujtohet mirë, kam hyrë në liqen, kam kapur një rrënjë poshtë nën ujë dhe kam qëndruar shumë gjatë. Kur kemi dalë, ata njerëz janë prezantuar.
Njëri prej tyre tha se është Prof. Bardhyl Zajmi, drejtor i Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë, ndërsa tjetri, Mehmet Maliqi, sekretar i Mbrojtjes Popullore. Ata, më thonë se donin të formonin një ekip të zhytjes.
Në atë moment unë i pyes me çfarë merret ekipi i zhytjes? Fjalët e para të atyre kanë qenë do të merremi me ski mbi ujë dhe me kap peshq. Nuk me kanë përmendur kufomat apo të mbyturit nëpër liqe apo lumenj, dhe me plot dëshirë e pranova ftesën e tyre. Pajisjet e para na i ka dhënë Mehmet Maliqi. Nga ai moment kam filluar të merrem me zhytje. Me 25 gusht u bënë plot 50 vjet që merrem me zhytje.
Më të filluar zhytjen më dërgojnë në qendrën sportive në Badi, afër Korçullës. Një profesor nga Zagrebi në bënte ushtrimet. Hapat e parë të zhytjes i morëm nga Prof. Marian Llanci, dhe shumë herë them se Kosova i ka shumë borxh këtij njeriu.
Pas ndjekjes se shumë seminareve, kam marrë titullin “instruktor i lartë i zhytjes”. Ky ka qenë pasioni im që e kam dashur zhytjen, kam dashur ta shijoj një natyrë nënujore, ku pakkush e dinë çka do të thotë natyra nënujore, bukuritë që i ka.
Pas kthimit nga Kroacia, shkuam në liqenin e Batllavës ku kishim barkën motorike, skitë e gjërat e nevojshme. Profesorët, kinse për të me argumentuar se të më kishin ftuar për t’u hipur skive në ujë dhe me zënë peshq, nuk më përmendnin kufomat.
Jam njeriu i parë që kam hipur skive në liqenin e Batllavës. Do ta përmendi një gjë interesante. Në atë kohë, autobusët për Leskovc kanë kaluar nga Orllani. Ndalet një autobus plot udhëtarë për të më parë duke i dhënë skive. Një i moshuar me kapelë të bardhë, kur kam dalë prej ujit, i merr skitë në dorë, i shikon dhe thotë: ‘Kanë pas thanë se do të dalë diçka për me fluturue. Dolën aeroplanat, por që hyp njeri në dy pallzina dhe shkon mbi ujë…e filloi të bie në shahadet”. Fjalët dhe përqafimi i tij, ishte një kënaqësi e papërshkrueshme për mua.
Pastaj kanë ardhur rastet tragjike, duke nxjerrë shumë kufoma. Jam një ndër zhytësit e parë kosovarë që jam zhyt me Zhak Kustonë e madh, doajenin e zhytjes në gjithë botën.
Cila është ndjenja që ju shoqëron nën ujë, dhe a varet kjo nga arsyeja e zhytjes?
Është një ndjenjë e posaçme dhe varet prej aftësisë së zhytësit për t’i shijuar ato mrekulli dhe të gjitha ato bukuri që i ka nënuji.
Një gjë do t’ua përshkruaj: kur kam qenë në mes Korçullës dhe Dubrovnikut, në Detin Adriatik, më është dukur sikur kam filluar të ngjitem lart, drejt bjeshkëve, dhe harroja që jam nën ujë. Shihja livadhe të bukura, e më vinte më pas një kosë e me kosit barin, shihja shpella të bukura, gjallesa etj. Kështu që, shumë raste kam harruar se ku gjendem në ato thellësi dhe bukuri që kanë detet.
A mund të na tregoni deri në sa metra thellësi jeni zhytur?
Derisa kam qenë në top formë kam qëndruar gjatë dhe e mbaj rekordin në ish-Jugosllavi. Në mes Korçullës dhe Dubrovnikut, në Detin Adriatik, që quhet Korçullanski Kanal aty kam hyrë në një thellësi 120 metra. Ende e mbaj këtë rekord dhe nuk e ka thyer askush deri me tani.
