Autoriteti Holandez për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (AP) i ka urdhëruar Ministrisë së Çështjeve Sociale dhe Punësimit (SZW) që të shkatërrojë të dhënat personale të mbledhura fshehurazi dhe në mënyrë të paligjshme mbi anëtarët e komunitetit mysliman brenda dy muajve.
Administrata shpjegoi në një deklaratë se Ministria e Çështjeve Sociale dhe Punësimit shkeli ligjin duke mbledhur këto të dhëna si pjesë e hetimeve sekrete të kryera midis viteve 2016 dhe 2019, gjatë të cilave u monitoruan myslimanët dhe institucionet islame.
Ministria punësoi një agjenci private hetimore që i dërgoi punonjësit e saj në mënyrë të fshehtë për të vizituar xhamitë dhe për të mbledhur informacione rreth myslimanëve. Doli që hetimet e tyre u përqendruan në të paktën 31 persona.
“Mbledhja e të dhënave personale në këto hetime ishte e paligjshme sepse nuk kishte bazë ligjore dhe Ministria nuk ishte transparente në lidhje me të. Ishte gjithashtu diskriminuese sepse shënjestra ishin kryesisht myslimanë”, tha në një deklaratë Aleid Wolfsen, president i Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Ky skandal u zbulua nga një gazetë holandeze në tetor 2021, duke pretenduar se të paktën dhjetë bashki holandeze kishin punësuar një agjenci private hetimore për të mbledhur ilegalisht informacione rreth myslimanëve, xhamive dhe institucioneve islame.
Shteti “i etiketon myslimanët”
Avokatja Samira Sabir, e cila nisi procedurat ligjore në emër të disa myslimanëve, i tha Agjencisë Anadolu se Ministria e Çështjeve Sociale mblodhi dhe përpunoi në mënyrë të paligjshme të dhënat personale të imamëve, administratorëve të xhamive dhe predikuesve që luajnë një rol aktiv në komunitetet myslimane në Holandë.
Ajo shtoi se Ministria bëri “klasifikime të individëve të tillë si anëtarë të lëvizjes Selefi(!) ose anëtarë të Vëllazërisë Myslimane, dhe më pas e ndau atë informacion”.
“Qëllimi ynë është të sigurohemi që të gjitha të dhënat të fshihen, por së pari duhet të përcaktojmë saktësisht se çfarë informacioni ekziston dhe me kë është ndarë. Ende nuk e dimë saktësisht se sa të përhapura kanë qenë këto të dhëna, prandaj jemi të vendosur të kalojmë nëpër procesin ligjor”, shpjegoi avokatja.
Ajo theksoi se këto ngjarje “shkatërruan plotësisht perceptimin e myslimanëve në Holandë se bashkëpunimi me shtetin, transparenca dhe dialogu mund të parandalojnë diskriminimin ndaj tyre”.
Mungesë besimi
Dogukan Ergin, një anëtar i parlamentit nga Partia Denk, tha se përgjigjet që morën nga Ministria e Çështjeve Sociale për pyetjet parlamentare në lidhje me rastin nuk ishin të kënaqshme.
Ergin beson se shteti holandez “zbaton një politikë arbitrare ndaj myslimanëve, të bazuar në mosbesim dhe përjashtim”.
“Ata na japin deklarata të tilla si: ‘Nuk e dimë se si ndodhi dhe ky nuk ishte qëllimi ynë. Ne thjesht po përpiqeshim të monitoronim të rinjtë që udhëtonin për në Siri'”, shtoi ai.
Një deputet holandez paralajmëroi se agjencitë qeveritare mund të vazhdojnë të përdorin të dhënat pavarësisht një urdhri nga Autoriteti i Mbrojtjes së të Dhënave. Ai tha se ky informacion mund të ndikojë negativisht në mundësitë e myslimanëve për të gjetur punë në sektorin publik dhe ata gjithashtu mund t’i nënshtrohen një shqyrtimi të padrejtë në banka.
Infiltrimi midis besimtarëve
Muhsin Koktas, president i Këshillit për Komunikim midis Shtetit dhe Myslimanëve (CMO), tha se hetimet u kryen fshehurazi midis viteve 2016 dhe 2019 në bashkëpunim me komunat dhe Organin Koordinues Kombëtar për Luftimin e Terrorizmit (NCTV).
“Hulumtuesit shkuan në xhami pa thënë se po bënin kërkime. Ata u sollën sikur ishin besimtarë. Ata bënë kërkime shumë të hollësishme, si për shembull kush me kë po fliste dhe kush ishte në konflikt me kë.”
Ai i përshkroi hetimet si spiunazh, duke vënë në dukje se Ministria jo vetëm që e zbuloi këtë rast, por ai doli në dritë falë shkrimeve të një gazete holandeze.
Koktas beson se nuk mjafton vetëm shkatërrimi i këtyre të dhënave, prandaj ai bëri thirrje për zgjidhjen e problemit të mungesës së besimit që ky rast ka shkaktuar tek myslimanët.
“Tani ekziston një ndjenjë midis myslimanëve se të gjithë janë nën mbikëqyrje. Ne nuk trajtohemi më si qytetarë të zakonshëm, ndaj mendojmë se duhet të jemi diskretë.” /tesheshi.com/