Pjesë nga libri i papublikuar: “Aspekte historike për Tokën e shenjtë, arabët, hebrenjtë dhe palestinezët”, të autorit Behxhet Jashari
Çështja e Jerusalemit është një nga problemet më kontestuese të konfliktit arabo-hebre. Jerusalemi është i vetmi qytet në botë i cili paraqet asociacionin e tre religjioneve të mëdha botërore: hebraike, kristijane dhe myslimane. Që nga themelimi i tij e deri më sot, Jerusalemi ishte skenë e shumë ndodhive dramatike dhe shkak i shumë konflikteve.
Jerusalemi u themelua rreth vitit 1800 p.e.r. nga fisi arab jebusitët që e kishin prejardhjen nga kananitët (arabë të lashtë), të cilët kishin ardhur nga Gadishulli Arabik rreth 30 shekuj para erës sonë. Këtë qytet e quajtën Urshalim (Qytet i paqes. Thuhet se Urshalim do të thotë edhe Qyteti i Shalimit, perëndi i jebusitëve, ndërkohë që e ruajti edhe emrin e parë Jebus, sipas emrit të fisit të jebusitëve, madje ky emër është përmendur edhe në Tevrat.
Jerusalemi dhe e gjithë Palestina u banua nga arabët kananitë disa shekuj para se të vijë Ibrahimi (a.s.) në atë vend, i cili aty erdhi pasi migroi nga vendi i tij i origjinës Iraku.
Është me rëndësi të theksojmë se këtë vend e quajtën Toka Kenanite. Historianët shënuan se në këtë vend dikur ishin venduar disa pjesëtar të një fisi të ardhur nga Kreta e Mesdheut. Grekët e lashtë këtë fis e kishin quajtur philist/filist/, kur më pas edhe vendi në të cilin ata u vendosën e quajtën Filistinë (Palestinë). Ata në këtë vend e përvetësuan gjuhën e arabëve vendas autokton (të kananitëve) e kështu ndër shekuj edhe u arabizuan… Gjithashtu në rrethinat e këtyre viseve jetonin edhe moabidët, adomitët, medjenasit, etj. Në bazë të studimeve dhe artefakteve studiuesit përfundojnë se kananitët arabë në këto vise ishin vendosur rreth 5000 vite p.e.r. Sipas arkeologëve që nga periudha e mijëvjeçarit të pestë para erës së re (para Isaut a.s.) në rrethinën e Jerusalemit ekzistuan vendbanime të njerëzve. Banorët më të hershëm të njohur ishin kaananitët arabë, për të cilët besohet se këto rajone i kanë populluar 3000 vite para Isaut a.s., pra 1800 vite para ardhjes së izraelitëve. Besohet se amoritët arritën rreth 2300 vite para erës së re, ndërsa ndërmjet viteve 2000 dhe 1000 para erës së re pati edhe shpërngulje të tjera në territorin Kaanan, migrues të cilët erdhën nga Azia (Kaukazi dhe Turkestani). Gjatë asaj periudhe u vendosën huritët, hititët dhe hiksosët, të cilët ose kanë mbetur në atë territor dhe janë asimiluar tanimë me kaananitët arabë që gjendeshin aty ose kanë vazhduar më tej. Atëherë kur Abrahami – që sipas Biblës rreth vitit 1900 para Isaut/ Jezusit/ kaloi nëpër Jerusalem, pra 900 vite para se ta pushtojë Davidi – tanimë qyteti një kohë të gjatë ishte vend i shenjtë dhe qendër kulturore. Në tekstet egjiptase që në shek. 19 para erës së re paraqitet emri Urshaleem. Ndërmjet viteve 1800 dhe 1600 para erës së re Kaanani ishte nën sundimin egjiptas. Në të a.q. Pllaka të Amarit të zbuluara në vitin 1887 në Egjipt, janë gjetur shkresat nga viti 1400 para erës së re të cilat janë këmbyer ndërmjet Faraonit dhe princërve ose mbretërve të Kaananit. Disa prej tyre përmbajnë lutjen e mbretit të Ur-Shalemit dërguar Faraonit ku kërkohet ndihma për rezistencë kundër “habirëve” për të cilët thuhej se plaçkitin vendin. Në lidhje me këto orvatje izraelite flitet edhe në Dhiatën e Vjetër; Jozeu, XI, 14-15, ndërsa në Librin Gjyqtarët dhe në Librin e Parë të Analeve (Kronikat) të Dhiatës së Vjetër, Jerusalemi përmendet me emrin Jebus. P.sh. në Jozeu, XV, 63 thuhet: “Ndërsa jebuzejët të cilët jetonin në Jerusalem nuk mundnin t’i dëbonin bijtë e judës…”, etj.
