Një takim i kushtuar Libisë është mbajtur sot në Vjenë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga më shumë se 20 vende. Takimin e kanë drejtuar sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe homologu i tij italian, Palo Gentiloni.
Përfaqësuesit e fuqive botërore kanë shprehur gatshmërinë për ta furnizuar me armë qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Libisë, si një përpjekje për ta ndihmuar të luftojë ISIS-in dhe grupet e tjera militante në vend.
Qeveria libiane e unitetit ka bërë të ditur se do t’i kërkojë OKB-së ta përjashtojë nga embargoja e armëve, në mënyrë që të sigurohen armët e nevojshme për të luftuar ISIS-in.
Sekretari amerikan i Shtetit tha në fjalën e tij se fuqitë botërore do ta mbështesnin Libinë në këtë kërkesë. Ai e quajti ISIS-in si një kërcënim të ri për Libinë, e se ishte e domosdoshme të ndalej përparimi i tij.
Kerry deklaroi se mbështetja për armatimin e qeverisë së unitetit ishte pjesë e një pakete masash për të cilat ishte rënë dakort në takim, ku një vend të veçantë zinte dhe ndihma joushtarake për Libinë.
Qeveria libiane do të paralajmëronte muajin e shkuar se nëse nuk ndalej shpejt, ISIS-i mund të shtrihej në pjesën më të madhe të vendit.
Që prej rrëzimit të Gaddafit nga pushteti pesë vite të shkuara, vendi është përfshirë nga kaosi dhe konfliktet midis grupeve rivale. /tesheshi.com/