Një tjetër emër me peshë publike në Maqedoni, i është kundërvënë liderit në pushtet të VMRO-së, Nikola Gruevski; madje me një gjuhë të rëndë akuzuese. Kështu, diplomati dhe profesori universitar, Gjorgji Spasov nëpërmjet një postimi në rrjetin social facebook ka shkruar se lideri i partisë maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski ka luajtur mendsh. Ai Gruevskin e përshkruan si narcizoid, i cili nuk pranon konkurrencë.
“Gruevski ka luajt. Më në fund. Kjo lloj paranoje seriozisht është e rrezikshme për shtetin. Ai ende jeton me bindjen se gjithçka që po ndodh është për shkak asaj se njerëzit nuk e dijnë se ai sa është i mirë dhe se sa konkurrentët e tij janë të këqij. Shihet qartë se sëmundja e tij është e pashërueshme dhe alergjike”, ka shkruar profesori Spasov.
Ndërkohë, një ditë më parë Gruevski lëshoi akuza ndaj miliarderit George Soros, si financues i LSDM-së, partisë rivale, të cilën ai e quajti si kriminale. M.Krasniqi – /tesheshi.com/