Atëherë kur profeti dhe mbreti David rreth 1000 vite para Jezusit (Isaut a.s.) e mori Jerusalemin, bëri ndryshimin e emrit të qytetit duke e quajtur “qyteti i Davidit”.
Në Librin e Parë të Analeve (Kronikave), Kapitulli XI, vargu 5 thuhet:
“Atëherë banorët e Jebusit i thanë Davidit: “Nuk do të hysh këtu”. Por Davidi e pushtoi qytetin e fortifikuar të Sionit, që është qyteti i Davidit”. Këtu mund të kuptohet se nocioni Sion është me prejardhje kaananite dhe do të thotë kodrinë.
Të dhënat historike flasin se bijtë e Ibrahimit (Ismaili dhe Is’haku) ishin lindur në Palestinë. Në vitin 1876 p.e.r. Jakovi (Jakubi a.s.) nipi i Ibrahimit (a.s.), i biri i Is’hakut, së bashku me anëtarët e familjes së tij nga Palestina udhëton për në Egjipt. Faktet historike tregojnë qartë se bijtë e Israelitëve (familjet që erdhën nga Ibrahimi/Abrahami) në Palestinë (përkatësisht në Tokën e Shenjtë) kishin qëndruar vetëm për një periudhë të shkurtër historike, pasi që ata udhëtuan për në Egjipit dhe më nuk u kthyen asnjëherë në Palestinë. Me këtë kuptohet se pretendimet e hebrenjve se Is’haku (Izaku) është prej banorëve autokton të Palestinës (Tokës së Shenjtë), assesi nuk qëndron, pasi që në këto vende ata nuk jetuan vetëm se një brez i tërë. Po ashtu, dihet mirë se këto vise i kishin populluar mijëra vite më herët popuj tjerë (jo hebre), siç ishin kananitët arabë, si dhe popuj tjerë të vegjël në numër…
Beni Israilët (bijtë e Israilit (Jakubit) në Egjipt do të qëndrojnë 430 vite. Gjatë periudhës së sundimit të faraonëve në Egjipt, aty kah viti 1446 para erës sonë, Musa (alejhisselam) i nxori Beni Israilët (Bijtë e Israilit) nga robëria shumëshekullore faraonike.
Prej vitit 970-931 p.e.r. Sulejmani (a.s.) do të sundojë si mbret dhe si profet i Zotit, ndërsa në vitin 966 p.e.r. Sulejmani (a.s.) do ta ngritë Tempullin e shenjtë.Në shek. e X-të p.e.s. ose në vitin 931 p.e.r. rajoni hebre u copëtua në dy pjesë: Israel dhe Judejë.
Në vitin 721 para erës sonë, asirianët e pushtojnë Israelin, ndërsa Judeja të njëjtin fat e përjetoi në vitin 604 p.e.r.
Jerusalemi që nga fillimi, e deri në vitin 1000 p.e.r. – përveç kur kishte qenë i okupuar nga faraonët (shek. XV e deri në shek. XIII p.e.r.) – mbeti nën pushtetin e kananitëve arabë, gjegjësisht deri atëherë kur u pushtua nga mbreti dhe pejgamberi Davudi (Davidi). Ai e shpalli atë si kryeqytet të mbretërisë së Judesë, ndërsa më vonë, biri i tij Sulejmani (a.s.) aty e ndërtoi tempullin e njohur, gjë që theksuam më lartë. Thuhet se Sulejmani (a.s.) e ndërtoi tempullin që sot e quajmë al-Aksa, të cilin pas vdekjes së tij hebrenjtë e përdorën si tempull për t’i adhuruar idhujt… Ndërtimi i këtij tempulli – mesxhid al-Aksa është përfunduar dyzet vjet pas ndërtimit të Qabesë në Mekë. Ebu Dherr el-Gifari (r.a.) e kishte pyetur Muhammedin (s.a.v.s.):
“Cili është mesxhidi i parë i ndërtuar mbi tokë”? Ai (Muhammedi) është përgjigjur: “Xhamia e Haremit (Qabeja)”. Ebu Dherri pastaj e pyeti: “Pastaj cila xhami”?
Ai është përgjigjur: “Xhamia e El-Aksasë”.
