Reali i Madridit dhe Atletiko e Madridit nuk do të lejohen të transferojnë futbollistë gjatë verës së këtij viti dhe janarit të vitit pasardhës. Lajmin e ka kumtuar shtëpia më e madhe e futbollit në botë, FIFA, që ka qartësuar se dy klubet e Madridit kanë bërë shkelje në rregulloren që mundëson transferimin e lojtarëve të moshave të vogla.
Komisioni i Disiplinës i organizmit botëror të futbollit i ka vërejtur shkeljet gjatë kalimit të disa futbollistëve të rinj nga vendet e tjera drejt Madridit, me ç’rast ka vendosur ta pezullojë merkaton e dy klubeve në dy periudhat e ardhshme kohore.
Një dënim të tillë pak më herët e ka patur edhe skuadra e Barcelonës, që tashmë e ka lënë pas atë. Dy klubet spanjolle priten ta apelojnë vendimin e FIFA-s, ndërsa një zgjidhje tjetër mbetet shfrytëzimi në maksimum i merkatos së këtij muaji. /tesheshi.com/