Jo çdo kush ka rastin ta sheh botën misterioze nën ujë. Cila është gjëja më e bukur që keni parë në të, por dhe më të frikshme?
Është një botë e papërshkruar dhe dua ta ndërlidh me një rast. Isha në një emision në TV, ku ishte i ftuar një bjeshkatar, Arben Islami dhe pyetja ishte: A më i mirë është deti apo bjeshka? Unë i them më i mirë është det. E tani i them: “Arben, axha Ismail i ka shëtit edhe bjeshkët dhe shpellat, por t’i nuk e ke shijuar thellësinë nënujore se si është, ajo natyrë e papërshkruar, e paparë, është një kënaqësi e madhe që ka pas raste që kam harruar edhe sa ajër kam prej kënaqësisë duke i parë ato bukuri. Fatkeqësia më e madhe ka qenë që në atë kohë nuk kam pasur kamer nënujore se nuk kisha fol asgjë, veç ua kisha lëshuar dhe i kishim pa bukurit nënujore.
Tani është një kohë tjetër. Sot janë fëmijët e mi të cilët merren me zhytje. Besarti është profesor i Kulturës Fizike, iu ligjëron kadetëve të FSK-së; vajza ime, Riera që merret me zhytje është femra e parë shqiptare që e ka shijuar një thellësi 40 metra. Por kënaqësia më e madhe është se ata sot kanë kamerë, fotoaparate nënujore dhe kanë mundësi të fotografojnë, incizojnë. Sikur ta kisha edhe unë në atë kohë një kamerë për t’i xhiruar ato bukuri, ato mrekulli do të me ngeleshin kujtim për tërë jetën.
Ndërsa ajo më e frikshmja për mua ka qenë kur isha i zhytur në një thellësi prej 40 metra, e kam parë një peshk të madh, e ai kish qenë peshkaqen. I ndjeri profesor Marian Llanci me ka dhënë shenjë që të dalë në sipërfaqe. Me të dalë jashtë, e kam marrë vesh që kish qenë peshkaqen dhe barkën e kam pas larg nja 50 metra dhe nga frika kam shkuar të barka shumë shpejt. Ky ka qenë një moment i frikshëm se nuk e kam ditur që ishte peshkaqen duke e menduar për peshk.
Dhe tani le të vijmë tek pjesa dramatike e profesionit tuaj: sa trupatë pajetë keni nxjerrë deri më tani dhe sa jetë keni shpëtuar?
Isha duke u shëtitur me shokë në qendër të Prishtinës, ku papritmas, rreth orës 22:00 vjen një veturë e policisë, i drejtohet grupit që shëtitshim dhe pyesin se cili nga ne ishte Ismaili. Unë, i habitur u thashë së jam unë. Ndërkaq, ata kërkojnë që të shkoja të ndihmoja në një rast tragjik, në fshatin Dolak, Komuna e Vushtrrisë. Një “Fiat 1300” me tre fëmijë dhe një të rritur, kishte rënë në lumin Sitnica. Pa u hamendur, shkoj i marr pajisjet dhe mbërrij diku në ora 12 të mesnatës. Hyj në ujë dhe për herë të parë ballafaqohem me njeriun pa jetë. Deri në atë kohë, kurrë nuk kisha parë ose prekë kufomë me sy.
Dal prej aty i tmerruar, dhe i them profesor Zajmit: “unë kam prekur njeriun e vdekur”. Ndërsa ai më drejtohet: “Ismail, krejt ky popull i ka sytë në ty. Këta janë të vdekur, nuk zgjohen, por po presim që të nxirren nga uji.” Hyj sërish dhe i nxjerri ata të tre dhe vjehrrën. Prej aty, kthehem në shtëpi natën, i marr veshjet e zhytjes dhe i lë për t’u terur. Kur ngrihet nëna në mëngjes, më drejtohet me fjalët: “Ismail, po të lut nana, pashë gjirin që ta kam dhënë, mos shko nëpër ujë, sepse si fëmijë të kemi nxjerrë të mbytur nga Bistrica”.