Ebu Dherri përsëri e pyeti: “Sa vjet ka ndërmjet të dyjave”.
Ai u përgjigj dhe tha: “Dyzet vjet”.
Megjithatë, pasi që ndërroi jetë Sulejmani (a.s.) Judeja u bë shtet vasal i cili krejtësisht u rrënua nga babilonasit në vitin 587 p.e.r. Mbreti babilonas i cili e udhëhoqi pushtimin e Jerusalemit quhej Nabukodonosor (600-560 p.e.r.). Me këtë rast babilonasit plaçkitën çdo gjë dhe e rrënuan strukturën e tempullit të Solomonit (Sulejmanit a.s.). Nabukodonosori urdhëroi që të gjithë hebrenjtë të merren si skllevër në Babiloni ose të mbyten. Ky ishte një dënim i rëndë për hebrenjtë dhe fundi i cilit do organizim të pushtetit fetar hebre në Jerusalem dhe Palestinë, me një përjashtim të një periudhe të shkurtër kur gjatë periudhës së kryengritjes së makabejëve (164-163 p.e.r.) me Jerusalemin do të sundojnë sërish hebrenjtë.
Prej vitit 538 p.e.r. e deri në vitin 332 p.e.r. Jerusalemi ishte nën sundimin e persianëve. Në vitin 538 p.e.r. mbreti persian Kir ofron dekret përmes së cilit iu lejohet hebrenjve kthimi nga mërgimi (edhe pse pjesa dërmuese e tyre dëshironin të qëndrojnë në Babiloni). Me kthimin e hebrenjve në Palestinë ata e rindërtuan tempullin dhe atë e quajtën Tempulli i Dytë, mirëpo ata nuk kishin pushtet. Në vitin 332 p.e.r. fillon periudha e hegjemonisë greke. Pra, prej vitit 332 p.e.r. e deri në vitin 164 p.e.r. Jerusalemi u gjet nën sundimin helen, gjegjësisht nën pushtetin e administratës së Lekës së Madh.
Prej vitit 163 p.e.r. e deri në vitin 614 të erës së re Jerusalemi qëndron nën sundimin romak. Në vitin 20 p.e.r. Herodosi e rindërtoi tempullin e Sulejmanit (alejhi selam) dhe ky tempull vazhdoi të qëndrojë deri në vitin 70 të erës së re, respektivisht deri në kohën e profetit Zekerija (a.s.) kur ushtria romake nën udhëheqjen e gjeneralit Titus do ta shkatërrojë Jerusalemin dhe do ta djeg tempullin. Në të vërtetë ky ishte shkatërrimi i dytë i tempullit të Sulejmanit (a.s.). Më pas, në vitin 135 të erës së re perandori romak Adriani i pastroi rrënojat e tempullit – pasi që ai ishte rrënuar më parë nga bashkëfetarët e tij romakë dhe e ndërtoi një tempull të ri në vend të atij të vjetrit, mirëpo me qëllim që të adhurohen idhujt. Këtë tempull e quajtën Jupiter që ishte emri i hyjnisë romake. Tempulli Jupiter qëndroi deri në kohën e përhapjes së religjionit kristijan në Palestinë, gjegjësisht deri në fillim të shek. IV të erës së re, atëherë kur perandori Konstantin urdhëroi rrënimin e tempullit të Jupiterit dhe aty e ndërtoi një strukturë tjetër tempulli. Në të vërtetë, atëherë kur perandori romak Konstantin (v. 323) do ta përqafojë krishterimin si religjion perandorak, qendër e së cilës ishte Kostandinopoja (Stambolli i sotëm), edhe rajoni i Palestinës do të hyjë nën administrimin e Perandorisë Romake. Me këtë edhe do të fillojnë persekutimet e serishme kundër hebrenjve, kur edhe nuk do t’iu lejohet hyrja në Jerusalem.
Tempulli (mesxhidi) në Jerusalem të cilin e rrënuan romakët (e që kishte qenë në vendin e tempullit të Sulejmanit a.s.) ishte drejtimi dhe kibleja e parë islame për kryerjen e namazeve. Kjo godinë ishte ajo të cilën i Dërguari Muhammedi (s.a.v.s.) me rastin e udhëtimit të tij kozmik (Isra dhe Miraxh) e kishte parë, e të cilin më pastaj ua kishte përshkruar mekasve për t’a argumentuar udhëtimin e tij… Transmetohet se el-Bera Ibën Azib ka thënë: “Kur Muhammedi (s.a.v.s.) erdhi në Medine, ai qëndroi me xhaxhallarët e tij dhe u fal drejt xhamisë el-Aksa për 16 muaj”. (Buhari).
