Dy golat kundër Milanit, sikur e kanë risjellë në vete sulmuesin e Juventusit, Gonzalo Higuain. Jo vetëm për fitoren që i dhanë skuadrës së tij, por edhe për faktin se ato gola ishin i 100-ti dhe i 101-ti për argjentinasin.
E “urithët” e statistikave, bëjnë të ditur se vetëm dy sulmues kanë arritur të shënojnë 100 gola në 2 prej 5 kampionateve kryesore të Europës: pikërisht Higuain dhe Ibrahimoviç.
Por dy golat kundër Milanit, kanë edhe një tjetër vlerë, disi më “historike” për El Pipita-n, siç e thërrasin 29-vjecarin. Ai ka thyer një rekord që mbante francezi Trezegue, i cili kishte arritur shifrën 100 të golave të shënuar, në 155 ndeshje të luajtura. Ndërsa Higuain i shënoi 100 gola, pas 153 ndeshjeve të luajtura.
Argjentinasi rrëfen se ka patur edhe faktorë të jashtëm që kanë ndikuar në rikthimin e formës së tij sportive. Mosgrumbullimi me Kombëtaren e Argjentinës, si edhe një dietë e fortë, kanë bërë që të përqëndrohet tek ulja e kileve të tepërta, si edhe në fokusimin për përgatitjen fizike.
Ndërsa mes miqve që i kanë qëndruar pranë, edhe kur kishte inflacion golash, ai evidenton portierin Bufon, i vetmi, sipas tij, që e inkurajoi për rigjetjen e shpejtë të golit. /tesheshi.com/