Këshillit Mbipartiak të një pjesë të opozitës shqiptare në Maqedoni të iniciuar nga lëvizja BESA, i është bashkuar së fundi dhe një personalitet, Mahmut Jusufi, ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, i dorëhequr nga ky post vitë më parë për arsye parimore, gjë e rrallë kjo ndër shqiptarë të dhënë me mish e shpirt pas pushtetit, pa pyetur për pasojat që u shkaktojnë popujve që udhëheqin. Njeri me diapazon të lartë kulturor e politik, me vetëdije të lartë fetare, kombëtare e shoqërore, ai zgjedh që këto kohë të vështira ta thotë sa mundet fjalën e tij për atë se çfarë mund të bëhet më mirë, sidomos për shoqërinë shqiptare të Maqedonisë…
Intervistoi: Mensur Krasniqi
I i jeni bashkuar së fundi Këshillit Mbipartiak. Sa akt politik e sa qytetar është ky i juaji?
Refleksi politik është akoma enigmatik në kuptim të cilësisë së saktë të saj, pasi variacionet e saj janë infinitive, ashtu që në aplikacionin e mundshëm është i mvarun prej shumë faktorëve dhe rrethanave relevante, kurse emëruesi i përbashkët është faktori njeri si racio dhe integjencë për veprim politik (si kuptim i gjërë) gjatë një periudhe (jetësore) duke u mbeshtetë në empirin pozitiv.
Establishmenti i mirëfilltë politik që krijon vlera bazohet në shkencë, ajo e cila me metodat e saja hulumtuese artikulon pozicione që të zbatohen dhe hyjnë në funksion shoqëror nga ana e subjekteve të cilët e udhëheqin një sistem shoqëror, natyrisht në të mirën e përgjithshme të popullatës ku vepron. Sa është qytetar veprimi politik, në kuptim të pyetjes kondicionale, si anëtar në Këshillin Opozitar, po aq është edhe politik, pra një simbiozë për një qëllim të vetëm: të jem në funksion të afirmimit të mundësive për ndërrim të situatës politike aktuale e cila është aq e rëndë sa që nuk mundet të përshkruhet, pra një mundësi për kontribut profesional për ndryshime, pasi gjendja shoqërore (në trevat shqiptare) aktuale është tepër e çoroditur. Ajo duhet të pësojë ndryshime, duhet të transformohet në binarë të shëndoshë, duhet të prodhojë vlera afirmative, duhet t’i eliminojë elementet sociopatologjike aktuale, gjëra të cilat duhet të ndërrohen patjetër, pasi në të kundërtën egziston rreziku i eliminimit egzistencial.
Këshilli Mbipartiak në princip duhet të jetë element koheziv për eliminimin e mundësisë së humbjes së votës shqiptare, për bashkëveprimin dhe bashkëpunimin e subjekteve opozitare në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në prill të 2016.
A ka diçka që u jep besim tek Këshilli Mbipartiak, më saktë tek BESA?
Amullia aktuale në skenën politike parazgjedhore në Maqedoni nën një; nën dy, gjendja e rëndë politike, ekonomike (si elemente bazike shoqërore) të familjes shqiptare dhe ajo qytetare ividividuale; dhe nga ana e tretë shpresa (si kategori psikologjike) për një të ardhme më të mirë, janë elementet parimore që duhet të dominojnë tek mendja e shëndoshë e elektoratit që do të dalë për në zgjedhje në prill të vitit të ardhshëm.
Besimi i popullatës shqiptare tek Këshilli Mbipartiak duhet të vjen si angazhim i vet Këshillit për gjetjen e modaliteteve për bashkimin e partive opozitare, në funksion të vlerësimit më të lartë të votës shqiptare si votë e një subjekti opozitar, pra një opozitë e bashkuar.
