Oazet në oborret e shkollave do të sjellin përfitime për studentët dhe qytetin, por shpallja e tyre publike mund të provohet kontraverse në një qytet në alarm.
Është vetëm 10 e mëngjesit, por nxehtësia tashmë ngrihet nga asfalti në shkollën Riblette, një institucion arsimor fillor në periferinë e Parisit. Zyrtari i emergjencave tregon me gisht oborrin e poshtëm të shkollës, një kurth klasik vaposjeje: rrethuar nga mure betoni që reflektojnë brenda dritën e diellit. Në korrik, temperaturat në këtë oborr arritën në 55 gradë celsius.
“Për tre ditë më radhë, aktivitetet e shkollës ndaluan”, thotë ai. “Nuk ishte e mundur që fëmijët të studionin apo të qëndronin në kopshtin e shkollës. Me duhet t’ia ndalonim për shkak se ishte 55 gradë celsius – mund të skuqje një vezë në tokë”.
Shkolla Riblette është shkollë pilote për projektin Oaz, një plan për të shndërruar oborret prej betoni të shkollave të Parisit në “ishuj freskie”. Qëllimi është të mundësohet lehtësim gjatë periudhave të nxehtësisë ekstreme, dhe ndoshta uljen e temperaturave në një qytet që ka mungesë të dëshpëruar të hapësirës së gjelbër.
Zyrtari Maire shpjegon se oborret e jashtme në këtë shkollë do të transformohen: një mur i gjelbër këtu, një zonë e mbjellë me perime atje, zgjerimi i zonave me hije. Do të ketë pemë të reja dhe sipërfaqe speciale që do të përthithin ujin kur të bjerë shi.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, gjithë 800 shkollat e Parisit do të transformohen në hapësira të gjelbra deri në vitin 2040.
Por, nëse pemët dhe bimët nuk sjellin kundërshti, dy hapat e mëtejshëm të skemës mund të provohen më të vështirë për t’ia justifikuar qytetit. Maire, së pari, dëshiron që këto hapësira të reja të sapondërtuara të jenë të hapura për njerëzit në nevojë gjatë valëve të të nxehtit dhe me gjasa, edhe publiku i gjerë mund të përfitojë prej tyre po ashtu – sigurisht pas orëve të shkollës.
“Deri në vitin 2050, ne do të kemi 800 vende të freskëta në qytet duke përdorur infrastrukturën shkollore”, thotë ai duke argumentuar se kjo është një alternativë më e mirë sesa dërgimi i njerëzve në nevojë në supermarkete apo kisha.
Lina Liakou, drejtore rajonale për Europën në projektin e 100 qyteteve të fondacionit Rokfeler që mbështet edhe Parisin thotë për hapësirat e gjelbra: “Këto hapësira jo vetëm adresojnë sfidat mjedisore por po ashtu përmirësojnë kohezionin social dhe krijojnë një mjedis më të mirë për njerëzit rreth tyre”.
Por, hapja për publikun e shkollave, që tashmë ngjajnë si fortesa, nuk është një ndërmarrje e lehtë në një qytet që ende është në gjendje alarmi të lartë. Sulmet terroriste kanë vrarë 150 persona që prej vitit 2015. Masat e larta të sigurisë e bëjnë të vështirë edhe për prindërit aksesin në shkolla. Projekti në këtë pikë nuk është finalizuar ende, por autorët thonë se është një sfidë për Parisin dhe duhet parë sesi do të funksionojë.
Maire është i palëkundur. Ai thotë se hapësirat e gjelbra do të mbahen të pastra dhe të sigurta, dhe se asnjë nuk do të detyrojë shkollën të hapë dyert për publikun nëse prindërit dhe mësuesit nuk dakordësohen.
Ai vë në dukje se valët e të nxehtit kanë vrarë më shumë njerëz në Francë sesa terrorizmi: 580 njerëz humbën jetën në një javë të vetme gjatë të nxehtit të vitit të shkuar, dhe vala evropiane e të nxehtit në vitin 2003 vrau 14 800 njerëz.
Maire po ashtu argumenton se grumbullimi i njerëzve në kopshtet e shkollave është një pjesë thelbësore për ta bërë Parisin më reagues ndaj terrorizmit – duke e vendosur veten në këtë mënyrë në një kontrast të fortë me shtetin francez.
“Ata kanë ndaluar njerëzit nga organizimi i gjërave të vogla së bashku për shkak të terrorizmit. Me fjalë të tjera kjo do thotë: nëse një i çmendur dëshiron të kryejë diçka, ne nuk do të jemi në gjendje ta parandalojmë. Le të pushojnë së gënjyeri njerëzit”.
“Shqetësimi ynë është shumë më tepër sesi shoqëria mund ta përballë rrezikun dhe të reagojë. Cila është mënyra? Të njohësh fqinjët, të bësh gjëra me njerëzit. Jo të qëndrosh vetëm para televizorit i tmerruar nga terrorizmi”.
Ndërsa sa i takon ndikimit që do të kenë hapësirat e gjelbra në shkolla për të ulur temperaturat në gjithë Parisin, kjo mbetet e paqartë. Ka të dhëna se më shumë gjelbërim në Paris mund ta freskojë qytetin.
Por, kjo do të ndodhë nëse më shumë se një mijë hektarë bëhen të gjelbër në dekadat e ardhshme. Së bashku, kopshtet e shkollave të Parisit janë vetëm 80 hektarë dhe ato nuk do të jenë krejtësisht të gjelbra: shkolla Riblette po mban një prej fushave të veta me asfalt që nxënësit të luajnë sport.
Vala e fundit e të nxehit në Paris ishte një zgjim. Deri në fund të shekullit, vlerësohet se do të ketë 30 ditë me nxehtësi ekstreme në qytet mesatarisht çdo vit. “A mund ta përballojmë që të kemi 30 ditë pa arsim çdo vit?, pyet zyrtari i Emergjencave. “30 ditë janë shumë – krejt brezat do të vuajnë nga ndryshimet e klimës”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/