Muslimanët në të gjithë Evropën po përballen me një rritje shqetësuese të racizmit të nxitur pjesërisht nga “retorika dehumanizuese anti-myslimane”, sipas agjencisë kryesore të BE-së për të drejtat e njeriut.
Këtë e tregoi një sondazh në të cilin pothuajse gjysma e të anketuarve myslimanë deklaruan se kishin përjetuar diskriminim. Hulumtimi, i publikuar nga Agjencia e BE-së për të Drejtat Themelore (FRA), u krye në mesin e 9600 muslimanëve në 13 shtete anëtare dhe tregoi se racizmi dhe diskriminimi përshkojnë shumicën e aspekteve të jetës së tyre.
Ata raportuan se fëmijët e tyre ngacmoheshin në shkollë, pabarazi në aksesin në mundësitë e punësimit dhe paragjykime kur bëhej fjalë për marrjen me qira ose blerjen e shtëpive.
Megjithëse sondazhi u përfundua përpara sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023, i cili çoi në reprezalje të ashpra në Gaza, agjencia me bazë në Vjenë tha se informacionet nga organizatat e shoqërisë civile dhe autoritetet kombëtare sugjeronin se numri i incidenteve anti-muslimane kishte vazhduar në rritje që nga shpërthimi i konfliktit. “Ne jemi dëshmitarë të një rritje shqetësuese të racizmit dhe diskriminimit ndaj muslimanëve në Evropë”, tha drejtoresha e agjencisë Sirpa Rautio.
“Kjo është nxitur nga konfliktet në Lindjen e Mesme dhe është përkeqësuar nga retorika dehumanizuese anti-myslimane që shohim në të gjithë kontinentin.” /tesheshi.com/