Partitë opozitare, si të disperzuara, vetëm e vetëm do ta begatojnë sërish fitoren e partisë që aktualisht është pozicionuar në qeverinë e Maqedonisë, duke i dhënë një shans asaj që në 4-vjeçarin e ardhshëm ta vazhdojë bashkëqeverisjen, me çka gjendja e pjesës dërmuese të popullatës do të përkeqësohet edhe më dukshëm në të gjitha sferat shoqërore, posaçërisht në fushën egzistenciale, asaj ekonomike situatë e cila do ta përkeqësojë edhe më tepër atë egzistuese.
Në anketën e re të Institutit për Hulumtimin e Politikave dhe Qeverisjes se Mirë janë publikuar ndryshime drastike në rejtingun e partive politike shqiptare në Maqedoni, ku vërehet një rënie e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe ngritje e theksuar e rejtingut të partive të reja opozitare e sidomos të asaj BESA. Gjithashtu, pjesa dërmuese e shqiptarëve janë deklaruar se nuk do të votojnë fare. Sa mund të jenë të besueshme këto të dhëna?
Rejtingu i partive politike është kategori virtuale, kështu që shpeshherë vjen në shprehje në mënyrë reale se cili garues i ka performancat më të mira që të jetë i pari në garën për ta fituar pushtetin, natyrisht në qoftëse institucioni që e zhvillon atë është me reputacion dhe i besueshëm. Ka raste kur vetë një parti, me porosi e bën detektimin e opinionit të zgjedhësve (natyrisht me kompensim të lartë financiar), vetëm e vetëm që të vjen në shprehje se votuesit kanë besim te ajo parti. Në rastin konkret, rënia e rejtingut të BDI-së dhe lartësimi i besueshmërisë tek Lëvizja BESA paraqet një refleks të ri në fushë-arenën politike të Maqedonisë, pozitë e cila aspak nuk duhet të miret si pozitë vetëkënaqësie apo të dëshpërimit të subjekteve që janë në listën e garuesve, përderisa qytetarët si votues do ta shfaqin vullnetin e tyre real në zgjedhje. Shumë herë institutet kanë gabuar në anketimet e tyre, gjë që është tepër e natyrshme.
Pra, besushmëria tek rejtingu është tepër irelevant, por si kategori parazgjedhore shumë e rëndësishme, posaçërisht tek ata qytetarë të papërcaktuar politikisht. Me plot të drejtë qytetari shqiptar (politikisht i papëcaktuari), nuk del në zgjedhje dhe arsyeja është tejet logjike. Për gati një çerek shekulli, qytetari shqiptar e humbi edhe atë që e kishte në kohën e veprimit monist, e humbi sigurinë personale, e humbi drejtën e punës në baza meritore, i humbi të drejtat sociale, e humbi shëndetësinë e mirëfilltë, e humbi shpresën për prosperitet, ndonëse në propagandat e veta partiake krejt këta kategori të humbura u premtoheshin atyreve se do të jenë edhe më të avancuara. Qytetari ynë gjatë gjithë këtyre viteve u ballafaqua me rrena, me josiguri, me detyrim për mitmarrje, me korrupsion, me jokualitet në shërbime, me përbuzje etj., nga ana e atyreve që në emër të tyre erdhën në pozita në ushtrimin e pushtetit.
Mosdalja në zgjedhje është shumë e theksuar si kategori revolte nga ana qytetarëve të ndershëm dhe bujarë, pasi ata e kanë humbur besimin në vlerat demokratike të cilat realisht i dëshirojnë, por që në praktikë përjetojnë të kundërtën. Opozita e bashkuar, në veprimet e mëtutjeshme, posaçërisht duhet që ta senzibilojë këtë kategori qytetarësh (realisht më tepër se gjysma e zgjedhësve), duke i favorizuar me përfaqësim (në nivele lokale dhe qendrore) nga vetë ata, dhe në këtë mënyrë dalëngadalë të vjen deri te motivizimi i popullatës për të dalë në zgjedhje.
Çfarë po ndodh me politikën shqiptare në Maqedoni, vit pas viti, kohë pas kohë, sikur vetëm humb terren tek njerëzit në rrafshin moral. Pse ndodh kjo?
