Dy shtetas shqiptarë janë vënë në pranga për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike si dhe janë bllokuar në Shqipëri 5 milionë asete të grupit kriminal që u godit nga operacioni i policisë spanjolle në bashkëpunim DEA dhe EUROPOL.
Policia bën të ditur se është vendosur sekuestro preventive për llogaritë bankare dhe pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, të shtetasve Arjan Ndoci, Julian Deblini (Bedlini) dhe familjarëve të tyre.
Asetet e bllokuara nga Task Forca Speciale janë disa llogari bankare me shuma të konsiderueshme, aksionet në një shoqëri tregtare me aktivitetet në fushën e ndërtimit, një apartament, 8 apartamente të tjera, 2 dyqane, 4 garazhe dhe 3 automjete.
Shuma e aseteve te sekuestruara në kuadër të operacionit, e përllogaritur me çmimin e tregut, kap vlerën prej 5 milion Eurosh.
Sipas deklaratës së Policisë së Shtetit, gjithçka ka nisur pasi autoritetet policore spanjolle në bashkëpunim DEA dhe EUROPOL kanë arrestuar në flagrancë shtetasit shqiptarë: Arjan Ndoci, alias (Dritan Gradica, Ardjan Noka, Mondi Prenga, Mond Gjoni, Don Gjoni,) 41 vjeç, lindur dhe banues në Laç Kurbin dhe shtetasit Julian Deblini (Bedlini), vjec 35, lindur dhe banues në Lezhë.
Ata akuzohen për trafik droge, pas kapjes së një sasie prej 1.000 kg kokainë, e cila dyshohet se vinte nga Kolumbia si dhe të një shume prej 1.550.000 Euro cash. Policia thotë se këta 2 shtetas janë anëtarë të një grupi kriminal që zhvillonte prej kohësh trafik të lëndëve narkotike nga vendet e Amerikes Latine në drejtim te Europës. /tesheshi.com/