Kokëkuqja shpresohet të jetë makina që do ta rivalizojë denjësisht Mercedes-in në sezonin e ri të Formula 1-shit, që pritet të nisë pas pak javësh, por duhet ende kohë për ta sjellë atë në nivelin e duhur.
Ferrari ka bërë një paraqitje të mirë në provat e fundit, me të dy pilotët që janë të kënaqur me makinat e tyre.
I pyetur nëse makina do të jetë gati për garën e parë sezonale, atë të 20 marsit në Australi, piloti gjerman i Ferrari-t, Sebastian Vettel, është përgjigjur, “Shpresoj që të jetë gati për dy javë.”
Vettel nuk ka shprehur shqetësim për problemet e makinës me besueshmërinë, të patura posaçërisht nga piloti tjetër, finlandezi Raikkonen: “Nëse ndodhin këtu (në prova), nuk është problem.”
Në fund, ai ka shprehur kënaqësinë për gjendjen e makinave. “Jemi shumë të lumtur me nivelin ku gjendemi.”
Mercedes-i dhe dy pilotët e tij, Hamilton e Rosberg, e kanë dominuar plotësisht Formula 1-shin në dy vitet e fundit, dhe ka një kureshtje të madhe për të parë nëse Ferrari do të jetë në gjendje këtë vit të vendosë ekuilibër në pistë. /tesheshi.com/