Zylfije Haklaj, e quajtur ndryshe dhe si “Shota” e Haklajve, ka ngritur një padi ndaj ish-kryeministrit Berisha, njëherësh bashkëkrahinor i saj, duke e akuzuar për shpifje.
Sipas Shqiptarja.com që publikon këtë fakt, shkak ka qenë një deklaratë publike e ish-liderit demokrat, ku ka akuzuar gazetarin e njohur Artan Hoxha, si pjesëtar të së ashtuquajtur prej tij bandë Haklajve. Por Zylfija nuk pranon as njërën e as tjetrën.
“Kushti kryesor për ekzistencën e shpifjes është që faktet, pohimet, të cilat nxirren dhe përhapen, duhet të jenë të pavërteta dhe të jenë të natyrës së tillë që mund të dëmtojnë nderin dhe autoritetin e personit tjetër apo siç pretendohet nga i dëmtuari në rastin konkret, emrin e mirë dhe reputacionin e familjes tonë, familjes Haklaj. Mbi bazë e këtyre fakteve kërkoi deklarimin fajtor të të akuzuarit Sali Berisha për kryerjen e veprës penale të parashikuar në nenin 120 të Kodit Penal, dënimin e Sali Berishës me gjobë në kufirin maksimal e parashikuar në ligj si dhe detyrimin të publikojë vendimin e gjykatës, duke parashtruar se me veprimet e kryerja me dashje, i akuzuari ka konsumuar elementët e kësaj vepra penale”, thuhet në kërkesëpadinë e gruas simbol të Haklajve, të mbetur gjallë pas asaj plojeje të pas viteve ‘2000, ku Kulla e Haklajve sulmohej deri me armatim të rëndë, në një konflikt mes fisesh me prapavijë politike, duke regjistruar me dhjetra të vrarë.
Artan Hoxha është njeriu që është marrë me Dosjen e Tropojës, duke zbardhur shumë prej vrasjeve dhe arsyeve të nëndheshme të tyre. /tesheshi.com/