Demonstratat studentore të nisura më 11 mars 1981, dhe më vonë të 26 marsit dhe 1 e 2 prillit, janë ngjarje kulmore në historinë e re të Kosovës, pasi që ato dëshmuan botërisht vendosmërinë e paepur të popullit të Kosovës për realizmin e synimeve shekullore për çlirim dhe krijim të shtetit tw pavarur.
Bajram Kosumi, ish-kryeministër, një ndër organizatorët e demonstratave të vitit 1981(i dënuar me 15 vjet burg; i arrestuar me 26 mars 1981 dhe i liruar nga burgu, në bazë të amnistisë së përgjithshme për të dënuarit politike në Jugosllavi, me 28 nëntor 1990), në një intervistë ekskluzive dhënë për portalin mbarëkombëtar tesheshi.com ka thënë se demonstrata e ’81- shit çrrënjosën themelet e Jugosllavisë.
Kosumi thotë se ata që kanë organizuar demonstratat e kanë ditur se nuk ka kthim prapa: ose i pret burgu ose plumbi.
Intervistoi: Blendi Gashi
Keni qenë një nga organizatorët e demonstratave gjithë popullore të vitit 1981. Si i kujtoni ato dhe cili ka qenë ndikimi i tyre në rrjedhat e gjithëmbarshme politike?
Në vitin 1981 shqiptarët e Kosovës treguan se janë një shoqëri politike: ata u ngritën në këmbë, në një revolucion demokratik, për të kërkuar lirinë, e formuluar në kërkesën për Republikën e Kosovës. Kishte dy arsye të forta: shqiptarët nuk ishin jugosllavë dhe nuk donin të jetonin si shoqëri e rendit të dytë në një shtet i cili edhe në emrin e tij tregonte se ishte shtet i sllavëve; dhe dy, Jugosllavia po hynte ngadalë, por sigurt, në rrugën e humnerës, e shqiptarët, të cilët edhe ashtu nuk kishin pasur rol në krijimin e as në udhëheqjen e atij shteti, nuk donin të jenë bashkudhëtarë në atë rrugë humnere.
Disi ende flitet për atë se kush ishin organizatorët e parë të “Pranverës së Madhe të 81-shit”. Sipas jush cilët persona ishin ndër të parët që nisën organizimin e protestave dhe cili ishte veprimtari më në moshë që merrte pjesë në këto protesta?
Revolucioni në vitin 1981 kishte mjaft aspekte spontane, në kuptimin se secili që ka dashur dhe guxuar ka mund ta bëjë një veprim në të mirë të revolucionit. Mirëpo, ka pasur plot grupe politike, si quheshin atëherë “grupe ilegale” të cilat me vite ishin organizuar dhe përgatitur për të intensifikuar veprimet politike për lirinë e Kosovës. Udhëheqës i njëri prej këtyre grupeve kam qenë edhe unë. Thelbi i atyre lëvizjeve nuk është spontan, por rezultat i punës së mijëra atdhetarëve të organizuar nëpër grupe ilegale, e të cilët e ndiqnin politikën kombëtare të Adem Demaçit.
Nuk janë fshehtësi emrat e atyre që kanë organizuar 11 marsin e 26 marsin 1981: ata janë dënuar nga gjykata jugosllave nga 6 deri në 15 vjet burg për atë organizim.
Është fat i madh që shoqëria shqiptare në atë kohë ka krijuar një klasë të re intelektuale, e aftë për ta parë veten të lirë, dhe e guximshme për të vepruar për çlirimin e Kosovës.
A filloi Lëvizja Çlirimtare me nisjen e këtyre demonstrative, pra më 1981 apo kishte filluar më herët?
Lëvizjen për çlirimin e Kosovës dhe të tokave të tjera shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia në vitin 1912 dhe të “legjitimuar” padrejtësisht me Konferencën e Paqes në Paris (1918) ka filluar me Hasan Prishtinën, Kadri Prishtinën e shokët e tyre. Ajo ka pasur krahun luftarak me Azem Bejtën me shokë. Pas Luftës së Dytë Botërore, zjarrin e kësaj lëvizjeje e kanë mbajtur ndezur për dyzet vjet, Adem Demaçi e Metush Krasniqi me shokë. Vulën e fitores ia ka vënë Adem Jashari me shokë. Por në këtë histori një shekullore, viti 1981 paraqet kthesën vendimtare: fillon faza e fundit e çlirimit, për të mos u ndalur deri në fitoren përfundimtare më 1999. Kufiri midis shqiptarëve dhe Jugosllavisë është vënë në vitin 1981.
