Një pjesë e medias, posaçërisht asaj online, thënë ndryshe portaleve, e gjithashtu dhe e asaj pjese të miletit që rri gjithë ditën me kokë në të, duke këmbyer anët më të ulëta, e para për atë çka servir dhe e dyta për atë çfarë gëlltit, u dehëen këto ditë nga një produkt i rradhës i “kamerës së fshehtë”, i cili kishte për shënjestër deputetin e njohur Musa Ulqini.
Nuk ia vlen të thuhet nëse Ulqini është i majtë apo i djathtë, i kësaj apo i asaj partie, pasi profili i tij publik në politikë, ç’prej sa është në të, në fakt ndër më të vjetërit, ia ka hequr shenjën partiake – PS. Për tiparet që ka, shijen etike që ka lënë në publik, faktin që kurrë s’ka qenë një njeri problematik, qoftë dhe në gjuhë e jo më në akte, që rrezaton pozitivitet në ato linja që shoqëria shqiptare i kërkon nga një politikan e s’i gjen, mund të qe dhe i PD-së, që padyshim ka patur e ka plot të tillë brenda saj. Ndoshta dhe naivë, por në finale pa zarar. E në këtë frymë, nga PD s’besohet të jetë kënaqur kush nga ajo që i ka ndodhur deputetit Ulqini.
Naiviteti është pjesë e pandashme e natyrës njerëzore, te kush më shumë e te kush më pak, në varësi të karakterit. Ashtu siç bëjnë pjesë në të dhe e kundërta e tij por jo domosdoshmërisht me vlerë morale; pra zgjuarësia, e cila në thelb mund të jetë djallëzore.
Autorët e kamerës së fshehtë ndaj deputetit Ulqini, dy gazetarë të njohur, por dhe të diskutueshëm në moral dhe etikë profesionale, me patjetër kanë ndjerë superioritet mental ndaj deputetit socialist, por aspak moral. Madje kjo e fundit, është shumë më ulëritëse në mungesën e fillit që e ka përshkruar aktin e kamerës së fshehtë dhe objektivin.
Një ikonë jo vetëm e profesionalizmit por dhe e moralit në gazetari, i ndjeri Fatos Baxhaku, nëse do i kishte patur vartës Drishtin dhe Shkurtin, do iu kish bërë pyetjen e thjeshtë nëse ata do ia kishin paraqitur si projekt: Cili është qëllimi final i kësaj pune dhe çfarë do përfitojë shoqëria në fund? Pra, pyetja pas telendisjes së deputetit Ulqini është: çfarë përfitoi shoqëria nga kamera e fshehtë me test të trukuar koronar ndaj Ulqinit?
Gazetaria, për vetë efektin që ka, është në njëfarë mënyrë dhe shërbim publik. E një shërbim publik, ka si vokacion terminologjik shërbimin ndaj njeriut në të mirë të njeriut.
Sepse, nuk është fjala për një zuzar në politikë, por për një njeri që, edhe në mos pastë bërë gjëra të mëdha për vendin, së paku dëm, me gjuhën e tij e sjelljen e tij nuk i ka bërë. Shoqërisë shqiptare nuk i ka ardhur dëmi nga të ndershëm naivë, por nga inteligjentë zuzarë, madje dhe kur këta të fundit quhen gazetarë.
Dyshja gazetareske, autore e kurthit, mund të gajasë dynjanë e lodhur shqiptare, por tej kësaj nuk vlen për asgjë. Eshtë thjesht një copëz “Portokalli” në gazetari me zero kontribut, apo më keq akoma, në mpirjen e çdo vetëdijësimi shoqëror në funksion të edukimit moral, munesa e të cilit është llahtara jonë, burimi i çdo marrëzie, siç dhe loja me deputetin Ulqini.
Duke i marrë të mirëqena e si normale ato produkte televizive që prodhojnë gajasje njerëzore, pa moral dhe me shumë imoralitet brenda, ne s’kuptojmë dot se në ç’moçalishte marrëzie kemi rënë, ku e qeshura jonë, në fakt është drama jonë.
Ne i gëzohemi naivitetit të një njeriu, pa marrë në konsideratë moralin e tij, e po ashtu dinjitetin e nëpërkëmbur të tij, duke mos e kuptuar se kjo ka një çmim të rëndë për një shoqëri: shprishjen e çdo kriteri gjykues mbi të mirën dhe të keqen, deri në shuarjen e plotë të këtij kufiri, ku jo e mira por e keqja nis e dominon dalëngadalë, duke fituar statusin e normales. /tesheshi.com/