Mos kërkoni arsyetim iracional. Për këtë gjendje ne vetë jemi fajtorë. Familja, si hallka më e shëndoshë e shoqërisë pësoi për pak vite ndryshime të shumta stihike, filloi shkatërrimi i vlerave tradicionale të cilat me zili kultivoheshin me shekuj. Rinia jonë u ballafaqua me të këqiat e kohës “moderne”, u ballafaqua me lokale të tipit kafiça (lexo alkolin); u hap hapësira që rinia të takohet me drogën; shkolla nuk është funksionale, nuk është në gjendje ta zhvillojë sistemin edikativo-arsimor për shkak të jokualitetit të kuadrit (çdo respekt për ata arsimtarë të ndershëm dhe të përkushtuar); prostitucioni merr përmasa alarmante; bixhozi merr përmasa katastrofale (paramendoni në qytetin tim në Tetovë vetëm një rrugë kryesore ka më shumë se 5 kazino, dhe për çudi ngjitaz me Universitetin), duke e shkatërruar rininë tonë edhe ashtu të shkatërrëuar.
Faktografia e lartëcekur është reale dhe simptomatike për një gjendje sociopatologjike që kërkon intervenim të menjëhershëm dhe primar. Politika nuk është politikë nëqoftëse ajo nuk është në funksion të eliminimit të elementeve devijative shoqërore nëpërmjet institucioneve të sistemit (përshembull dhënia e lejeve për komarhane në qendër të qyteteteve ku frekuenton rinia, mospërfillja e orareve të punës së lokaleve dhe kafeneve, shërbimi me pije alkolike të miturve etj.), posaçërisht në komunat ku kryetarë të komunave janë shqiptarë, duke qenë funksional në inspektimin e situatave degjeneruese, gjë që duhet patjetër të instalohen.
A ka nevojë faktori shqiptar për një ripërtëritje, një frymëzim të ri, kontratë të re me njerëzit, dhe a i ka kapacitetet njerëzore për këtë?
Sigurisht se ka nevojë për një ripërtëritje të situatës tepër të rëndë, duke nisur që me familjarët të cilët duhet të kenë kujdes për edukimin e fëmijëve të tyre, duke i luftuar jovlerat që janë të dukshme dhe duke i promovuar vlerat morale të mirëfillta nacionale dhe fetare. Mësuesit e kultit shpirtëror (hoxhallarët dhe priftërinjtë) të jenë me rininë me programe dhe qasje shkencore duke i motivuar ata për një jetë të dinjitetshme, kurse politika nëpërmjet programeve radio-televizive dhe mediave të shkruara, të fokusohet në dëmet që munden të sjellin gjësendet e dëmshme.
Kapaciteti i një njeriu është irelevant. Institutet e specializuara duhet që në baza programore, me detektime shkencore, të ballafaqohen me problemet e shoqërisë, posaçërisht rinisë. Në këtë kontekst, instucionet arsimore duhet në mënyrë tejet serioze të bëjnë përzgjedhjen e stafit udhëheqës shkollor, të drejtorëve dhe arsimtarëve me virtute të larta morale, për ta ushtruar funksionin e shenjtë, edukimin e gjeneratave.
Partitë politike , në programet e veta (posaçërisht ata që do të jenë në pushtet) si prioritet të përcaktojnë modalitete të veprimit për eliminimin e gjendjes dhe të jenë vigjilent në metodologjinë e zbatimit pikë së pari për zbutjen e situatës tepër të rëndë, e pastaj t’i zbatojnë ligjet pozitive duke i nxjerrë para gjygjësorit shkelësit e ligjeve, pasi shumë prej deviacioneve të përmendura sanksionohen si vepra kundërvajtëse dhe penale.
Jeni ndër të rrallët shqiptarë në raport me mbarë shqiptarinë, që në një moment keni dhënë dorheqje nga posti, aq më tepër nga një post i lartë si ai i kreut të Gjykatës Kushtetuese. Pse ndër shqiptarë mungon ky virtyt, pra ai i dorëheqjes kur e shohin që mund t’i hyjnë në hak një pune, e që mund t’u hyjnë në hak dhe njerëzve?
