Ç’prej kohësh e sot e kësaj dite, në shumë paraqitje publike të kreut demokrat Basha, krah tij si aleat gjendet dhe një ish-“kokë e krimit”. Bëhet fjalë pra për “Dukën e krimit”, kreun e PAA-së Agron Duka, ish-ministrin e Bujqësisë në qeverinë Nano të viteve 2002 – 2005, i cili jo aq për postin që mbante – askush nuk është trazuar me ministrat e Bujqësisë – por për staturën që kishte si njeri influencash të mëdha në pellgun Durrës – Shijak, u shndërrua në simbol të akuzave vullkanike të Berishës në ato vite, duke u krahasuar me kokat e klanit të Zemunit në Serbi, pasi vetë koka ishte Nano.
Interesant po ta dinin emisarët e PE-së në takim me Bashën, se teksa ky i fundit po denonconte krimin qeveritar, njeriu krah tij ishte një nga “kriminelët” e dikurshëm të shënjestruar nga një opozitë që drejtohej nga Berisha, e që ishte në të njëjtën linjë psiko-politike me këtë të Bashës sot. Prezenca në çdo dy – tre fjali e fjalës “krim”, është dëshmia më kokëforte e kësaj.
Agron Duka krah Bashës e jo vetëm, është domethënëse për shumëçka nga ajo që ndodh sot në ligjërimin akuzues të PD-së. Këtu është rasti për të kujtuar se pas vitit 2005, sapo kjo parti u ngjit në pushtet, i ndaloi si me buton të gjitha akuzat ndaj qeverisjes Nano. Ky i fundit, së bashku me dy emra të tjerë simbol të masakrimit verbal, Anastas Angjelin – “mamuthin e korrupsionit”, e padyshim Agron Dukën – “Dukën e krimit”, gjetën më së fundi qetësinë. Tek e fundit synimi ishte përmbushur: ata nuk ishin më në qeverisje, e Berisha ishte kthyer më në fund pushtet. Për liderin demokrat llogaria ishte mbyllur.
Dy vjet më vonë, Berisha do ishte mëse i qartë në devizën e tij politike plot amoralitet politik, se çdo rival përballë tij ishte njeriu i çdo të zeze, e kjo derisa t’i zinte rrugën drejt pushtetit. Ai do takohej miqësisht me Nanon e rënë nga vafti, por ende me kredenciale në PS, për t’i diktuar kësaj të fundit nën drejtimin e Ramës hyrjen në zgjedhjet lokale pas një paralajmërimi për bojkot.
Dhe, me ende në vesh mitralimet verbale të Berishës ndaj Nanos, teksa i shihnin ashtu të vëllazëruar, gazetarët pyetën kryeministrin demokrat se a i qëndronte ai akuzave për ish-rivalin e tij socialist? Dhe Berisha, komod me pushtetin, me një nënqeshje cinike, pa pyetur për moralin, u tha se ato ishin vetëm për arsye elektorale. Një sinqeritet tronditës, që më mirë mos ta dëgjoje!
Kjo skenë po përsëritet sot, ku dyshja Berisha- Basha i janë vërsulur me të njëjtin fjalor mizor rivalit politik, duke futur sërish në përdorim kartën e “krimit”, e këtë, si për ironi, duke patur në krah dhe një “kriminel” të dikurshëm; pra Agron Dukën.
Për hir të së vërtetës, qeverisja Rama është gjithë mëkate, edhe në raport me krimin, por e djeshmja është një leksion i trishtë se e njëjta gjë do kish ndodhur edhe sikur Rama të shkëlqente. Opozita e sotme, është po ajo e gjithmonshmja, në çdo kohë e me çdokënd, madje dhe në kushte qeverisjeje, që edhe nëse nuk ekziston djalli te kundërshtari politik, duhet ta krijojë me patjetër atë.
Basha, më mirë ta besonte vërtet se ka përballë një kriminel, sesa të luante teatër sikur e ka. Sepse të paturit e Dukës në krah, jep të kuptuar se është në të dytën, brenda një roli që mësoi nga Berisha. /tesheshi.com/