Ish-kryeministri malajzian, Najib Razak u paraqit mëngjesin e kësaj të marte në Zyrën e Inspektorit antikorrupsion, për të dhënë llogari mbi pasurinë e gjetur e që u sekuestrua në tre banesa të tij pak ditë më parë. Ishte ajo ndër shfaqjet e rralla të grykësisë së një pushtetari ku policia ngarkoi në kamionë 284 kuti me para, stoli dhe sende luksoze.
E megjithatë, ai u shfaq i qeshur në publik.
Prokuroria e akuzon atë për një rrjepje të 681 milionë dollarëve nga një fond investimesh, të futura në pesë llogaritë e tij bankare.
Por kritikët e Razak shpesh akuzojnë gruan e tij Rosmah Mansour për shpenzime të tepruara, që më pas kanë çuar në futjen e duarve te fondet publike.
Ajo ishte e njohur për blerjen e çantave të grave nga disenjatorët më të famshëm të botës dhe bizhuteri të çmuar, duke nxitur heraherës debate në Malajzi. Si llogari e thjeshtë është marrë fakti se paga vjetore e kryeministrit ishte 60,000 euro, ndërsa vetëm një çantë Hermes Birkin kushton rreth 250,000 euro.
Më tej, nga një hetim i Departamentit amerikan të Drejtësisë është konstatuar se rreth 30 milionë dollarë nga fondi janë përdorur për të blerë bizhuteri për bashkëshorten, duke përfshirë një diamant të rrallë prej 22 karatësh, i vendosur në një gjerdan. /tesheshi.com/