Komisioni i Apelit të FIFA-s e ka pranuar apelimin e dy skuadrave të kryeqytetit spanjoll, Realit dhe Atletikos, dhe ka vendosur ta pezullojë vendimin që i ndalonte ato të kryenin transferime lojtarësh në dy hapësirat kohore pasuese, në verën e këtij viti dhe në janarin e vitit të ardhshëm.
Vendimi që i ndëshkonte dy ekipet emblemë të Madridit qe marrë më 14 janar për parregullsi në lidhje me transferimet e lojtarëve të rinj.
“Reali i Madridit është njoftuar se Komisioni i Apelit të FIFA-s ka vendosur ta pezullojë përkohësisht sanksionin e vënë mbi klubin,” është shkruajtur në faqen zyrtare elektronike të klubit të famshëm madrilen.
E në Twitter-in e Atletikos është sqaruar, “Komisioni i Apelit të FIFA-s ka pranuar një pezullim të përkohshëm teksa është paraqitur apelimi ynë.”
Një dënim i ngjashëm qe dhënë për Barcelonën në prillin e 2014-ës për thyerjen e rregullave që pengojnë regjistrimin e të vegjëlve në çdo vend tjetër veç vendit të tyre, përveçse në rrethana specifike. /tesheshi.com/