Vazhdon diskriminimi gjinor në Maqedoni. Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministria e Shëndetësisë ku prezantuan përgatitjen për ratifikimin dhe zbatimin e “Konventës së Stambollit” – miratimin e politikave dhe praktikave më të mira për eliminimin e dhunës ndaj grave.
Ishte koordinatorja e përhershme Kombeve të Bashkuara, njëherësh përfaqësuese e Programit për Zhvillim të KB-së, Louiusa Vinton, e cila vuri në dukje një statistikë të tmerrshme lidhur me diskriminimin e gruas në Maqedoni. Sipas statistikave që i paraqiti ajo, një në çdo tre gra në Maqedoni janë viktimë e një forme të dhunës me baza gjinore.
“Vështirë gjenden të dhëna të sakta, por duket qartë se sipas statistikave nga vendet tjera, një në çdo tre gra në Maqedoni gjatë jetës së saj do të jetë viktimë e një forme të dhunës me baza gjinore. Në suaza botërore kjo do të thotë se një në çdo gjashtë persona në planet do të jetë viktimë e një dhune të tillë”, theksoi Vinton.
Ajo gjithashtu deklaroi se zbatimi i Konventës së Stambollit gjithmonë ka qenë prioritet i të gjitha organizatave të Kombeve të Bashkuara me zyrë në Maqedoni.
Ndërsa ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska tregoi formën më të lehtë të ratifikimit të Konventës së Stambollit, ku duhet intervenim nga shteti dhe mundësi për përdorimin e fondeve ndërkombëtare.
“Ratifikimi është një çështje, por vendosja e një mekanizmi që ajo konventë të jetë e zbatuar në Maqedoni kërkon mjete financiare dhe kushte të cilat drejtpërdrejt do t’u ofrohen qytetarëve”, u shpreh Carovska.
Më tutje, Carovska shtoi se dhuna seksuale dhe dhuna në familje janë përpjekje më dominante të dhunës në baza gjinore, por në Maqedoni shumë pak flitet për të dhe shumë pak raportohen rastet e tilla.
Në fund, ministri i Shëndetësisë Arben Taravari njoftoi se së shpejti në kuadër të kësaj ministrie do të hapen edhe tre qendra të tjera që do trajtojnë pikërisht diskriminimin e gjinisë femërore.
“Ministria e Shëndetësisë është e gatshme që këtë program ta zhvillojë në tre qendra të cilat do të hapen në Maqedoni për këta persona të gjinisë femërore që janë të diskriminuar. Ato tre qendrat do jenë në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë”, u shpreh Taravari.
Hapjes së qendrave për diskriminim të gjinisë femërore duhet ti paraprijnë disa ndryshime të ligjeve në Kuvendin e Maqedonisë. E gjithë kjo sipas bashkëbiseduesve pritet të realizohet para vitit të ri. /tesheshi.com/