Çfarë konkretisht kujtoni me dhembje atë kohë dhe sa ka qenë e vështirë të depërtojë informata në atë kohë në mënyrë që të plasohet e vërteta se çfarë po ndodhte vërtetë?
E vërteta në atë kohë është përhapur dhe është mbrojtur me gjak dhe me mundim, çfarë është burgu, torturat e burgut, ndëshkimet e familjeve të të burgosurve etj. Ku ka mbrojtje më të madhe të së vërtetës nëse nëpër po thuajse të gjitha gjykimet organizatorët dhe pjesëmarrësit e demonstratave mbronin me zjarr, me vendosmëri të pashoqe idealet për lirinë e Kosovës? Edhe në vitet e gjata të burgut, të burgosurit politik ia patën arritur t’i mposhtin të gjitha intelektualisht, politikisht dhe njerëzisht kundërshtarët? Organet e burgjeve dhe inteligjencia policore serbe qe dorëzuar para vendosmërisë së të burgosurve politikë. “Këta janë të pa përmirësueshëm!”- kështu kanë thënë.
Një falenderim të madh duhet bërë këtu medieve amerikane dhe një pjese të medieve gjerman-folëse; ata përhapën në botë të parët të vërtetën e asaj se çka po ndodhte në Kosovë. Një falenderim të veçantë intelektualit arbëresh, Dhimitër Patituçit i cili i pari shkroi një artikull të gjatë në shtypin italian për të vërtetën se çka po ndodhte në Kosovë. Këto duhet të theksohen sepse shtypi jugosllav një kohë kishte heshtur ndaj zhvillimeve revolucionare e më pastaj u rreshtua në anën e politikës jugosllave, e cila e shpalli kundërrevolucion atë që ndodhte në Kosovë dhe e nxori ushtrinë në rrugë.
Na tregoni pak sa ka qenë e vështirë të organizohen këto protesta dhe a ishin ato një urë lidhëse për të organizuar më pas Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës?
Kushdo që ka pak informacion për një shtet monist e diktatorial e ka një pamje se si mund të duket organizimi i demonstratave. Ata që kanë organizuar demonstratat e kanë ditur se nuk ka kthim prapa: ose të pret burgu ose plumbi. Dhjetëra demonstrues janë vrarë, mijëra janë dënuar me burg, shumë prej tyre me dënimin maksimal 15 vjet burg, qindra prej tyre janë ndjekur jashtë Kosovës. Ka qenë jo një demonstrim, por një revolucion me çmim shumë të lartë. Por liria nuk ka çmim.
Gjithçka që ka ndodhur pas vitit 1981 është jehonë, vetëm në forma të ndryshme, e atij viti. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është jo vetëm jehonë, por edhe vepër konkrete e njerëzve të krijuar në revolucion që nga viti 1981. Kjo është një lidhje e drejtpërdrejtë.
Çfarë duhet të shërbejë përkujtimi i këtyre ngjarjeve kur kihet parasysh se ende shqiptarët e Luginës së Preshevës, por edhe ata në Maqedoni e Mal të Zi janë ndër qytetarët më të shtypur në Evropë ku askush nuk e dëgjon zërin e tyre?
Liria nuk është një fakt i dhënë një herë e përgjithmonë. Për lirinë duhet vepruar e sakrifikuar çdo çast e në çdo vend. Vetëm në këtë luftë të përhershme liria qëndron dhe zhvillohet. Të gjithë individët duhet të sakrifikojnë diçka nga kënaqësitë individuale për ta zhvilluar lirinë. Ndryshe liria shndërrohet në të kundërtën e vet.
Kujtimi për të kaluarën, në veçanti edhe për revolucionin në vitin 1981, është kujtim për ta zhvilluar idealin tonë për lirinë. Kjo duhet të jetë edhe mirënjohje për ata që kanë sakrifikuar aq shumë, deri edhe jetën e tyre, por më shumë se mirënjohje është testim i vetvetes së sotme, testim i shoqërisë së sotme se a jemi duke ecur mirë e drejt hapave të lirisë?
Edhe për shqiptarët për të cilët ende nuk është krijuar një garanci politike për zhvillimin e tyre të lirë vlen e njëjta. Liria duhet të meritohet çdo çast e në çdo vend. /tesheshi.com/