Udhëheqësi revolucionar i Kubës, ish-presidenti 89-vjeçar, ka reaguar për herë të parë ndaj vizitës së Obamës, duke sugjeruar se ngrohja e marrëdhënieve nuk i shkon për shtat.
Ai nuk u bë i gjallë javën e shkuar, gjatë vizitës së presidentit amerikan në vendin e tij, e të pritur nga i vëllai, Raul Kastro, por ka zgjedhur t’i shprehë idetë e tij në një shkrim të botuar sot në gazetën kubaneze Granma.
“El hermano Obama”, ndryshe, “Vëlla Obama”, është titulli i shkrimit të Fidel Kastros, ku ai duket se nuk është i gatshëm t’i lërë prapa dekada armiqësi midis SHBA-ve dhe Kubës.
“Kuba nuk ka nevojë për dhurata nga perandoria,” shkruan Kastro. Për të ironizuar më tej, “Dëgjimi i fjalëve të presidentit amerikan mund t’i japë ndokujt një atak kardiak.”
“Askush të mos ketë ndonjë iluzion se populli i këtij vendi fisnik dhe vetëmohues ka për t’i dorëzuar lavdinë, të drejtat dhe pasurinë shpirtërore të ardhur përmes zhvillimit të arsimit, shkencës dhe kulturës,” lexohet mes rreshtave në shkrimin e Fidel Kastros.
Vizita e Obamës javën e shkuar qe e para e një presidenti amerikan në detyrë në gati nëntë dekada, dhe shënoi hapin më të fundit në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Konferenca e përbashkët e shtypit mes Obamës dhe Raul Kastros nuk qe po ashtu aq e qetë, e pati si vulë të saj një refuzim të presidentit kubanez për të pranuar një hedhje krahu rreth qafës nga homologu amerikan. /tesheshi.com/