Unë mundohesha ta çoj atë porosi të nënës në vend, mirëpo, pas një kohë, paraqitet një rast tjetër kur gazetari kërçovar i Radio Televizionit të Prishtinës, Remzi Xhambazi, duke u freskuar në Badovc, mbytet. Ekipet nga Beogradi, Novi Sadi dhe Dubrovniku, e kërkojnë dhjetë ditë, por nuk arrijnë ta gjejnë. Kolegu im i ndjerë, Bajram Rudha, qëllon në skaj të Liqenit dhe iu thotë se “pse nuk po shkoni ta merrni një djalë në shkollën e lartë pedagogjike dhe që e njeh këtë liqen në gishta?”. Vijnë në zyrë të shkollës, vëllezërit e tij, Azizi, Bajrami, Shehiu dhe më tregojnë rastin. Unë, u them se i kam dhënë fjalë të mëdha nënës. I ftoj te shtëpia.
Ndërkaq, unë duhej të shkoja më parë, ndërsa atyre u thashë që të vinin ta merrnin betimin nga nëna. Në një çast, teksa nëna qëndronte në oborr, ata i rrëfejnë se vëllai i tyre ishte mbytur në liqen, nuk mund ta gjejnë dhe kërkonin ndihmën time. Në ato momente, më thërret nëna, unë dal, bëhem kinse nuk po i njoh. Ma qet dorën në kraharor, më përkëdhel dhe më thotë: “Ismail, e paskan një rast tragjik dhe kërkojnë ndihmën tënde. Shko! Hallall të qoftë gjiri që ta kam dhënë dhe amanet po ta la, mos u merr para”. Amanetin e nanës jam munduar ta çoj në vend dhe deri me tani i kam nxjerrë 547 viktima nga liqenet, lumenjtë dhe puset që i ka hedhë okupatori, kurrë nuk kam lejuar që dikush të ma jep një cent për këtë punë.
Deri në sa ditë ju kanë zgjatur kërkimet për ta gjetur trupin e mbytur?
Po ua tregoj një rast që ka ndodhur në Leposaviq. Nezir Buleshkaj, i cili kishte ardhur nga mërgimi në një vizitë familjare, makina e tij, bashkë me të bien në Ibër të Leposaviqit. Aksioni ynë ka zgjat 20 ditë derisa e kemi gjetur, uji e kishte bartur shumë larg dhe për 20 ditë nuk e kemi ndërprerë aksionin deri sa e kam gjetur trupin e pa jetë. Varet nga temperatura, thellësia dhe ku futet apo bie viktima.
Për ju sa është i vështirë takimi nën ujë me të mbyturin?
Takimi i parë ka qenë më i vështiri dhe nga ky moment jam munduar ta çoj amanetin e nënës në vend duke e kryer këtë punë në aspektin humanitar. Më pas, për mua më nuk ka qenë asgjë vështirë. Ndihem krenar kur e kam nxjerr fëmijën dhe ia kam dorëzuar prindit apo anëtarin e familjes. Pa asnjë interes personal.
Kënaqësia më e madhe e imja është që nga do që shkoj si në Shqipëri, qytetet e Kosovës, Novi Pazar kam një respekt jashtëzakonisht të madh se e kam kryer në aspektin humanitar. Për çdo vit familjarët e viktimave me thërrasin nëpër përvjetorët e tyre, me falënderojnë.
Ka patur raste kur me kanë pyetur: “Ismail a të merr gjumi?” U them: “çfarë pyetje!” “Të gjitha këto kufoma që i ke nxjerrë a i sheh në ëndërr?” U them: “jo!”. “Po t’ju kisha marrë pare, do i kisha pa në ëndërr…”.
Kur të bie në gjumë me kujtohen fjalët e familjarëve: “Zoti të ruajt!”, “Zoti të bekoftë!”, “Zoti të dhuroftë të gjitha të mirat në jetë për këtë ndihmëse që ti bën!”.