Po ashtu transmetohet se: “I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) është falur në drejtim të Bejt el-Makdisit për gjashtëmbëdhjetë ose shtatëmbëdhjetë muaj”. (Transmeton Buhariu, nr. 41 dhe Muslimi, nr. 525).
Transmetohet se në lidhje me mesxhidin al-Aksa dhe ligjërimet në të, Muhammedi ka thënë: “Ai (Jahja) i grumbulloi njerëzit në Jerusalem deri në atë kohë që xhamia al-Aksa u mbush aq shumë, sa që njerëzit qëndronin në ballkonet e tij”. (Tirmidhiu).
Gjatë periudhës ndërmjet viteve 323-614 të erës së re Jerusalemi do të jetë nën sundimin romak. Me ndarjen e Perandorisë Romake në vitin 395 në Lindore Bizantine (ku u përqendrua zhvillimi i kulturës kristijane të proveniencës helene) me seli në Kostandinopojë dhe Perëndimore (ku u përqendrua zhvillimi i kulturës kristijane e proveniencës latino-romane) me seli në Romë, de facto Palestina – me këtë edhe Jerusalemi – bie nën administrimin bizantin. Nën administrimin bizantin Palestina do të qëndrojë deri në vitin 614, kur atë do ta okupojnë sërish persianët. Në këtë gjendje do të jetë deri në vitin 628, kur me Palestinën sërish do të sundojnë bizantinët. Sundimi bizantin kësaj radhe do të zgjatë dhjetë vite, gjegjësisht deri në vitin 638, atëherë kur tërë Palestina dhe qyteti Jerusalem do të çlirohen nga myslimanët dhe kur ky vend do të hyjë nën administrimin mysliman.
Pra, Palestina (me këtë edhe Jerusalemi) u çlirua në vitin 638 nën udhëheqjen e kalifit Omer. Me ardhjen e kalifit mysliman Omerit në Jerusalem, kristijanët kërkuan nga Omeri që t’i dëbojë hebrenjtë nga Jerusalemi, gjë të cilën Omeri assesi nuk e bëri, por përkundrazi ai ua zgjati dorën e ndihmës dhe lirisë fetare. Historianët tregojnë se Abdullah bin Mervani dhe i biri i tij Velidi u kujdesen për ndërtimin dhe meremetimin e Tempullit të Shenjtë (mesxhidi Aksasë) dhe kupolës së verdhë, ndërsa tatimet e ardhura nga Egjipti për shtatë vite u ndalën për ndërtimin e riparimin e saj. Atëherë kur myslimanët e çliruan Palestinën, me këtë edhe Jerusalemin, vërejtën se romakët e kishin shndërruar tempullin (e Sulejmanit) në një rrënojë me qëllim që t’i zemërojnë hebrenjtë. Kalifi Omer urdhëroi që tempulli të pastrohet dhe të rregullohet mirë. Gjatë sundimit të kalifatit të Abdul Melik Ibn Mervanit u rinovua e tërë ndërtesa. Ndërmjet ndërtesave të cilat u sistemuan ishin xhamia dhe Kupola e Gurit. Këto u ndërtuan nën mbikëqyrjen e dijetarit të famshëm të asaj kohe Rexha Ibën Hajua, ndërsa kalifi Abdul Melik Ibn Mervani veçoi të ardhurat e shtatë viteve për projektin e rinovimit i cili përfundoi në vitin 73 sipas hixhrit. Në vitin 154 sipas hixhrit – gjatë kalifatit të Ebu Xhafer el-Mansurit – Jerusalemin e goditi një tërmet i fuqishëm dhe shkatërroi disa pjesë të xhamisë, e më pas kalifi Mensur urdhëroi rindërtimin e saj. Në vitin 1085 Jerusalemi do të bie nën sundimin e turqve selxhukë, nën administrimin e të cilëve do të qëndrojë 14 vjet, gjegjësisht deri në vitin 1099, kur Jerusalemi do të okupohet nga kryqtarët. Me këtë rast kristijanët do të kryejnë krime dhe masakra të mëdha kundër myslimanëve dhe hebrenjve. Nën sundimin e kryqtarëve Jerusalemi do të mbetet plot 88 vjet, gjegjësisht deri në vitin 1187, atëherë kur Jerusalemin do ta çlirojë komandanti i famshëm mysliman Salahuddin el-Ejjubi kur në betejën e Hittinit arriti suksese të mëdha.
