Nga Bardha Nergjoni
Kur motoja e realizmit socialist, “Gratë të barabarta me burrat” shikohej edhe në zanate të vështira si ai i mekanikut, Agimja nuk ishte nga ato që sfiduan kohën. Ajo përfundoi pa dëshirë në mekanike, por u kthye në riparuesen më të mirë të pompave të karburantit që mund të gjesh në Shqipëri. Të gjithë e njohin Gimen. Është e e fjalës, punëtore, e papërtueshme dhe ka nam të mirë për cilësinë e punës që bën. Agime Mëhalla është me orgjinë nga Gramshi, e martuar me një ish-metalurg, dhe e ardhur në Elbasan qysh nga vitet ‘80-. Profesioni që ka dëshiruar ishte krejt tjetër, por biografia e pengoi të ndiqte studimet në një fushë më të lehtë se riparimi i automjeteve. Nuk arriti të vazhdonte të njëjtën shkollë me motrën e saj binjake, por vazhdoi dy vjet për mekanike dhe dalëngadalë u kthye një ndër mjeshtret e rralla në këtë zanat në Shqipëri. Emri i saj qarkullon sidomos tek drejtuesit e automjeteve, të cilët kur janë në hall i bien telefonit të saj dhe gjejnë zgjidhje me pak shpenzime. Edhe pse mendonte tjetër profesion për veten, vendosi të vazhdonte si riparuese pompash në një repart burrash por me nuhatje dhe vëmendje prej femre. Ajo i ka luajtur me sukses të tri rolet: si një bashkëshorte e përkushtuar, një nënë e mirë dhe mekanike e zonja.
Me një mirësi që rrallëkush e ka, gjyshe e një nipi dhe mbese, Gimja gëzon dashurinë e familjarëve të saj, kënaqësinë e një zanati dhe respektin e të gjithëve që e zgjedhin për këtë lloj riparimi, i cili kërkon mjeshtëri, përqendrim dhe durim, cilësi të cilat Gimes nuk i mungojnë.
Për zanatin e 45 viteve dhe vështirësitë që ka kaluar Agimja sot 61 vjeç, sjell detaje për tesheshi.com
Agime, ju keni një emër që në fakt duket sikur lidhet me zanatin mashkullor që ushtroni. A ka një histori të veçantë ky emër?
Gjatë kohës së luftës familja ime ka strehuar partizanë në shtëpi. Për ca kohë kanë qëndruar dy partizane, njëra quhej Agime e tjetra Elvira. Aq lidhje e fortë u krijua me to, sa që prindërit vendosën nëse do lindnin vajza do të merrnin emrat e dy partizaneve. E kështu ndodhi. U lindën dy binjake dhe mua ma vendosën emrin Agime ndërsa motrës Elvira.
Si është historia që u bëtë mekanike pa dëshirë?
Edhe pse kishim kontribuuar për Lëvizjen, sërish kishim njërin gjysh kulak. Kjo bëri që i gjithë opinioni të ishte kundër nesh. Ata na kujtonin që ishim fëmijë me biografi të keqe e sado të përpiqesha nuk do kisha asnjëherë një profesion siç dëshiroja. Edhe pse ishim binjake na u ofruan bursa për mami dhe mekanike. Duke qenë se motra ishte pak më e dobët se unë, vendosëm që të isha unë ajo që do të vazhdoja për mekanike. Edhe pse u përpoqa të vazhdoj ekonomikun me korrespondencë, sërish më penguan dhe përfundimisht vendosa t’i përkushtohesha zanatit. Kështu fillova në Gramsh si mekanike. Kisha edhe vëllanë e punonim në të njëjtën ndërmarrje. Ishte punë e vështirë, me normë por më ndihmonte shumë ai. Kam filluar si mekanike qysh në moshën 16 vjeç. Ky quhej zanat me precizion të lartë dhe kërkonte shumë përqendrim dhe vlerësohej mirë në atë kohë, edhe pse puna ishte me normë.
Kur u zhvendosët në ofiçinën që vazhdoni të punoni edhe sot?
Që të martohesha dhe të vija në Elbasan duhet të gjeja më parë punë. Nuk doja në parkun e madh por në një ndërmarrje më të vogël. Pas shumë përpjekjesh fillova në ofiçinën e Ndërmarrjes Bujqësore. Eksperienca në Gramsh më ndihmoi shumë, madje kisha shumë punë. Pompistë nuk kishte dhe nuk ka shumë. Në kohën e demokracisë e privatizuam ofiçinën dhe bashkë me të tjerë vazhduam në sistemin privat.
Jeni ndjerë e paragjykuar si femër në një profesion që njihet si i meshkujve?
Jo, nuk jam ndjerë e paragjykuar. Kjo mendoj se erdhi ngaqë krijova përshtypje shumë të mirë qysh kur erdha nga Gramshi. Kisha eksperiencën. Më pyesnin shumë se si e kisha mësuar këtë zanat. Pak a shumë e njohën historinë time dhe e dinin nga vija.
Njihni të tjera gra mekanike?
Në periudhën që kam vazhduar unë ishim 25 vajza në shkollën dy-vjeçare në Durrës. Nga të 25-ta që vazhduam shkollën vetëm unë përfundova mekanike. Ato bënë punë të ndryshme por asnjë nuk u bë mekanike si unë. Kam njohur edhe një grua tjetër që ka punuar në Uzinën e Korçës, por edhe ajo u tërhoq. Jo, mesa di nuk ka të tjera gra mekanike.
Ju jeni mekanike nga ato të traditës me duar me graso dhe riparime mekanike. Si ju duket zhvillimi i mjeteve dhe teknologjisë?
Merrem kryesisht me mjetet që janë para viteve 2000 pasi më pas janë elektronike dhe nuk kam pajisjet e duhura për t’i riparuar.
Keni 45 vjet punë dhe nuk keni hequr dorë. Kur mendoni se do ta mbyllni me riparimin e pompave?
Edhe sot herë pas here më gjen në ofiçinë. Sa herë që më kërkojnë unë jam e gatshme. Më kanë ofruar mundësinë të jap mësim por u bëra gjyshe dhe vendosa të kujdesem për nipin dhe mbesën time. Tani jam 61 vjeç dhe marr pension të pjesshëm. Do të vazhdoj të punoj edhe pse është një punë e vështirë.
Sot që kanë kaluar kaq shumë vite në këtë zanat. Do t’ia sugjeronit femrave?
Jo! Është një punë e vështirë për femra. Më është dashur të sakrifikoj shumë por mendoj se nëse ekziston pasioni gjithçka mund të bëhet. Unë nuk do e rekomandoja për vajzën time. /tesheshi.com/