Pyetje tepër e qëlluar dhe interesante. Njeriu, si qenie me ndërgjegje për veprimet e veta ka përgjegjësi, duke filluar nga Krijuesi i tij e më tej ndaj rrethit më të ngushtë – familjes, si dhe ndaj shoqërisë ku jeton dhe vepron në bazë të parimeve të mirëfillta shoqërore, virtyteve dhe vlerave bujare. Pra, nëqoftëse je i sendërtuar shpirtërisht mbi këto vlera, akti i dorëheqjes është vetëm një sinjal se tek ti (si njeri publik), egziston sensi i vlerësimit të pozitës vetanake në kuadër të përgjegjësisë si kategori morale.
Sigurisht se në shpirtin e njeriut egziston kategoria e kërkesës së faljes si refleks i përgjegjësisë si individ, kurse për njeriun publik i cili është në një funksion shtetëror gjithashtu duhet e njëjta përgjegjësi të vlejë; në dallim prej personales, ajo është institucionale si demisionim apo dorëheqje nga posti që e ushtron.
Arsye e mungesës së dorëheqjes institucionale tek shqiptarët është kategori e humbur morale për arsye se ai nuk ka sens për përgjegjësi indiduale duke u mbrojtur nga struktura politike e cila e ka nominuar në post publik shtetëror; pra partia është mburojë për injorim të dështimeve me pretekst se nuk ka devijim nga programi i veprimit. Në dallim prej nesh, kategoria e përgjegjësisë tek popujt tjerë, si ai japonez, rezulton edhe më lartë se demisionimi me flijimin e jetës me vetëvrasje rituale – duke e kryer aktin e harikirit (sepuku). Jo rastësisht, ai popull ka një prosperitet të jashtëzakonshëm. Besoj se me këtë u kuptuam.
Një moral i ri në politikë, a parasheh dhe virtytin e dorëheqjes? Natyrisht që dorëheqja është një akt moral. A është mungesa e një morali handikapi më i madh i politikës shqiptare?
Pjesa e dytë e pyetjes suaj është si pikënisje për të parën. Demisionimi në ushtrimin e detyrave shtetërore dhe publike është akt politik individual apo grupor (dorëheqja e një ministri nga qeveria ose dorëheqja e tërë qeverisë) si shenjë e mospërfilljes së ideve dhe programeve të veprimit qeveritar, ose si humbje e besimit për mandatin e besuar. Tek popujt shtetëformues karriera e individit përcaktohet në baza parimore të meritokracisë, posaçërisht në qeverisjen dhe punët publike, duke qenë gjithmonë në shënjestër të opinionit dhe të mediave të pavarura dhe se shpesh, si akt moral individual, vjen deri te dorëheqja nga posti.
Historia e re në trevat tona nuk mundet të lavdërohet se ka pozicione të shprehura nëpërmjet segmentit të përgjegjësisë, edhe në raste të dështimeve eklatante individuale apo grupore, gjë që e vështirëson dukshëm prosperitetin politik. Ndoshta jam i pari që e braktisa pozitën e lartë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë, edhe si gjykatës i po asaj gjykate, dhe ndihem krenar se e ruajta dinjitetin tim personal dinjitetin e familjes dhe dinjitetin e gjykatësit. Jam i mendimit se rrethanat dhe arsyet reale për këtë veprim timin akoma nuk do t’i shpaloj, për arsye se ende nuk ka ardhur koha për atë. Një gjë është e sigurt, se për një hap të tillë kontribuan edhe politikanët shqiptarë.
Çfarë mund t’i jepni politikës, shoqërisë në përgjithësi, faktorit shqiptar, atij që po fuqizohet cdo ditë, një këshillë nga ju, një sugjerim, një direktivë që vjen nga përvoja juaj, vizioni dhe urtësia e fituar në vite?
Politikbërja në esencë është kategori shkencore dhe si e tillë duhet të kultivohet me përkushtim ndaj politikës me një sens pragmatik për të mirën e qytetarëve. Sugjerimi im është të punohet me zell qoftë si pozitë ose opozitë, me maturi dhe energji pozitive. /tesheshi.com/