Marrëveshja mes BE-së dhe Turqisë ka nisur të funksionojë, ndërsa Greqinë e kanë lënë refugjatët e parë. Ministri i Brendshëm i Turqisë ka deklaruar se vendi i tij është gati të presë 500 refugjatë këtë të hënë, teksa autoritetet greke kanë bërë gati 400 emra, edhe pse shifrat mund të ndryshojnë me kalimin e orëve.
135 refugjatët e parë janë shoqëruar për në dy tragete agimin e kësaj të hëne në ishullin Lesbos, e përmes tyre do të mbarten për në Turqi. Masat e sigurisë janë të rrepta, e mbikëqyrjen e lëvizjes së refugjatëve e bën dhe Frontex-i, agjencia e BE-së për mbrojtjen e kufirit.
Shpërnguljet nisin me ata që nuk kanë aplikuar për azil, apo aplikimet e të cilëve janë deklaruar të papranueshme.
Refugjatët në Greqi janë ankuar për mungesë informacioni për procedurat e aplikimit për azil, kurse ka dhe prej atyre që nuk kanë qenë të vetëdijshëm se mund të kthehen.
Marrëveshja për kthimin e refugjatëve nga Greqia për në Turqi është kritikuar fort nga grupet e të drejtave të njeriut.
Kjo marrëveshje u nënshkrua në mars mes BE-së dhe Turqisë, me synimin për ta ndaluar vërshimin e refugjatëve drejt Europës. /tesheshi.com/