Gjatë periudhës ndërmjet viteve 1099-1291 me Jerusalemin do të sundojnë herë selxhukët, e herë arabët, ndërsa prej vitit 1291 e deri në vitin 1517 me Jerusalemin do të sundojnë memelukët, pra plot 226 vjet.
Kështu pra, që nga viti 638, e deri në vitin 1517, Jerusalemi vazhdimisht ishte nën administrimin mysliman, me përjashtim të disa periudhave kur me këtë qytet sundonin kryqtarët (1099-1187) dhe mbreti gjerman Fridirihu II (1229-1239). Në vitin 1517 rajoni i Palestinës (si dhe Jerusalemi) u pushtua nga osmanët nën administrimin e të cilëve qëndroi deri më 9 dhjetor të vitit 1917, respektivisht deri atëherë kur u shpall Deklarata e Balfurit. Me shpalljen e kësaj Deklarate, Palestina mbeti zonë të cilën e kontrollonin britanikët. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Liga e Kombeve vendosi mandatin britanik në Palestinë. Në vitin 1923 Palestina hyn nën protektoratin britanik. Ky status ishte aktual deri në maj të vitit 1948, gjegjësisht kur edhe themelohet dhe shpallet shteti Izrael. Profesor Branislav Sinadinovski në librin e tij “Palestinsko nacionalno pitanje i bliskoistočna kriza” thotë: “Pas themelimit të shtetit izraelit ndodhën disa konflikte arabo-izraelite kur përfundimisht në vitin 1967 Izraeli e okupoi Jerusalemin nga shteti i Jordanisë”. Po ashtu, “në bazë të fakteve të parashtruara historike, kuptohet qartë se Jerusalemi ekzistoi disa shekuj para ardhjes së hebrenjve në Palestinë, si dhe pas shkatërrimit të mbretërisë judeje dhe deri me formimin e shtetit izraelit me këtë qytet sunduan babilonasit, persianët, grekët, arabët, turqit dhe britanikët, gjegjësisht më tepër se 1900 vjet Jerusalemi ishte qytet jo hebre, megjithatë, Izraeli nuk dëshiroi t’a pranojë faktin historik, duke pohuar se posedon “të drejtë të shenjtë” ndaj Jerusalemit dhe duke mbajtur qëndrimin se banorët e tij hebrenj rrjedhin nga hebrenjtë biblik. Mirëpo, një gjë e këtillë nuk është e vërtetë nga vetë fakti se migrimet masive hebreje në Palestinë në fillim të shek. XX u nxitën nga judaistët dhe nuk kishin kurrfarë lidhje historike me hebrenjtë të cilët më parë jetonin në Palestinë gjatë periudhës biblike. Pranë kësaj një numër i madh i hebrenjve evroperëndimorë të cilët erdhën në Palestinë gjatë shek. XX ishin pasardhës të kozarëve: popull tatar nga Rusia jugore të cilët e kishin pranuar judaizmin në kohën e Sherlamanjit, ndërsa një pjesë e madhe e hebrenjve të Evropës Lindore nuk rrjedhin nga Palestina, ndërsa judaizmin nuk e kishin pranuar nga viset mesdhetare. Do të thotë se pohimet hebreje për lidhjen e vjetër judeje të hebrenjve me Jerusalemin nuk kishin mbështetje, sepse arabët palestinezë çdoherë ishin shumicë në qytet, madje edhe në periudhën e sundimit hebre. Për dallim nga hebrenjtë, banorët jo hebre të Jerusalemit nuk u dëbuan nga qyteti nga ana e babilonasve dhe romakëve. Gjatë periudhës së përhapjes së kristijanizmit ata e pranuan religjionin kristijan, ndërsa pas zgjerimit të arabëve pjesa më e madhe e saj e pranuan islamin, kështu që deri në formimin e shtetit izraelit, atëherë kur ajo (popullatë palestineze) ishte shpërngulur dhe kur iu pamundësua kthimi i tyre në Palestinë, në Jerusalem jetonin arabët palestinezë, pa dallim se a ishin ata kananitë, kristijanë ose myslimanë”.
Pra, do të vërejmë se nga viti 587 p.e.r., atëherë kur përfundoi sundimi hebre në Palestinë, e deri në fillim të shek. XX (v. 1917), me Jerusalemin vazhdimisht sunduan kristijanët, myslimanët, arabët dhe turqit. /tesheshi.com/