Kryeministri Ramush Haradinaj është takuar me anëtarët e Komisionit Shtetëror për shënimin dhe mirëmbajtjen e kufirit. Në një publikim në faqen e tij në Facebook, ai ka shkruar se janë dakorduar për përgatitjet për takimin me homologët malazezë për shënimin dhe korrigjimin e kufirit me Malin e Zi.
“Takim pune me anëtarët e Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit, me të cilin dakorduam për përgatitjet që po bëhen për takim me homologët malazezë për shënimin dhe korrigjimin e kufirit shtetëror me Republikën e Malit të Zi”, ka shkruar Haradinaj.
Me 25 gusht 2015, Kosova dhe Mali i Zi patën nënshkruar në Vjenë marrëveshjen për kufirin shtetëror në mes këtyre dy shteteve.
Marrëveshja u nënshkrua atë kohë nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Hashim Thaçi, si dhe ministri i Brendshëm Skënder Hyseni, ndërsa nga pala malazeze kishin nënshkruar zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Igor Llukshiç, si dhe e ministri i Brendshëm Rashko Konjeviç.
Sipas Haradinajt, Kosova nga ky proces ka humbur mijëra hektarë tokë, ndërsa qeveria e atëhershme ishte e bindur se nuk kishte humbur asnjë metër katror. /tesheshi.com/