Si është ajo historia me fëmijën serb të mbytur?
Gjatë atyre viteve të okupimit kam qenë kryetar i Federatës së Sportit. Në vitin 1997, familjarët më thërrasin në telefon dhe tregojnë që është mbytur një fëmijë në liqenin Livoçit, dhe bashkëshortja me thotë: “Ismail, po të thërret një familje serbe, iu është mbytur fëmija dhe po qajnë”. Unë i thash: “mos ua jep numrin e telefonit dhe thuaju ka shkuar për Pejë”. Gruaja me thotë: “si me i gënjy?” Unë kam qenë i burgosur edhe i thashë: “ata po na burgosin, po na vrasin, dhe ti nuk ke mundësi të thuash se ka shkuar për Pejë…?!”
Në ora 23:00 vijnë dy makina nga Gjilani, dalin, ishin të mërzitur. “Na është mbytur fëmija qe 5 ditë e nuk po munden me e gjet”, më thanë. Avdyl Rama, i cili ka qenë në kryesi të LDK-së, më thotë: “shko!”. I thashë: “jo!”. “Pa kontaktuar me Ibrahim Rugovën nuk shkoj”.
Kam shkuar dhe kam takuar të ndjerin, Presidentin Ibrahim Rugovën me të ishte edhe Fehmi Agani. Atyre u thashë: “si të shkoj ta nxjerr një serb, ata po na burgosin, po na vrasin e unë me ua nxjerr fëmijën!”. Në atë moment Fehmi Agani me thotë: “Eh, Ismail hajt shko, inshallah krejt mbyten qashtu e ne i nxjerrim nga uji.” Ndërsa Presidenti Rugova me tha: “Veç një amanet po ta lë, pasi që janë zhytësit nga Beogradit mos hy në ujë me ta se mos po ta ndalin aparatin.” Kam vendosur të shkoj dhe aty ishin diku rreth 500 veta të mbledhur. Nga uji dalin zhytësit e Beogradit dhe thonë: “ne e përfunduam nuk mundemi me gjet. A do hysh sipas marrëveshjes?” U them: “po!”.
Me t’u futur në ujë si me ditë që është në atë vend, me të parën e kam gjetur viktimën. Kur dola nga uji ata që ishin mbledhur me duartrokitën. Ndërsa një serb me kishte sha prej inatit se e gjeti shqiptari.
Me kanë ftuar në darkë dhe duke me pa të zi me mustaqe kishin menduar se mos jam në parti të tyre. Ata me pyesin se cilës parti i takoj. U ngrita në këmbë dhe u thashë se i takoj partisë më të madhe në pushtet në krye me Presidentin Ibrahim Rugova dhe do t’ua citoj fjalët e tij: “Jeta nuk i takon as serbit, as boshnjakut, as turkut, ti kryje misionin tënd”. Më kanë duartrokitur dhe prapë me kanë pyetur se sa te kemi borxh? Prapë jam ngritur dhe u kam thënë ke kemi porosi nga Presidenti Rugova që këto punë i kryejmë në aspektin humanitar dhe prapë me kanë duartrokitur.
Nga të gjitha aventurat tuaja, a mund të na sillni ndonjë ngjarje nga më të rrezikshmet, por dhe më argëtueset?
Po u them të gjitha rastet kane qenë të rrezikshme. Argëtuese ka qenë skijimi mbi ujë. Po ua tregoj edhe një rast në fshatin Çubrel të Skënderajt ku ishin mbytur vëlla e motër në bunar dhe një plakë me thotë: “Drenica ka pasur gjithmonë trima, Azem e Shotë Galica, Shaban Polluzha, na lindi edhe një trim”, dhe me thotë: “o trim sa të kemi borxh?” U them: “borxhi më i madh që ju mos u mërzitni!”
Ngado që shkoj ndihem krenar se askush deri me tani nuk ka thënë që Ismaili ka marrë pare, dhe kjo me bënë të ndihem i lumtur dhe krenar. /tesheshi.com/